Edhe Lila kërkon Ujkanin
Kohë merkatoje dhe interesi për portierin e kombëtares kuqezi. Së fundmi nga Franca dhe Hollanda vijnë sinjalet për të kërkuar shërbimet e tij.
Pas interesimit zyrtar të skuadrës italiane Udinese, që garon në Serie A të Italisë, edhe skuadra franceze e Ligue 1, Lille ka shprehur interesim për portierin kosovar Samir Ujkani. Kështu bën të ditur ueb faqja italiane “tuttomercatoëeb.com, transmeton KD. “Lille është vënë në gjurmët e portierit që u huazua te Chievo dhe tashmë kanë nisur kontaktet mes skuadrës franceze dhe Palermos”, shkruan “tuttomercatoëeb.com”. Ujkani, 25-vjeçar, aktualisht është lojtar i skuadrës së Palermos.
Ai me Palermon ka kontratë deri në qershor të vitit 2014. Në pjesën e dytë të edicionit të shkuar në Serie A, Ujkani u huazua nga Palermo në skuadrën e Chievos, por reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë nuk u paraqit për as edhe një minutë te Chievo. Megjithëkëtë, Ujkani shihet si portier me të ardhme të ndritur.
“Udinese e sheh Ujkanin si zëvendësues ideal të Zheljko Bërkiqit, që do t’i mungojë Udineses për shkak të një lëndimi në shpatull deri në janar të vitit të ardhshëm”, shton ueb faqja italiane. Ditë më parë vetë portieri nga Vushtrria pati deklaruar se ende nuk e di se në cilën skuadër do të nisë edicionin e ri.
Ai pati thënë se te Palermo do të qëndronte vetëm nëse i garantohej se do të ishte portier i parë. “Nuk e di se ku do të luaj edicionin e ri. Por, dua të luaj në një skuadër ku unë do të jem portier i parë”,- pati thënë Ujkani ditë më parë për mediumet italiane.
Genoa dhe ekipe holandeze duan kosovarin
Skuadra e Palermos dhe trajneri i saj, Gennaro Gattuso duket se kanë plane me portierin e kombëtares, Samir Ujkani pasi që nuk janë të gatshëm ta lirojnë, për kundër ofertave. Së paku tri ekipe kanë shprehur interesim për portierin shqiptar, Samir Ujkani i cili është nën kontratë me ekipin e Palermos, i cili këtë vit do të garojë në Serie B.
Ujkani në janar ishte huazuar te Chievo Verona, por nuk kishte luajtur asnjë minutë, pas kësaj kohe është kthyer te Palermo, e cila tani me trajnerin e ri, Gennaro Gattuso kërkon të kthehet që në vitin e parë në Serie A.Skuadra e Serie A, Genoa ka shprehur interesim për Ujkanin, por çdo gjë është ende në fazën fillestare të interesimit, pasi që portieri i tyre, Frey po kalon në Turqi te Bursaspor.
Ndërkaq, një burim i afërt i sporti1.com me lojtarin pohoi se ai ka pasur një ofertë konkrete të kalojë edhe në kampionatin holandez, por këtë e kanë refuzuar drejtuesit e klubit sicilian të Palermos.