E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Ministri Imami i etur për skrap

Pasi ka dështuar në prokurimin e një sasie prej 15 mijë tonësh skrap për ta përfituar një kompani e afërt me të, Imami ka anuluar tenderin dhe e ka rishpallur atë më datë 12 tetor, duke filtruar më parë kompanitë përmes një instituti  që ka shpikur një licencë për skrap

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duket se po i hyn një historie të re të telasheve me tenderat e skrapit, duke krijuar një infrastrukturë që synon të favorizojë një kompani të afërt me të. Fillimisht kohë më parë ai shpalli një tender për 15 mijë ton skrap në reparte ushtarake, por kur pa se një prej kompanive që ai synon ti japë tenderin ishte larg fitores, e anuloi atë për arsye publike. Konkurruesit e tjerë në tender u shqetësuan, por Imami nuk u tërhoq. Ai e çoi tenderin duke deleguar Brigadën e Logjistikes duke e rishpallur atë, por tashmë me kushte të reja.

Konkurrentët u çuditën kur në kushtet e reja për në tender, përfshihej një certifikatë licencimi nga një institut DSIK, i cili kualifikon kompanitë nëse janë të afta të merren me skrap ose jo. Kjo praktikë nuk është përdorur më parë për asnjë tender.

Kështu, pas shtimit të këtij kriteri të ri, rezultoi që gjithë kompanitë e tjera konkurrente nuk e marrin dot firmën pranë këtij instituti përveç kompanisë VEGA shpk.

Ndër kompanitë që nuk e merr dot vërtetin nga ky instituti është dhe kompania KURUM, e cila është në të vërtetë metalurgjia më e madhe e skrapit në Shqipëri.

Këto detaje flasin qartë se tenderi është riorientuar për fituesin që kërkon Ministri Imami, i cili me këtë veprim duket se po përfshihet në spiralen e skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë me pasurinë e vetme të mbetur rrugëve nga koha e komunizmit, hekurishtet e ndryshkura, të cilat janë dhe i vetmi burim fitimi për këtë qeveri.

Një tjetër histori skrapi ka kohë që trondit qeverinë. Uzina e Azotikut dhe Uresë në Fier po çmontohet pa asnjë tender të përfunduar, dhe duke mashtruar me sasinë e cila po çmontohet. Përveçse çmimi me të cilin është fituar tenderi është shumë i lirë dhe në dëm të pasurisë shtetërore, sasia po ashtu është disa herë më e ulët nga ajo që po merret vërtet.

Prokuroria ka nisur hetimet për këtë skandal dhe ka thirrur ditët e fundit për të pyetur kompanitë që morën pjesë në këtë tender.

Ndërkohë tenderi i ri i shpallur nga Ministria e Mbrojtjes për skrapin është në datën 12 tetor, dhe pritet që ai të çojë drejt kualifikimit kompaninë e afërt me zotin Imami.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›