Edhe Sunderland pas Mehmedit

Admir Mehmedi është bërë objektiv i disa skuadrave evropiane. Ekipi i fundit që ka shfaqur interesim për të është Sunderlandi. Sipas mediave britanike, përkatësisht tabloidit ‘Daily Mirror, menaxheri i klubit anglez, Steve Bruce, e ka vëzhguar nga afër sulmuesin shqiptar, duke luajtur me përfaqësuesen e Zvicrës ndaj Holandës, me ekipin U21.
“Admir Mehmedi konsiderohet si njëri prej lojtarëve më të mirë të rinj në Zvicër. Sulmuesi i Zurichut pëlqehet nga klubet ambicioze. Së fundmi, ai i ka rënë në sy edhe Sunderlandit. Atë e ka vëzhguar menaxheri Steve Bruce”, shkruan Daily Mirror.
Futbollisti nga Maqedonia pëlqehet edhe nga Nurnbergu. Trajneri i këtij ekipi, Dieter Hecking ndien simpati për përfaqësuesin zviceran.
“Mehmedi është lojtar mjaft i mirë dhe interesant. Mirëpo, për ne është i shtrenjtë”, deklaroi Hecking, i cili e përcolli me kujdes Mehmedin duke luajtur në Kampionatin Evropian U-21. Përpos Sunderlandit, Mehmedi është bërë shënjestër e klubeve italiane Palermo dhe Atalanta.