Shqipëria dëshiron Erikssonin

Bankina e Kombëtares shqiptare vazhdon të mbetet bosh. Pas largimit të Josip Kuzes nga ekipi kuqezi, shumë emra të trajnerëve po përmenden si pasardhës të mundshëm të trajnerit kroat.
Emri më i ri që po përmendet për trajner të ri të ekipit kuqezi është suedezi Sven Goran Eriksson. Ish-selektori i Anglisë, që tani është i papunë, është futur në listën e trajnerëve të dëshiruar nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) për ta drejtuar Kombëtaren shqiptare.
“Mund t’ju konfirmoj se Sven-Goran Eriksson është njëri nga trajnerët që e duam ta shohim në krye të Kombëtares sonë. Mirëpo, nuk kemi biseduar me të. Ai është njëri ndër ata që na interesojnë”, deklaroi zëdhënësi i FSHF-së, Lirim Zalla për të përditshmen suedeze, Sport-Expressen.
Eriksson është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Leicester Cityt muajin e kaluar. Flitet se atë e kërkon klubi anglez, Blackburn, por edhe një klub nga Irani. Mirëpo, ish trajneri i Lazios e Manchester Cityt nuk ka vendosur ende rreth së ardhmes. “Të shohim nëse kemi mundësi t’i plotësojmë kushtet e tij. Na nevojitet ta dëgjojmë mendimin e tij”, vazhdoi Zalla.
Ndërsa menaxheri i Erikssonit, Athole Still thotë se klienti i tij ka kërkesa të shumta, por që do ta zgjedhë opsionin më të mirë. “Natyrisht, ai ka plot oferta dhe po i shikojmë opsionet. Gjëja më e rëndësishme është që ta zgjedhim mundësinë më të mirë të mundshme për të. Nuk kam asnjë koment për Shqipërinë. Ka pasur spekulime për një klub nga Irani, Afrika e Jugut dhe Dubai. Kur të ketë diçka konkrete, do të flasim”, tha Still.
Si kandidat i mundshëm për ta drejtuar ekipin kuqezi po përmendet edhe emri i trajnerit kosovar, Naxhi Sensoj, i cili aktualisht me shkueses po drejton skuadrën e Bylysit në kampionatin shqiptar.
Përveç këtyre, kandidatë për ta drejtuar Shqipërinë janë edhe Matjaz Kek, Sreçko Katanec, Erwin Koeman, Javier Clemente, Berti Vogts e Otto Rehhagel.