Në Maqedoni, për ta rikthyer buzëqeshjen

Kuqezinjtë, të cilët edhe në këtë takim do të udhëhiqen nga selektori i përfaqësueses U17, Dzemal Mustedanagiç, kanë udhëtuar drejt Maqedonisë, me synim që të nxjerrin një rezultat pozitiv dhe ta rikthejnë buzëqeshjen pas dështimit në eliminatoret për Euro 2012.
“Do të jemi vërtet të kënaqur që në Maqedoni të luanim njësoj si në pjesën e dytë me Azerbajxhanin, pavarësisht asaj humbjeje. Shpresoj që kjo ndeshje të na ndihmojë të rikthejmë besimin në radhët tona”, ka thënë Musdedanagiç për mediat shqiptare.
Në këtë takim pritet të ketë disa ndryshime në formacion e sidomos në repartin shumues.
“Pas lëndimit të Bogdanit, titullar do të luajë Vila, ndërsa kam besim te Roshi dhe Hyka, që me lojën e tyre nga krahët do të ndihmojnë repartin sulmues, ku do të luajnë Salihi përkrah Januzit ose Kapllanit”, ka theksuar boshnjaku.
Në anën tjetër, Maqedonia për këtë takim ka ftuar në ekip katër lojtarë shqiptarë: Bajram Fetain, Agim Ibrahimin, Ferhan Hasnin dhe Muhamed Demirin.
Kurse në këtë takim përfaqësuesja maqedonase do të hyjë në mungesë të yllit të saj, Goran Pandev, i cili do të mungojë në këtë takim. Po ashtu, maqedonasve do t’u mungojnë edhe Nikolçe Noveski, Goran Popov e Ivan Triçkovski.