Edhe Vetëvendosje e AAK kundërshtojnë Thaçin për fusnotën
Deputeti Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh shef i Grupit Parlamentar të kësaj lëvizjeje, tha se deklarata e bërë dje nga kryeministri i Kosovës nuk ka bazë ligjore e as kushtetuese, pasi që Kushtetuta e definon qartë Kosovës si Republikë.
“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se kjo deklaratë e djeshme e kryeministrit nuk ka as bazë ligjore, e as bazë kushtetuese në Republikën e Kosovës. Kjo deklaratë e kryeministrit të Kosovës është deklaratë antikushtetuese, për shkak se Kushtetuta e Kosovës e definon Kosovës shumë qartë si republikë dhe nuk e definon Kosovës as me fusnota as me ndonjë dokument tjetër”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Hashim Thaçi duhet ta tërheq deklaratën e tij menjëherë dhe Qeveria e Kosovës nuk duhet ta pranojë këtë qëndrim disfatist të kryeministrit, sepse sipas tij, ky qëndrim personal i kryeministrit nuk është vendim i Qeverisë dhe nuk rrjedh nga ndonjë mbledhje e Qeverisë.
Ndërkaq, anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti tha se kryeministri po heq dorë nga republika, duke i plotësuar kërkesat e Serbisë dhe jo të qytetarëve të Kosovës, për të cilët edhe është i obliguar të punojë.
“Ky kryeministër po heq dorë nga republika, po thuajse nga gjithçka që po i kërkohet atij në këtë dialog. Që emrit të shtetit të Kosovës t’i hiqet republika e t’i shtohet fusnota, këtë e ka kërkuar Serbia. Pra, kryeministri i Kosovës po i plotëson kërkesat e Serbisë e jo të qytetarëve të Kosovës, mirëpo, duhet t’ia kujtojmë edhe njëherë se ai paguhet dhe se ka përgjegjësi ndaj qytetarëve të Kosovës që t’i plotësojë kërkesat e këtyre qytetarëve e jo të atyre të Serbisë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se duke marrë parasysh se kryeministri është shprehur i gatshëm ta pranojë Rezolutën 1244, tregon se kjo Qeveri shumë shpejtë do të heq dorë edhe nga kufiri.
Sipas Ahmetit, heqja dorë nga republika, do të thotë kthim në të kaluarën dhe hedhje poshtë e të gjitha sakrificave që janë bërë deri më tani për ta shpallur Kosovën Republikë.
Gjithashtu, drejtuesit e Vetëvendosjes kanë bërë të ditur se janë duke punuar në bashkërendimin e planeve edhe me partitë e tjera, në mënyrë që, siç thanë ata, ta parandalojnë më të keqën që po i kanoset vendit.
Ata kanë thënë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha rrugët institucionale që Kosova të mos përfaqësohet ndryshe, pos si republikë, në të kundërtën, ata paralajmërojnë edhe organizimin e demonstratave.
AAK: Fusnota e kthen Kosovën në kohën e UNMIK-ut
Deklarata e kryeministrit, Hashim Thaçi që Kosova të përfaqësohet në nismat rajonale me Rezolutën 1244, është kundërshtuar edhe nga drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e vlerësuar se kjo rezolutë e kthen Kosovën në kohën UNMIK-ut. Madje ata kanë thënë se në kohën kur Kosova është në fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe përfaqësimin i saj me rezolutën është një kthim prapa.
Sekretari i AAK-së dhe njëherë deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Ramadani në një prononcim për Kosovapress ka thënë se pranimi i kësaj fusnote e dëmton skajshmërisht procesin e përmbylljes së pavarësisë.
“Ne si aleancë konsiderojmë se ky vendim i Qeverisë së Kosovës që të pranoj fusnotën e Rezolutës 1244 në përfaqësimin rajonal të Kosovës, po e dëmton skajshmërisht procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës. Si aleancë kemi mbështet një rezolutë që e përmbyll pavarësinë e mbikëqyrur të Kosovës, por kjo qeveri përkundrazi me rezolutën po vepron në kthim mbrapa jo vetëm të pavarësisë së mbikëqyrur por në kohën e UNMIK-ut”, ka thënë Ramadani.
Ai i ka bërë thirrje qeverisë që të reflektoj fuqishëm se çfarë dëmi po i shkakton përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Ramadani ka shtuar se këto dy koncepte Rezoluta 1244 dhe përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur nuk shkojnë bashkë dhe janë komplet të kundërta.
Deputeti Ramadani ka thënë se këto vendime të cilat po merren duhet të kalojnë nëpër Kuvend të Kosovës, pasi që është institucioni më i lartë i vendit.
“Definitivisht kjo tashmë ka edhe elemente politike dhe duhet të vij në kuvend. Pra përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale duhet të bëhet në përputhje me rezolutat e kuvendit edhe me këtë rezolutën e fundit për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur dhe vendimet e tilla duhet të vijnë në kuvend, sepse nuk janë çështje vetëm teknike”, ka deklaruar ai. /kosovapress/