E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gashi kërkon mbështetjen e Sllovenisë në integrimet evropiane

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Ibrahim Gashi gjatë vizitës së tij në Slloveni është takuar me sekretarin e shtetit, Igor Senčar, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Gjatë këtij takimi, zv/ministri Gashi e uroi sekretarin e shtetit për konstituimin e Qeverisë së re të Sllovenisë, ndërsa Senčar konfirmoi gatishmërinë e qeverisë së re për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin midis dy vendeve tona. Në takim ishte i pranishëm edhe i ngarkuari me punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Slloveni, Naser Idrizi.

Zv/ministri Gashi falënderoi për mbështetjen e deritanishme që Sllovenia i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës dhe njëkohësisht kërkoi forcim dhe zgjerim të bashkëpunimit edhe në të ardhmen e në veçanti për të ndihmuar Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve euro-atlantike.

“Sllovenia tani është më afër me këtë proces kur dihet se ish ministri i jashtëm z. Žbogar është përfaqësuesi kryesor i BE-së për Kosovën. Ne kërkuam nga Sllovenia që ngritja e shkallës së bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e volumit të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve, me theks nevojën e rritjes se eksportit kosovar në Slloveni i cili është shumë i ultë”, theksoi zv/ministri Gashi.

Gashi po ashtu kërkoi nga përfaqësuesit e lartë sllovenë bashkëpunimin më të ngushtë midis dy ministrive përmes krijimit të një agjende të bashkëpunimit konsultativ në mënyrë më të rregullt.

Zv/ministri Gashi gjatë kësaj vizite ka marrë pjesë edhe në kremtimin e katër vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës të organizuar nga Ambasada jonë në Slloveni.

Gjatë këtij manifestimi, zv/ministri Gashi pati edhe një takim me Senatorin e Massachusetss, Marc Pacheco, i cili mbajti edhe një fjalë rasti në këtë pritje. Pacheco konfirmoi edhe një herë vazhdimin e mbështetjes institucionale të SHBA-ve ndaj institucioneve dhe popullit të Kosovës me bindjen se po mbështesin një popull liridashës dhe një shtet demokratik, i cili po dëshmon gjithnjë e më shumë se është dhe do të jetë një faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon dhe në botë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›