E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe çudirat nuk kanë të sosur

Jo vetëm lëvizje akrobatike dhe gola në minutat e fundit. Historia e futbollit është e mbushur edhe me ngjarje të çuditshme, që nuk ndodhin shpesh. Lojtarë që rrëzojnë helikopterët me një të goditur, ata që gjuajnë topin me pistoletë për të shpëtuar skuadrën e zemrës nga humbja, apo ata që në shenjë proteste bëjnë 149 autogola. Ja disa nga episodet dhe lajmet më të çuditshme të agjencive mbi futbollin këto 50 vitet e fundit.

Për të protestuar bëjnë 149 autogola

Madagaskar, viti 2002

Pas shumë faulleve të padrejta e të njëpasnjëshme, lojtarët e skuadrës së kategorisë së parë, Stade Olimpique Emryne, nuk mund të duronin më. Me qëllim që të anulonin ndeshjen për fitoren e kampionatit me skuadrën kundërshtare të Adema, në shenjë proteste ndaj arbitrit nisën të bënin autogola njëri pas tjetrit në portën e tyre. Rezultati përfundoi 149-0 dhe kjo vetëm sepse nuk kishte më kohë, pasi 90 minutëshi kishte përfunduar.

Mjegull e madhe, portieri harrohet në fushë

Stokbrixh, Britani, viti 2003

Të gjithë lojtarët u kthyen në dhomat e zhveshjes pa e lajmëruar, ndërsa portieri ngeli i vetëm në fushë për më shumë se dhjetë minuta pa kuptuar asgjë. Kjo ngjarje ka ndodhur në ndeshjen mes Stokbrixh Stil dhe Viton Albion në Britani, ku arbitri kishte ndaluar ndeshjen, sepse mjegulla pengonte shikueshmërinë. Në kohën kur portieri i Stokbrixhit, Riçard Sidal, kishte mbetur në fushë, kishte kujtuar se të gjithë shokët e skuadrës ishin në sulm. Trajneri Uejn Bigins e kishte vënë re mungesën e tij në dhomat e zhveshjes. "Të gjithë po pyesnim se ku ishte, derisa u kujtuam që mund të kishte mbetur në fushë. Në këtë mënyrë u kthyem ta merrnim".

Rreh futbollistin dhe vetëpërjashtohet

Andover, Britani, viti 1998

Ndeshja mes Sauthampton Arms dhe Houstburn Tarrant British Legion ishte amatore. Por një futbollist i British Legion, Riçard Kurd, vazhdonte të shtynte arbitrin Melvin Silvester, sa herë që ky i fundit i afrohej. Kur pas shumë qortimesh, lojtari iu drejtua duke e ofenduar, gjyqtari nuk mund të duronte më duke e gjuajtur me pëllëmbë në të dyja faqet. Pas kësaj, me gjakftohtësinë që e karakterizonte, nxori nga xhepi kartonin e kuq dhe doli jashtë fushës. Ndeshja u gjykua nga një spektator, por Liga e Futbollit nuk e vlerësoi këtë zgjedhje të tij, duke e pezulluar arbitrin për 6 javë dhe duke i vendosur një gjobë prej 20 sterlinash.

Fati i finales vendoset pas 66 penalltive

Derbi, Britani e Madhe, viti 1998

Meqë fati i ndeshjes nuk ishte vendosur dot gjatë kohës së rregullt dhe asaj shtesë, nuk ngeli gjë tjetër që të përcaktohej përmes penalltive. Në fakt, si kurrë më parë, këtu lotaria e penalltive zgjati plot 90 minuta. Kështu, rrezikonte të zgjaste pafundësisht finalja e "Derby‘s Community Cup", një turne për fëmijët anglezë të moshës nëntë dhe dhjetë vjeç. Pasi takimi përfundoi 1-1 mes Miçkleover Lightining Blue Sox dhe Chellaston Boys, u deshën plot 66 gjuajtje penalltie për të vendosur fituesin. Në fund, pas 90 minutave gjuajtjeje, ndeshja u fitua nga Blue Sox, falë një gabimi të kundërshtarit, kur topi preku shtyllën.

Lë portën bosh për të urinuar dhe pëson gol

Oslo, Norvegji, viti 2000

Një nevojë urgjente e portierit i kushtoi rezultatin e ndeshjes skuadrës së tij. Olav Fiske, portieri i skuadrës së Surnadal, ishte pozicionuar pas portës për të urinuar gjatë intervalit mes pjesës së parë dhe të dytë të kohës shtesë në çerekfinalen e ndeshjes për Kupën e Norvegjisë. Por, nuk e kishte vënë re fare që ndeshja kishte filluar. Pas fërshëllimës së arbitrit, mesfushori Odvar Torve i skuadrës së Sundalit e gjuajti topin drejt e në portën bosh, duke shënuar dhe duke fituar kështu edhe ndeshjen.

Tifozi i bie bilbilit, lojtari bën autogol

Leiçester, Britani e Madhe, viti 1963

Ndeshja ishte zhvilluar mes emocionesh deri në fund, por rezultati i saj mes Arsenalit dhe Leiçesterit kishte ndalur në shifrat zero me zero. Kështu, kur arbitri kishte fërshëllyer për fundin e ndeshjes disa sekonda para kohës së rregullt, një mbrojtës i Arsenalit, Denis Evans, nga inati e gjuajti topin në portën e skuadrës së tij. Por, në fakt, ai që kishte fërshëllyer nuk kishte qenë arbitri, por një spektator nga tribuna. Kështu arbitri e quajti ndeshjen e rregullt dhe e përfundoi atë me rezultatin 1-0 për Leiçesterin.

Denoncon skuadrën për mosangazhim

Dortmund, Gjermani, viti 1968

Kur skuadra e zemrës, Borusia e Dortmundit humbi në fushën e saj ndeshjen kundër Bajernit të Mynihut, një tifoz i çmendur i saj u zemërua aq keq sa vendosi ta denoncojë skuadrën në gjykatë për mosangazhim dhe ndeshje të dobët, duke kërkuar edhe dëmshpërblim. "Kam harxhuar lekët për të parë këtë ndeshje të shpifur dhe kam të drejtë të pretendoj për më shumë", ishte argumenti i tij. Gjyqtarët vendosën që t‘i rimbursonin vetëm koston e biletës.

Gabon, pendohet dhe pezullon ndeshjen

Urago Mella, Breshia, viti 1995

Kishte anuluar një gol, por nuk po arrinte të gjente qetësi shpirtërore. Në pjesën e parë të takimit mes Urago Mellas dhe Ponte Zananos (kategoria e dytë), arbitri Fausto Kreti e kishte gjykuar si jo të vlefshme golin e barazimit të Ponte Zananos, kur ndeshja ishte 1-0 për skuadrën kundërshtare. Por në fillimin e pjesës së dytë, vetëm pas 6 minutash lojë, gjyqtari i ndeshjes vendosi ta pezullojë atë. Motivi: "E kuptova që bëra gabim në anulimin e golit dhe kështu nuk kisha kushtet psikologjike e qetësinë e nevojshme për të drejtuar ndeshjen". Megjithatë, komisioni arbitrar e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar si të pakuptimtë.

Tifozi gjuan me gur mbi topin, duke shënuar

Bruksel, Belgjikë, viti 1983

Ndeshja dukej sikur kishte përfunduar, pasi ishte minuta e 89 e ndeshjes mes Anderlehtit dhe Lensit. Padronët e shtëpisë ishin në avantazh me rezultatin 1-0. Por kur belgu Keneth Brill e mbështeti topin te portieri i tij Xheki Munaron, papritur topi ndryshoi drejtim dhe përfundoi në rrjetën kundërshtare, duke e mbyllur ndeshjen në barazim. Vetëm moviola arriti ta tregojë mënyrën se si u bë goli: një gur i gjuajtur nga një tifoz e kishte devijuar topin drejt rrjetës.

Shpëton rezultatin me armë

Bastia, Francë 1978

Kur e pa topin që po drejtohej drejt portës, nj tifoz i çmendur e kuptoi se skuadra e tij po humbte. Kështu, për të ndaluar një gol të sigurt të sulmuesit të Metzit, një tifoz i Bastias, Zhan Mark Lukeze, nxori nga xhepi pistoletën e tij dhe gjuajti në drejtim të topit. I shpuar dhe pa forcë, topi arriti të ndalonte vetëm disa centimetra larg portës, duke e shpëtuar skuadrën nga humbja. Tifozi u arrestua menjëherë dhe u dënua me tre muaj burg.

Rrëzon avionin me një goditje

Asuncion, Paraguai 1959

Pasioni për futbollin mund të ishte fatal për Alfredo Lid, pilot i një helikopteri. Ndërsa bënte xhiro sipër fushës për të ndjekur ndeshjen e kategorisë së dytë, topi i gjuajtur nga një futbollist përfundoi në helikë, duke e detyruar të bënte ulje emergjente në një fushë me grurë. Piloti arriti të shpëtonte, ndërsa avioni u bë copë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›