E Diel, 1 Nëntor 2026

Republikanët kritikojnë shoqatën e pronarëve: Bëjnë vetëm zhurmë

Thellohet hendeku mes Partisë Republikane dhe Shoqatës së Pronarëve. Drejtuesit e kësaj force politike iu kundërpërgjigjën dje deklaratave të përfaqësuesit të shoqatës "Pronësi me Drejtësi" Myrshit Vorpsit, i cili tha se kjo shtresë e ka humbur besimin tek PD-ja dhe PR-ja. Nënkryetari i Partisë Republikane, njëkohësisht edhe zv/ministër i Mjedisit në qeverinë "Berisha", Aleksandër Garuli, deklaroi dje në një prononcim për "Shqip", se "po të bësh një bilanc, shoqatat e pronarëve kanë bërë vetëm zhurmë përballë punës së Partisë Republikane në këto katër vjet për t‘u dhënë zgjidhje problemeve të ish-pronarëve të vërtetë". Këto replika paralajmërojnë një përballje të vështirë të republikanëve me këtë shtresë, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare. Numri dy i partisë konstatoi se "Partia Republikane është dhe do të jetë përfaqësuese e pronarëve. Deklaratat e disa përfaqësuesve të disa shoqatave, nuk i përfaqësojnë qëllimet e pronarëve, por përfaqësojnë vetëm tendencën e tyre për të dalë në media". Këto deklarime vijnë një ditë pasi përfaqësuesi i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Myrshit Vorpsi, bëri publik humbjen e besimit të pronarëve të vërtetë te partia në pushtet dhe ajo republikane. Shoqata e ish-pronarëve në Shqipëri ka negociuar me deputetin Gilman Bakalli për të paraqitur një nismë ligjore në Kuvend për pronat, duke tradhtuar në këtë pikë besimin që kjo shtresë mbante te republikanët dhe partia në pushtet. Përfaqësuesi i shoqatës, Myrshit Vorpsi, u shpreh një ditë më parë, se "nismën ligjore për pronat ia besuam deputetit Gilman Bakalli, pasi nuk besojmë më te Partia Demokratike dhe Partia Republikane". Ndryshimet e propozuara në komisionin parlamentar në ligjin për pronat, ka pozicionuar sakaq Partinë Republikane edhe kundër qeverisë. Republikanët kundërshtojnë përjashtimin e ish-pronarëve nga mundësia për të blerë asetet shtetërore që janë ndërtuar mbi tokat e tyre. Deputeti Arian Madhi theksoi se "mazhoranca po rrezikon seriozisht besimin e ish-pronarëve për gjetjen e një zgjidhje konkrete për këtë çështje kaq të mprehtë". Sipas tij, "PR-ja është e prirur të vijojë aksionin politik dhe ligjor, në dobi të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, të fitojë besimin aq shumë të rrezikuar". Duke shpjeguar votën e tij kundër draftit të qeverisë për dhënien e së drejtës vetëm për sektorin privat që të blejë asetet shtetërore, mbi të cilat ushtron aktivitetin, Madhi thotë se kjo nismë më së pari është antikushtetuese. "Është një nismë që përkeqëson në mënyrë të ndjeshme situatën e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe për më tepër është një nismë në kundërshtim flagrant me të drejtat e ligjshme që u janë njohur pronarëve", u shpreh Madhi. Ai bëri me dije se në vullnetin politik të Partisë Republikane është përcaktuar saktësisht se asetet që janë shtetërore dhe për më tepër kur ato janë ish-pronë e subjekteve të shpronësuara, duhet të vihen maksimalisht në dispozicion të procesit të kthimit dhe kompensimit fizik të pronarëve.

Ish-pronarët

Agim Toro: Ato janë antikushtetuese

Jemi kundër ndryshimeve

në ligjin e pronave

Shoqata e Pronarëve e kundërshtoi fuqishëm vendimin e qeverisë për të shitur tokat shtetërore te "pala e tretë", duke përjashtuar nga ky proces pronarët e vërtetë. Ata e quajnë antikushtetuese dhe të dëmshme ndryshimin e fundit të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ndërkohë që është çështje ditësh miratimi i draftit të qeverisë në Kuvend, kreu i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, thotë se prona e tyre nuk duhet të bëhet pre e tekave të shtetit dhe bizneseve që i kanë shfrytëzuar deri tani. "Pa diskutim që të gjithë subjektet e shpronësuara, të cilëve u është njohur e drejta e pronësisë, janë të interesuar që t‘u kthehet prona e tyre. Dhe vullneti për ta shitur apo mosshitur këtë pronë, i takon pronarit, nuk i takon shtetit për të plotësuar tekat dhe interesat e të tretëve", theksoi Toro. Sipas tij, ky është një qëndrim as më shumë as më pak antipronar, që bëhet për interesa të tjera, por jo për interesa të zgjidhjes së problemit të pronave. Projektligji që kaloi një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve i jep përparësi në blerjen e truallit biznesit që shfrytëzon atë dhe në rast refuzimi toka i kalon pronarit. Ndonëse të ardhurat nga shitjet do t‘i kalojnë fondit për kompensim, pronarët e quajnë atë të pakonsiderueshëm. "Absolutisht është i pamjaftueshëm. Duke pasur parasysh që në nëntor të vitit 2008 qeveria bëri dhe një lëvizje duke ulur çmimin e pronave të pronarëve sipas vullnetit të saj, duke bërë një shkelje shumë të rëndë të ligjit, sepse nuk u zbatua metodika e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë", sqaroi Toro.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›