E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe fëmijët duhen politizuar?

Politika e re ekstravagante e Edvinit

1.Fëmija ndikohet shpejt. A duhet të përfitojmë nga kjo veçori fëminore?
Kuptohet se përgjigjja është: jo.
Të gjithë filozofët dhe psikologët demokratë janë  njëzërit se të miturit nuk duhet të politizohen. Në disa vende ka edhe nene ligjore sipas të cilave fëmijët duhet t’u shmangen propagandave zgjedhore, filmave dhe dokumentarëve me karakter të theksuar politik, librave sugjestionues politikë, debateve politike. Argumentimi qëndron në atë se fëmijët janë të ndikueshëm. E politizimi i tyre në moshë të mitur do të ishte si ndërhyrje në pavarësinë e tyre. Ndërsa vetë mosha e tyre nuk është e prirur,  - për vetë formimin e tyre, - në perceptimin e interesave politike. Sepse arsyetimi i tyre është i papërgatitur që të futet në labirintet e politikës, në sherret që shpesh marrin trajta inatçore, në gjykime të cilat janë të pakuptueshme për ta.
Njohësit e psikës së fëmijëve, shprehen pa përjashtim: “Le t’i lëmë fëmijët në natyrën e tyre”.  Lë të shohin, pra, kartonët e shpritëzuar, fabulat e përrallat edukative, emisionet me lodra e me rebuse, eksplórëret me vendet e rruzullit, emisione për botën e kafshëve, madje edhe filmat fantistiko-shkencorë (këta të fundit me kufizim). Se ka edhe filma të tillë që janë të frikshëm, të pëlqyeshëm për një pjesë të caktuar të shikuesve. Veçse jo çdo gjë e pëlqyeshme, është e dobishme. Filmat me vrasje, me skena të dhunshme, me skena pornografike, nuk janë për fëmijë. Këtu prindi duhet të lozë rolin e vet prindëror, me takt, nëse kemi parasysh, sipas mjaft edukatorëve,  se tonet e ashpra ndaluese shpesh japin efektin e kundërt.
Fëmijët pëlqejnë edhe sportin, veçanërisht futbollin, por edhe lojërat e tjera sportive, volejbollin basketbollin etj. Pra, janë të qenësishme një morí temash të pëlqyeshme për ta, që të mos mbeten në pasivitet dhe të zhvillohen mendërisht në mënyrë të shëndetshme.  Fëmijët me etje për lexim mund të nxiten nga familja që të merren edhe me libra të vëllimshëm, si “Zemra” e E. De Amiçis, Pinoku i Kolodit, Aventurat e Tom Sojerit të Mark Tuenit,  “Oliver Tuisti”, “Djemtë e rrugës Pal” e të tjera.
Kësisoj edhe librat shkollorë kërkojnë një kujdes të veçantë për moshat fëminore. Sidomos në lëndën e historisë. Janë vërejtur gabime që përkojnë me indoktrinimin e dikurshëm. Nostalgjia depërton edhe këtu.
2. Diktaturat e instrumentalizojnë fëmijën, në interes të pushtetit absolut.
Mjafton të përmendim Balilat, në kohën e Musolinit. Si një shembull i njohur mund të shërbejë edhe grumbullimi i fëmijëve në organizatën e  Fatosit dhe në atë të Pionierit, në kohën e diktaturës së Emver Hoxhës. Ishin organizata tejet të politizuara. Kishin edhe organet e tyre të shtypit. Nuk thuhet më kot se diktaturat kanë edhe pika takimi. Nga sa u tha, édhe Balilat, édhe Pionierët synonin, së pari, të bënin kultin e individit, qoftë për Duçen, qoftë për E. H.-n. Të dy këto organizata kishin divizat e tyre përkatëse.
Në vendin tonë, edhe fëmijët e kopshteve e kishin mësuar atë budallallëkun “O, Enver, o Enver, e ke gojën me çeçel!”. Paçka se xhaxhi e quante publikisht m...t  ish - bashkëpunëtorin e tij, K. Hazbiun, kur këtij i kishte ardhur radha të bëhej dashi i kurbanit! Pionierët do të përbënin një skuadër, me uniforma të zgjedhura, në rastin e Kongreseve të Partisë. Do të recitonin vjersha e do të këndonin për përparimet e jashtëzakonshme të Atdheut socialist, për planet pesëvjeçare, për dashurinë ndaj Enverit dhe ndaj Titos (pastaj, ndaj Stalinit, pastaj ndaj Maos...).
Kërkohej t’i bashkëngjiteshin, kur të rriteshin edhe pak, kryeveprës së partisë, Njeriut të Ri, të tipave  Pavlik Morozov dhe Lejfen,  domethënë njeriut robot që të spiunonte edhe nënën e babën për idealet e mëdha të partisë!
3.E. Rama përdor të miturit për synime si ato të diktaturave
Ai është i kundërligjshëm kur fëmijë që nuk kanë moshën për të votuar, të përdoren nga arkitekti i Politikës së Re, si Njeriu i Ri i E. Hoxhës. Thamë se është e lehtë të ndikosh në moshat miturake. Por kjo është e ndaluar me ligj; sepse këta fëmijë nuk janë të formuar. Dhe kërkohet të formohen sipas një standardi të paracaktuar, duke mos i lënë  të pavarur në maturimin e tyre, në mënyrë natyrore. Këta miturakë vërtiten me autobusë jo vetëm brenda vendbanimit, por edhe jashtë, duke recituar me zell skenarin që iu është mësuar dhe duke brohoritur me të gjithë volumin e gurmazit që u dikton mosha, si edhe duke tundur me gëzim ato xhufkat plot ngjyra që kanë në duar.
Lapangjozi Fosko Dinuçi e shndërroi në shfaqje këngësh sallën e Kongresit të Enverit, duke kënduar këngën ”Avanti popolo, à la riscossa, bandiera rossa trionferà”. Dhe të gjithë kongresistët, édhe ata që e dinin, édhe ata që s’e dinin këngën, mbanin iso! Po kështu i vuri në këngë më 16 shtator mituraket e autobusëve, regjisori politik Edi Rama, për të kënduar këngën për xhxhin Enver. Dhe tani, që ia do puna të hiqet si antikomunist (antikomunist i thënçin!) quan komunistë kundërshtarët e tij demokratë!
Mos të harrojmë se në të gjithë Tiranën u hap lajmi se ato zoçkat e Ramës kishin përdorur edhe drogë në Pezë... Shumë nga prindërit u revoltuan shumë kur vogëlushet erdhën në shtëpi, si të shushatura! Por, për ideal të partisë, ia bënë hallall Edit, që nuk e la në harresë shokun Enver!
Tash së fundi ndodhi edhe skandali në Korçë, kur – për mungesë organizimi, siç u tha, - nuk u përfaqësuan të dyja grupmoshat, veteranët dhe mituraket, dhe shfaqja doli eksiq!
Politika e Re i ka edhe këto tërsllëqe!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›