E Diel, 1 Nëntor 2026

Magjarët, “virusi” që ndali sllavët

Magjarët, paraardhësit e hungarezëve të sotëm, duke u vendosur në brigjet e mesme të Danubit, në një mënyrë fare të natyrshme, u bënë dikur - në një moment vendimtar  - edhe "muri pengues" për bashkimin e të gjithë sllavëve në një perandori të vetme

Në fakt, historia nis me bullgarët dhe shumëçka është e lidhur me fatin e Perandorisë Bizantine në grahmat e saj të fundit, e sigurisht, edhe me atë të popujve ballkanikë. Lufta për territore, skizma fetare e frika nga invadimi sllav, që ishte shumë e madhe, sidomos te grekët, por edhe te popujt e tjerë josllavë, bëri që në skenë të shfaqej një popull, i cili më pas do të shquhej për cilësi të veçanta, barbari e mizori, por edhe për identitet të pastër, të ruajtur deri në ditët e sotme. Ata ishin magjarët, me origjinë mongole, paraardhësit e hungarezëve të sotëm, që duke u vendosur në brigjet e mesme të Danubit, në një mënyrë fare të natyrshme, u bënë kësisoj edhe "muri pengues" për bashkimin e sllavëve në një perandori të vetme. Duke shfletuar librin "Ballkani - Historia dhe qytetërimi" (Ferdinand Schevill, botim i shtëpisë botuese "UEGEN", 2002), në kapitullin ku flitet për Perandorinë e madhe Bullgare të Mbretit Boris e Car Simeonit, ky fakt del papritur në mënyrë të përmbledhur, por më se i qartë.

Vendimi i Borisit

Kështu, thekson autori, sundimtari bullgar, Borisi, pasi përqafoi fenë e re arriti në një përfundim të rëndësishëm. Ai i hapi portat ndikimit grek, detyroi krijimin e marrëdhënieve tregtare me Kostandinopojën dhe si shenjë e fundit e ndryshimit të zemrës së tij, ai dërgoi të birin, Simeonin, në Kostandinopojë, për t‘u pajisur atje me përparësitë e edukimit grek. Me afrimin e moshës madhore, Borisi u tërhoq në një manastir dhe kurorëzoi djalin e madh në krye të vendit. Por këtu është dhe momenti, sipas Schevill, kur Mbreti i madh shuguroi menjëherë Simeonin në krye të shtetit bullgar, sapo vuri re që djali i madh u tregua i paaftë për të qeverisur.

Mbretërimi jetëgjatëgjatë i Simeonit

Më tej, autori, ndërsa shpjegon ardhjen në pushtet të Car Simeonit, pohon edhe objektivat ambicioze të tij: Simeoni (893-927), tek i cili, barbarizmi mongol ishte zëvendësuar me kulturën intelektuale greke, mundi të dallohej si sundimtari më i lavdishëm i shtetit të parë bullgar. Në mbretërimin e tij të gjatë, ai ndoqi realizimin e dy qëllimeve: ndihmesën për popullin bullgar në rrugën e qytetërimit; përpilimi i programit për shkatërrimin e Perandorisë Bizantine dhe bashkimin e Ballkanit nën sundimin bullgar. Për të përfunduar procesin e edukimit, Simeoni kërkoi përkthimin e shumë librave nga greqishtja në gjuhën sllave dhe i pakënaqur nga sasia e përkthyer, ai mori pjesë vetë në këtë aktivitet letrar. Me gjithë përdorimin e shumë librave grekë, edukimi i marrë nga bullgarët ka veçori origjinale. Bullgarët ishin të ngadaltë në përshtatjen e shprehive të të folurit dhe nuk arritën kurrë të meritonin diçka të madhe në fushën e letërsisë. Po cili ishte synimi i dytë i Simeonit? - Ai sapo kishte hipur në fron, kur nisi përsëri luftën me grekët. Në të vërtetë qenë grekët ata që çuan në fillimin e luftës, por duke pasur parasysh rrethanat, konflikti ishte i pashmangshëm.

Grekët thërrasin në ndihmë magjarët

Dhe vjen momenti kur në skenë dalin për herë të parë magjarët, ndërkohë që historia, sipas autorit të librit në fjalë, sugjeron se:
Gjithsesi, Simeoni i Bullgarisë e mundi perandorin bizantin, i cili iu kthye traditës së lashtë të bizantinëve për të thirrur një popull tjetër të egër nga përtej Danubit, duke e vënë atë kundër armikut të tyre të përbashkët. Këta të huaj, të tunduar nga ari dhe nga plaçka e kushtueshme e luftës, pushtuan Bullgarinë nga Veriu, duke i çliruar grekët prej ankthit. Populli për të cilin po flasim quhet magjar dhe përbënte një grup tjetër nomadësh mongolë, të cilët po migronin nga tokat pjellore në Veri të Kaspikut, për në tokat pjellore në Veri të Detit të Zi.
Autori vë në dukje, më pas, fare qartë, faktin e ndikimit magjar në fatet e Perandorisë Bullgare, të Gadishullit të Ballkanit, të Perandorisë Bizantine, e sidomos "meritën" e tyre për t‘u bërë thuajse rastësisht, një pengesë natyrore e pakalueshme për bashkimin e popujve sllavë në një territor të pandërprerë gjeografik, gjë e cila, me siguri, më pas do të kishte rezultuar me krijimin e një perandorie të madhe sllave, me shtrirje të stërmadhe në territore, duke pasur parasysh këtu elementët më të shumtë që i bashkonin këta popuj, pavarësisht rivalitetit e skizmës fetare që ishte vënë re prej kohësh te ta.
Për shumë vite me radhë, thekson autori, magjarët zaptuan Bullgarinë dhe ishin kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për shtetin e Simeonit. Por këtu u paraqit një mundësi e mirë, të cilën Simeoni e shfrytëzoi menjëherë në favor të tij, për t‘i hequr qafe pushtuesit (895). Duke krijuar aleancë me një popull tjetër barbar, që ishte armik i magjarëve, Simeoni sulmoi dhe shkatërroi egërsisht kampin magjar pranë lumit Prut. Në këtë mënyrë, magjarët u larguan nga Deti i Zi dhe u vendosën në fushën pjellore, ku më parë qenë vendosur hunët dhe avarët. Kështu, ata e lanë të qetë Simeonin, duke parapëlqyer ta eksportonin terrorin e tyre në rajonet e buta të Italisë dhe Gjermanisë. Duke qenë nën ndikimin e vazhdueshëm gjerman dhe sllav, magjarët u evropianizuan, duke krijuar kështu shtetin e Hungarisë në Danubin e Mesëm. Shteti i ri magjar ose hungarez, që shtrihet përtej kufirit verior të Ballkanit, do të kishte ndikim edhe në politikën e gadishullit.

Veçoritë e hungarezëve

Në fakt, ky ndikim, edhe sipas autorit, do të shihet më qartë në periudha të mëvonshme, kur hungarezët do të bëheshin faktorë dhe aktorë të ngjarjeve më të rëndësishme historike në rajon e më gjerë, por duke iu referuar sërish Schevill, do të ishte mirë të nxirrnim në pah dy përgjithësime historike mbi magjarët, të cilat në një mënyrë apo në një tjetër, rezultojnë të njohura për shumëkënd që pretendon se e njeh sadopak historinë e rajonit apo të kontinentit tonë. Kështu, ia vlen të përmendet fakti se: Magjarët qenë aziatikët e parë, të cilët u vendosën përfundimisht në Evropë dhe ruajtën të folurën dhe organizimin e tyre politik deri në ditët e sotme. Natyrisht që magjarët morën shumë elemente indoevropiane dhe sot janë një popull indoevropian dhe me një qytetërim të tillë: por qëndron në këmbë fakti se ndryshe nga bullgarët, ata "morën, por nuk ndërruan". Përgjithësimi i dytë lidhet me ndikimin e tmerrshëm (sipas autorit) historik që patën magjarët në fatin e sllavëve. Duke krijuar një shtet në luginën e Danubit, magjarët u vendosën ndërmjet sllavëve të Jugut e atyre të Veriut (çekëve e polakëve). Në këtë mënyrë, nuk u bë kurrë i mundur bashkimi i dy grupimeve të sllavëve në një masë të vetme. Kështu, shteti hungarez është dhe do të mbetet edhe më tej, shkak i moskrijimit të një perandorie të madhe sllave me shtrirje nga Deti Baltik dhe lumi Vistula, deri në Detin Adriatik e Egje.

Kërcënimi magjar

Këta të huaj, të tunduar nga ari dhe nga plaçka e kushtueshme e luftës, pushtuan Bullgarinë nga Veriu, duke i çliruar grekët prej ankthit. Populli për të cilin po flasim, quhet magjar dhe përbënte një grup tjetër nomadësh mongolë, të cilët po migronin nga tokat pjellore në Veri të Kaspikut, për në tokat pjellore në Veri të Detit të Zi

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›