E Diel, 1 Nëntor 2026

Një letër për Gilman Bakallin

Bashkë nuk njihemi. Unë jam një bashkëvuajtës i babait tuaj të nderuar, Etem Bakalli. Kemi vuajtur së bashku nëpër kampet e tmerrshme të diktaturës komuniste. Ishim fare të rinj. Por kishim një ideal të lartë. Ky ishte qëndrimi ynë karshi regjimit komunist. Megjithë shtypjen e egër që ushtrohej mbi ne, përsëri ruanim dinjitetin tonë.  Për këtë ishim krenarë.
    Vitet kaluan. Ne u takuam përsëri, këtë herë në radhët e Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë Demokratë, ku unë dhe babai yt i nderuar ishim anëtarë të kryesisë së saj. Të dy kishim tendencë që kjo shoqatë të arrinte majat më të larta. Donim që ajo të ngrihej mbi baza demokratike. Donim që ajo të vihej në shërbim të shtresës që përfaqësonte. Dhe këtij qëllimi ia arritëm.
Por fati nuk deshte që ne të vazhdonim rrugën tonë siç e kishim parashikuar. Unë sot vazhdoj të jetoj, ndërsa babai yt ka udhëtuar në botën e qetësisë së përjetshme. Kam pritur me vite me radhë që i biri i tij të vinte në shoqatë dhe të vazhdonte rrugën e të atit. Por kjo nuk ndodhi. Ju nuk erdhët asnjëherë dhe, siç më duket mua, nëqoftëse nuk e kam gabim, ju e harruat shoqatën ku bënte pjesë babai juaj.
    Megjithatë ne nuk të harruam. Ne u gëzuam kur ti u zgjodhe në organin më të lartë të vendit, në Kuvendin e Shqipërisë. Prisnim që prej teje të dëgjonim zërin tonë. Por edhe kjo nuk ndodhi. Biri i Etem Bakallit, luftëtarit të paepur kundër komunizmit, nuk u ndie fare në seancat e ndryshme të këtij kuvendi të madh.
    Megjithatë nuk donim ta besonim një gjë të tillë. Kur ju deklaruar shkëputjen nga grupi parlamentar i PD-së, e përshëndeta aktin - megjithëse nuk më erdhi mirë, që ju u shkëputët nga formacioni politik që ju bëri deputet - pasi mendoja se, në fund të fundit, ju kishit një qëndrim të pavarur dhe se ne nuk kishim të drejtë t’i kundërviheshim këtij vendimi.
Por ditët kaluan dhe unë kam ndjekur çdo hap të lëvizjes tuaj. Pikërisht për këto dua të bëj vërejtjet e mia, pavarësisht nëse ju do i merrni parasysh apo jo. Unë jam miku i babait tuaj dhe nuk dua që ju t’i keqkuptoni ato.
Nuk dua të flas për reagimin tuaj ndaj heqjes së antenave të televizionit Top Chanell dhe raste të tjera të ngjashme. Shkrimi im e ka synimin në vendimin tuaj të fundit për t’u bashkuar me anarkistin Spartak Ngjela në të ashtuquajturën parti të tij. Më lejoni t’ju pyes: Çfarë ju lidh juve me të? A e keni pyetur ndonjëherë veten  se, po të kishte qenë gjallë yt atë, a do ta kishte miratuar zgjedhjen tuaj për të qenë një anëtar i partisë së tij? Me sa e njihja unë karakterin e babait tuaj, pasi e provova në ato vite të rënda burgu, po ju them se kjo nuk do të kishte ngjarë kurrë. Nuk do të kishte ngjarë, pasi Etem Bakalli nuk mund të pajtohej kurrë me mendimet e një pinjolli të një familjeje komuniste që mbante në ndërgjegjen e tij idealet e një ideologjie të perënduar.
Mund të shkruaj faqe e faqe të tëra për këtë problem, por nuk dua të zgjatem. Është e drejta juaj të zgjidhni. Në rast se doni të merrni mbi vete turpin e braktisjes së shtresës nga e cila rridhni, atëhere vazhdoni të qëndroni me pinjollin e regjimit që i përgatiti  varrin babait tuaj. Në të kundërt shkëputuni prej tij, sa nuk është vonë, se kështu do të nderoni veten dhe familjen tuaj.
Është në moralin tuaj të zgjidhni! Në rast se doni të bisedoni me mua do të më gjeni çdo ditë pranë Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, në Zyrat e ish Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Spartak Ngjelës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›