Edhe kryeparlamentari uron

Kryeparlamentari I Kosovës, Jakup Krasniqi, iu uron Vitin e Ri, të gjithë qytetarëve kudo që ndodheni, pa dallim përkatësie etnike, besimi a partie, gjinie a moshe.
“Kanë mbetur edhe pak orë të vitit jubilar 2012, i cili na krijoi emocione, na nxiti t'i kujtojmë dhe t'i bëjmë bilancet e 100 vjetëve të fundit. Në këto çaste gëzimi e hareje nuk kemi sesi të mos kujtojmë flijimin dhe sakrificën mbinjerëzore të popullit tonë për liri, kulmuar me luftën e fundit çlirimtare dhe komandantin legjendar Adem Jashari, interesi i vetëm i të cilëve ishte Kosova e Lirë e Pavarur dhe Demokratike”, thuhet në urimin e tij.
Me tutje në urim thuhet se sot po e mbyllim një vit përpjekjeje e zhvillimi aq sa lejuan rrethanat dhe po hyjmë në Vitin e Ri me objektiva të reja, duke pasur parasysh potencialet e shumta njerëzore e natyrore, ndaj besoj thellësisht që 2013-ta do të sjellë më shumë rritje ekonomike, më shumë vende pune dhe më shumë mirëqenie e lumturi në familjet tona.
“Me mbështetjen tuaj qytetarë të nderuar, institucionet tona do ta kenë forcën e duhur për të shtrirë sundimin e rendit e të ligjit në çdo cep të Republikës sonë, për të ecur më shpejt dhe më sigurt drejt integrimeve Euroatlantike”, thuhet në urim./Indeksonline/