Edhe kur firmos marrëveshjen, Rama mendon prishjen e konsensusit

Në Bruksel është zbardhur e gjithë tentativa për të fshehur bllokimin e procesit të integrimit me deklarata përdëllese për konsensus. Megjithatë, sapo doli nga takimi me komisionarin Fyle, Edvini theksoi se ishte i bindur se në fillim të vitit marrëveshja do të prishej, pasi ajo do të kthehej në një kurth politik
Me gjithë investimin e gjithanshëm, që Edi Rama të ulej në një tryezë për disa minuta në Bruksel me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Stefan Fyle, nga ajo tryeza ai u ngrit “skeptik”.
Pavarësisht se çfarë u tha në tryezën e djeshme në Bruksel, në ëprfundim të saj, të paktën nga ato që tha Edi Rama, u konfirmua sjellja dhe qëndrimi i tij me dy standarde, e thënë ndryshe si “Haxhi pishmani”.
Është fakt, me një histori të hershme, se Edi Rama, të tjera thotë e premton te restorant “Crocodile” në Strasburg dhe të tjera thotë dhe (s’)bën kur kthehet në Tiranë. Po ashtu, sikurse të tjera thotë e merr përsipër në Bruksel në tryezën me Stefan Fylen dhe të tjera thotë sapo del nga takimi me Komisionerin për Zgjerim të BE-së.
Duke lënë pas krahëve, “sa hap e mbyll sytë”, këshillën miqësore të Stefan Fyles për
“përqafim të agjendës europiane dhe të kthimit të saj në një agjendë kombëtare”, Edi Rama doli nga ai takim i djeshëm, me asgjë më shumë se mendtë e tija. Kjo do të thotë, se ndërsa çfarë nuk ka bërë deri dje, për tu dukur “një çun i mirë, i mbarë dhe i dëgjueshëm”, menjëherë, sa pa u ndarë mirë me Komisionerin për Zgjerim të BE-s, filloi të hedhë vicklat e radhës, duke i shtuar zhargonit të tij politik termin “skeptik”.
Me sjelljen dhe qëndrimin e tij të djeshëm, të njohur për dyfytyrësi, Edi Rama demonstroi në mënyrë të përsëritur, se është “pro” integrimit dhe reformave integruese “sa për sy e faqe të tjerëve”, qofshin këta kongresmenë socialistë, apo edhe ndërkombëtarë, dashamirës ndaj Shqipërisë.
Në këtë sjellje dy(pa)fytyrësie, kreu i PS-së, e (keq)përdor konsensusin për kapital politik. E ndërsa një pjesë të këtij kapital “e korri” në kongresin më të fundit të partisë të cilën e ka marrë dhe e mban peng të tekave të tija, me këtë mendje bleu edhe udhëtimin dhe takimin e djeshëm në Bruksel. Ndërsa mbetet për tu parë se a e “korri” dje në Bruksel pjesën tjetër të kapitalit politik të pretenduar, gjasat në fakt nuk të lënë aspak mundësi të besohet se ia ka arritur qëllimit të shumëdëshiruar.
I njohur si personi, ndoshta i vetëm (pa futur këtu Taulant Ballën e Ditmir Bushatin), që nuk i intereson fryma konsensulae për reforma, sepse nuk i intereson integrimi i Shqipërisë në Europë, Edi Rama paralajmëroi dje me “skepticizmin” e tij, prishjen e konsensusit (fytyra e dytë e tij), duke marrë përsipër kështu meritën e profetit, me paragjykimin për “futjen në kurth”, paragjykim që është pjesë e sindromës së tij, pse nuk është i aftë të fitojë asnjë palë zgjedhje.