Me fitimet e “Kurbanit”, Edi Rama po mendon të blejë shtëpi
Edi Rama po promovon librin e tij “Kurban” në disa qytete të Shqipërisë, dhe së shpejti ka programuar me ca miq për të eksportuar në Prishtinë. Promovimet janë bërë kryesisht në salla të mbyllura të grup-seksioneve të rretheve, ku propaganda dhe tryezat janë të organizuara prej socialistëve lokalë. Kryetari i Partisë Socialiste, në vend që të flasë për programin politik, social dhe ekonomik të PS-së, po korr suksese në shitjen e sprovës së fundit publicistike. Kudo që shkon Rama pretendon se në këtë libër mbizotëron e vërteta. Domethënë e vërteta e marrëdhënieve të tij me politikën, politikanët dhe me ngjarjet e ndryshme. Mirëpo historitë e shumë personazheve të cilët Rama i rrëfen në libër shprehet se kanë një kujtesë tjetër, të kundërt, dhe disa prej tyre kundërshtojnë cilësimet dhe “të vërtetat” e shkruara në këtë ese të gjatë, të lodhshme, të gënjeshtërt. Rrëfehet në libër një ish-Kryebashkiak dhe një kryetar partie pa asnjë cen, pa shtëpi, dhe pse ka dhënë leje ndërtimi për qindra pallate. Ai ngjan si një përzierje e karakterit të Migjenit dhe Lej Fenit, djalosh i ri, intelektual, i varfër, socialist i virgjër e komunist modest, afër teorive ndriçuese të Mao Ce Dunit dhe larg pazareve të pushtetit, i devotshëm, modest, misionar me logjikën e Kalit të Trojës të së Mirës në Kështjellën e se Keqes etj. “Kurbani” është një libër i ngjashëm me kapituj të “Mein Kampf-it” i A. Hitlerit, me citate të “ Librit te kuq” të Maos, me propagandën e cekës si tek “Letër Partitë” e Leninit, etj. Këto libra kanë qëllimin për të dhënë një imazh të pastër, pa asnjë ciflosje dhe me “heroizma” të përditshme, siç është rasti i fragmentit të mos-prishjes së Shtëpisë tek lumi i Lanës pse ishin në gjak, por ligji ishte një për të gjithë. Ky patetizëm infantil shoqëron për dore qindra reshta. Edi Rama shkruan “kurbanin” si kujtesë vetjake, por e shet për kujtesë kolektive, ose të paktën do ta trafikojë të shkuarën si heroizëm. Gjithçka të jep idenë se kemi të bëjmë me një operacion retushimi të foto-realitetit, të manipulim-stimulimi konstant të së kaluarës për të sunduar të tashmen dhe sulmuar të ardhmen. Në një pikë ai duket gjithë patos teksa revoltohet për kinse “vjedhjet e votës”, por heq nga Kurbani faktin e pamohueshëm të grabitjes së votës në vitin 2003, ku përballë kishte Spartak Ngjelën, që çirrej për padrejtësi. Janë të paharrueshme ca kujtime.
Edi Rama është socialisti më afarist, pas Fatos Nanos. Përkundër këtij të parit, Edi Rama shet jo vetëm “Kurbanin” në anëtarësi, por dhe shpirtin duke thënë të pavërteta, që njerëzit i kanë fiksuar e peshuara mirë në kujtesë. Çdo kapitull, çdo rresht, çdo fjalë të këtij libri janë bërë kurban për karrierën e Ramës. Anëtarësia e PS-së, sipas shifrave të PS-së, është goxha e madhe. Dhe po të mendosh urinë e militantëve për t’u droguar me dozat e urrejtjes së kryetarit për të kundërshtarët do shtojë shitjet e mallit 10 mijë lekë do t’i fryjën jo pak kuletën dhe xhepat e autorit. Kësisoj ai ka dhe mundësinë për të vënë ca para mënjanë për të blerë një shtëpi të tij. Meqenëse formalisht, dhe e thekson në libër, që është pashtëpi, dhe jeton me qira.
Ai është i vetmi kryetar Partie në Botë pa shtëpi. Edhe pse ka qenë për 11 vjet kryetari i Bashkisë Tiranë: më e madhja në vend, që buxhetin vjetor e ka rreth 50 milion dollarë. Njihet emrat e ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë, që sot vozisin me makina të shtrenjta, kanë lokale luksoze, para, bizhu, dhe prona, kurse shefi i drejtorëve ka qëndruar stoik, i virgjër, me duart të pastra në mes e pluhurit të beton-armesë që mbushi kryeqytetin me pallate shumë katërshe. Si duket Rama duart i ka pasur në xhep, me brekushet me astarë të shpuar.
L.Lita