E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe librat në krizë

Kriza ekonomike, kryefjala e këtij viti, nuk ka kursyer as titujt e rinj në tregun e librit. Ndihej dhe dihej, por dje u konfirmua zyrtarisht prej Petrit Ymerit, kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë. Në një konferencë për shtyp, që i paraprin çeljes së panairit mbarëkombëtar të librit, "Tirana 2009", i cili do të zhvillohet nga data 12 deri më 19 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, Ymeri ka deklaruar se këtë vit nuk mund të mohohet mungesa e librave të rinj. "Ka një tkurrje në titujt e rinj që dalin. Është një mungesë që për fat të keq ka të bëjë me të gjithë situatën ekonomike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën. Kriza globale ka ndikuar edhe te ne. Është e vërtetë se gjatë këtij viti ka botime reja më të pakta në shtyp, por kjo vjen për faktin se tregu ka qenë më i dobët dhe blerësit kanë qenë më pak të pranishëm nëpër librari", thotë ai. Më tej, lidhur me këtë çështje, Petrit Ymeri ka shtuar se mungesa, e cila vjen për shkak të uljes së fuqisë blerëse, ka ndikuar shumë në promovimin dhe në botimin e librave të rinj në prag të panairit të këtij librit. "Shumica e botuesve janë përgatitur që titujt e rinj t‘i hedhin në treg gjatë ditëve të panairit, ndoshta edhe pas tij. Ata do të jenë tituj të rëndësishëm të autorëve të rëndësishëm", vijon kryetari i SHBSH-së. E megjithëse e pranon mungesën e librave, ai komenton më tej se deklaratën mbi mungesën e botimeve të reja për vitin 2009 nuk mund ta mbështesë në shifra të sakta, "por mungesa është e dukshme megjithatë", duke vijuar më tej se pavarësisht të gjithave, kjo nuk pritet të ndikojë në panair. Mungesa megjithatë ndihet edhe në pjesëmarrjen e shtëpive botuese në "Tirana 2009". Prej organizatorëve është konfirmuar se do të marrin pjesë 100 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Italia e Greqia, ndërsa pritet ende konfirmimi i një shtëpie botuese nga Rusia dhe një nga Izraeli. Këtë vit është ulur ndjeshëm numri i shtëpive botuese pjesëmarrëse, nëse do të bëhej një krahasim me vitin e shkuar, ku morën pjesë plot 160 shtëpi botuese jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, por edhe nga India, Irani, Kroacia, Italia etj. Në deklaratën e tij para mediave, Petrit Ymeri tha se disa prej botuesve të vitit të kaluar nuk do të jenë në edicionin e 12-të të panairit të librit, duke nxituar të shtojë se gjithsesi edhe kjo mungesë nuk mund të quhet një krizë që dëmton në uljen e cilësisë apo ritmin e punës botuese. Ndër të tjera, organizatorët bëjnë me dije se ende nuk ka një kalendar të saktë të promovimeve dhe takimeve me shkrimtarët që do të mbahen gjatë panairit, por secili prej botuesve do të promovojë veprat më të rëndësishme, kryesisht botime të reja dhe në stendat e tyre do të jenë të pranishëm shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë që ata botojnë. Ashtu sikundër pritet të marrin pjesë edhe përkthyes e ndoshta edhe autorë të veprave të huaja, të cilat kanë ardhur në shqip. Në edicionin e 11-të të panairit të librit, vitin e kaluar, Alberto Bevilacqua, shkrimtari i njohur italian, mori pjesë si i ftuari i nderit. Edhe këtë vit, ky aktivitet i cili konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme kulturore e përvitshme, siç është bërë traditë tanimë, pritet të ketë një të ftuar nderi. Edhe ky është italian. Këtë vit në panair do të jetë i pranishëm Federico Moccia, i cili ka konfirmuar paraprakisht praninë e tij përgjatë ditëve të panairit. Ai është përkthyer në shqip nga shtëpia botuese "Dituria", me dy vëllimet, "Tre metra mbi qiell" (Tre metri sopra i cielo") dhe "Të dëshiroj" ("Ho voglia di te"). Sipas Petrit Ymerit, me ardhjen e këtij shkrimtari në panair do të promovohet edhe një çmim, i cili vjen si risi në këtë edicion të 12-të të panairit të librit. "Miqtë e kulturës" është çmimi i cili jepet për herë të parë dhe që vjen në bashkëpunim me konsullatën shqiptare në rajonin Piemonte të Italisë. Ai vjen në kuadër të bashkëpunimit të mirë mes kulturës shqiptare dhe asaj italiane. Federico Moccia është bir arti. I ati, Giuseppe Moccia, ka qenë skenaristi i parë i kinematografisë shqiptare. Nuk është rastësi që një pjesë e mirë e librave të Federico Moccia-s janë përkthyer në gjuhën e kinematografisë dhe televizionit. Ai vetë ka debutuar si ndihmës regjisor në një bashkëpunim me të atin në vitin 1982, për të vijuar më tej karrierën pas kamerës, duke kaluar në skenarë filmash etj. Si shkrimtar, Moccia debuton në vitin 1992 me romanin e tij të parë, "Tre metra mbi qiell". Duke qenë se nuk gjen asnjë shtëpi botuese për ta përcjellë këtë libër në librari, ai ngre vetë një shtëpi të vogël botuese, duke publikuar pak kopje të këtij libri. E pabesueshme edhe për vetë shkrimtarin. Ato kopje u shitën menjëherë e për shkak të mungesës, filluan të kalonin sa në një dorë në tjetrën. Libri i kushtohej një lexuesi të ri. "Tre metra mbi qiell" kthehet në një rast të përveçëm në letërsinë italiane. Në bazë të këtij libri më vonë xhirohet edhe një film me të njëjtin titull. Në vitin 2006 del romani i dytë, "Të dëshiroj", që është vazhdim i të parit, "Tre metra mbi qiell". Edhe prej tij lind një tjetër film. Krijimtaria e Moccia-s vijon më pas me të tjerë romane. Petrit Ymeri ka vijuar më tej duke përmendur edhe dy çmime të tjera që do të jepen gjatë këtij panairi, siç është çmimin për librin më të mirë të përkthyer, dhe për autorin e librit më të mirë të botuar gjatë këtij vitit. "Qysh tani kanë nisur të propozohen shumë tituj veprash, por ende nuk kemi arritur në një përfundim", tha ai. Ashtu si edhe në edicionet e kaluara, gjatë ditëve të panairit do të dalë në treg dhe një suplement mbi librat dhe autorët pjesëmarrës. Gjatë ditëve të panairit do të zhvillohen takimet midis autorëve, botuesve dhe lexuesve, do të ketë prezantime të librave të rinj, debate mbi problemet e librit dhe mjaft tema të tjera me rëndësi për të ardhmen e kulturës së librit në vendin tonë. Organizimi i kësaj veprimtarie mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Bashkia e Tiranës dhe Pallati i Kongreseve. Qëllimi kryesor i organizimit të kësaj veprimtarie, që prej vitit 1997, kur është organizuar për herë të parë ky panair, mbetet ekspozimi dhe bërja publike në mënyrë sa më të gjerë të botimeve shqiptare, kryesisht atyre të kohëve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›