E Diel, 1 Nëntor 2026

"Luftëtari ballkanik", kapen 2.8 tonë kokainë

Në kuadrin e zhvillimit të një operacioni policor ndërkombëtar me emrin kod "Luftëtari ballkanik" në Amerikën Latine, në portin Santiago Vaskez të Uruguait, në derdhje të lumit Santa Lusia, 25 kilometra nga kryeqyteti Montevideo, këto ditë policia vendase, në bashkëpunim me kolegët e tyre latino-amerikanë, amerikanë dhe serbë, konfiskoi një sasi kokaine prej 2.8 tonësh në jahtin "Maui", që lundronte me flamur anglez dhe i cili po e transportonte sasinë e madhe të drogës drejt një anijeje transoqeanike që si destinacion të saj përfundimtar kishte Europën Perëndimore. Stacioni televiziv uruguaian "Kanali 10" njoftoi se u arrestuan organizatorët kryesorë të transportit të drogës, Zhelko Vujanoviç, Marko Vortoviç dhe Nikolla Pavloviç, tre serbë me pasaporta polake. Operacioni policor, i quajtur sa më sipër për shkak të "pistës" ballkanike, u zhvillua në të njëjtën kohë në tre kontinente, shkruan nga ana e saj gazeta uruguaiane "El Observator" e Montevideos, sipas së cilës vlera e kokainës ishte 120 milionë euro, ndërsa vlera e shitjes në tregun e vendeve europianoperëndimore rreth 250 milionë euro.

Media argjentinase, nga ana e saj, bënte të ditur këto ditë se grupi i narko-dilerëve me tre serbët në krye kishte hyrë në Uruguai nga Argjentina gjatë muajit gusht 2009, kur policia e atjeshme filloi ndjekjen dhe përgjimin e pjesëtarëve të grupit, të cilët kishin marrë me qira disa apartamente luksoze në Puerto Madera dhe Belgrano, lagjen më elegante të Buenos Ajresit, kishin blerë disa makina xhip "Ford" dhe një jaht luksoz me një çmim prej 265 000 dollarësh për transportimin e kokainës. Nga përgjimi i pjesëtarëve të grupit kontrabandist të lartpërmendur që komunikonin njëri me tjetrin me telefona satelitorë, rezulton se një sasi e madhe tjetër kokaine po transportohej me një jaht tjetër, "Bond", në kërkim të të cilit është vënë policia, shkruan media argjentinase, sipas së cilës kokaina në Uruguai ishte sjellë nga Kolumbia dhe Argjentina. Një kilogramë kokaine e pastër në Uruguai kushton rreth 7 000 dollarë, ndërsa në Europën Perëndimore çmimi i kësaj sasie (1 kg) arrin deri në 50 mijë dollarë! Kurse në Kolumbi, nga kishte ardhur kokaina, 1 kilogram i saj mezi arrin 1000 dollarë.

Marko Nicoviç, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Asociacionit Policor Ndërkombëtar për Drogën me seli në Nju Jork, të cilit i referohet shtypi serb, tha se kontrabandën e kësaj dërgese të madhe kokaine e kishin organizuar dhe e kishin porositur narko-bosët e Ballkanit, më konkretisht ata nga Serbia, Kroacia, Shqipëria dhe Rusia. "Bosët e mëdhenj të kontrabandës së drogës tri-katër herë në vit porosisin sasi të mëdha kokaine nga Amerika e Jugut, por duke qenë se në portet e Spanjës, Francës, Italisë, Holandës dhe Gjermanisë kontrollet janë rigoroze, kontrabandistët e transportojnë drogën në vende ballkanike, si Kroaci, Mal të Zi dhe Shqipëri, nga ku shpërndarja vazhdon më tej", thotë Nicoviç.

m.s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›