E Shtunë, 31 Tetor 2026

Federico Moccia: Kush jam...

Të rrëfehesh është të tejkalosh veten. Pastaj t‘ua thuash të tjerëve, pa u pozicionuar, vetëm me dëshirën për t‘u njohur e për të ndarë bashkë diçka. Kush jam... pyetje e vështirë. Pyetje e bukur. Unë jam fjalët që dua, historitë që tregoj, miqtë e mi më të ngushtë që më shoqërojnë në këtë jetë. Jam në ngjyrat e një luleje që rritet kryeneçe buzë një rruge të asfaltuar. Jetoj brenda në qiell, kur perëndimi lyhet me portokalli, gjithnjë i ndryshëm, gjithnjë vetvetja. Jam në tablotë që pikturoj, në penën që përdor kur shkruaj, në një dhuratë të vogël që zgjedh për të bërë një surprizë. Jam ngrohtësia e ëmbël e një pulovre dimri dhe lirshmëria e një bluze vere, në diellin e nxehtë të gushtit. E gjej veten në faqet e shkrimtarëve që dua, në fotogramat e një filmi që më mallëngjen. Humbas në sytë e atyre që dua dhe e gjej veten në sytë e atyre që më bëjnë të buzëqesh dhe që di të qeshë me veten. Janë ato që dua: miqësia dhe ndershmëria, vetmia dhe shoqëria mes miqsh, heshtja dhe shpërthimi i papritur i një të qeshure... Të flas pa thënë gjë, sepse sytë kanë rrëfyer gjithçka... Të notoj në det: në atë të kripurin në verë dhe në atë të turbulluarin dhe të ëmbël të ndjenjave. Mendoj se njerëzit janë dallgë: as fitimtarë dhe as humbës. Vetëm dallgë, që më çojnë tutje, më tërheqin, më shtyjnë dhe më ngrenë lart. Dhe nuk e di asnjëherë se në cilin plazh do të më çojnë. Secili prej njerëzve që takoj është një dallgë tek e cila zhytem me kënaqësi. Dhe më pëlqen kush ëndërron, kush buzëqesh, kush jeton dhe nuk mbijeton, kush nuk humbet besimin, kush mendon që një perëndim nuk është një fund, por një fillim. Dhe e gjithë kjo nuk ka të bëjë me moshën. E dashuroj kureshtjen kur është dëshirë për të njohur dhe jo ndërhyrje diku. Jam kureshtar "si një grua", më thonë ndonjëherë miqtë. Dhe unë qesh. Por besoj se kureshtja është e bukur, e megjithatë, nuk i përket vetëm një kategorie... E dua të qenit i rritur sot, sepse është fryt i djaloshit që isha dje. Që ka provuar dhimbje, gëzim, vetmi, zhgënjim, dëshirë për të reaguar, shpresë. Asnjë nuk të dëgjon nëse nuk je i besueshëm. Dhe je i besueshëm kur nuk e fsheh universin tënd. I dua drithërimat që më përshkojnë kur dikush e gjen veten në atë që shkruaj. K. Gibran pohonte se "domethënia e një burri nuk kërkohet në atë që ai arrin, por në atë që dëshiron të arrijë". Dhe unë besoj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›