E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta kundër marrëveshjes së kufirit

Banorët e fshatit Debëllde në Kosovë kanë protestuar kundër marrëveshjes kufitare të nënshkruar mes Kosovës dhe Maqedonisë, një pakt që i hapi rrugën marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Nuk bëhet fjalë për 2500 hektarë tokë, por për 22 hektarë, e cila i kalon Maqedonisë. Banorët e fshatit Debëllde kundërshtojnë kalimin e tokave të tyre në anën maqedonase dhe kanë paralajmëruar se kurrë nuk do ta falin atë zonë. Në parrugat e tyre ata kanë kritikuar deputetët kosovarë që miratuan marrëveshjen. Protestuesit i bënë thirrje qeverisë së Kosovës, të shqyrtojë kërkesat e banorëve për kthimin e pronave dhe kompensim të tyre, pasi nuk i kanë shfrytëzuar ato për nëntë vite me radhë. Ata kanë kërcënuar se do të ashpërsojnë veprimet e tyre dhe nuk do të mbajnë përgjegjësi për atë që mund të ndodhë.

Banorët thonë se Kodra e Furës është një pikë strategjike nga e cila mund të shohësh tre qytete, Kumanovën, Gjilanin por edhe Preshevën. Në fakt për të shkuar në Kodrën e Furës është pothuajse e pamundur për shkak të rrugës së keqe. Kjo është dhe arsyeja që për nëntë vite që nga lufta, tokat e fshatarëve të Debëlldesë nuk janë punuar. Një tjetër qëndrim vjen nga komisioni kosovar për përcaktimin e vijës kufitare. Sipas këtij komisioni, Kosova nuk ka falur asnjë centimetër tokë. Autoritetet kosovare këmbëngulin se nga demarkacioni kanë fituar të dyja shtetet dhe kjo është një çështje e madhe strategjike që duhej zgjidhur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›