E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe me Limajn në paraburgim, PDK vazhdon zgjedhjet

Partia Demokratike e Kosovës, do të vazhdojë zgjedhjet e brendshme edhe pse njëri nga anëtarët e saj, gjegjësisht nënkryetari i cili ka një rol të rëndësishëm në parti, Fatmir Limaj, ndodhet në paraburgim një mujor.

Ndërsa deri tani, askush nga Partia Demokratike nuk ka reaguar lidhur me vendimin e mbrëmshëm të Gjykatës Supreme të Kosovës, e cila caktoi masën e paraburgimit për 30 ditë për Limajn dhe tre bashkëluftëtarëve të tij.

Zyrtari përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në PDK, Basri Musmurati, ka thënë për Indeksonline se zgjedhjet e brendshme të PDK-së do të vazhdojnë.

“Ne akoma nuk jemi mbledhë, sepse njerëzit kanë qenë të shpërndarë dhe paraburgimi ka ndodhë mbrëmë, ndërsa ne ndoshta do të mblidhemi nesër. Këto nuk janë zgjedhje individuale, sepse janë të partisë dhe ka shumë degë dhe nëndegë në të cilat veçse kanë filluar zgjedhjet dhe se do të vazhdojnë”, ka thënë Musmurati.

Ditë më parë një trup gjykues i përbërë nga tre gjyqtarë të EULEX-it dhe dy gjyqtarë vendas , i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën Supreme, e ka kthyer në rigjykim lëndën kundër Fatmir Limajt dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e ashtuquajtur Kleçka./D.H/Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›