Edhe në SHBA janë certifikuar fitues zgjedhjesh presidenciale me votën e 4 gjyqtarëve
Intervista e Shefes së Misionit Vëzhgues të ODIHR-it, Conny McCormack: “S’do ndërhyjmë për KQZ-në - deri më tani s’ka probleme të organizimit të procesit zgjedhor”
Shefja e misionit të ODIHR Conny McCormack, nuk e sheh si një gjë të jashtëzakonshme hyrjen në zgjedhje me 4 anëtarë në KQZ, dhe certifikimin e rezultatit nga Kolegji Zgjedhor. Në prononcim për mediat, McCormack kujton zgjedhjet presidenciale në Amerikë, ku ishte gjykata ajo që shpalli fituesin. Ndaj ligjërisht kjo është e mundshme edhe në Shqipëri. "Çdo palë zgjedhje janë të ndryshme. Në vitin 2000 në Amerikë në vendin tim kishim një situatë ku presidenti nuk u shpall për 36 ditë rresht. Gjykata e Lartë e vendosi këtë me 4 vota. Pra ja ku është një precedent. Ishte dramatike për SHBA, por ndodhin në të gjithë botën zgjedhje me diference të ngushtë. Raste të tilla duhet të zgjidhen diku. Është mirë të zgjidhen ashtu siç e parashikon ligji, që të vendoset fituesi. Por nëse kjo është e pamundur, nuk është e paprecedent që të zgjidhet në një tjetër nivel", theksoi McCormack. Padyshim që ligjshmëria e vendimeve të Komisionit të cunguar Zgjedhor, do të jetë pjesë e komenteve të ODIHR në raportet tij, por McCormack thekson se nuk ka ndërmend të ndikojë në plotësimin ose jo të KQZ-së. "Është jashtë kornizës ligjore të parashikuar, madje edhe jashtë mundësisë së KQZ, për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve me vetëm katër anëtarë. Nëse shkohet në Kolegjin Zgjedhor, ky do të jetë tërësisht një aspekt tjetër i zgjedhjeve e ne do të na duhet ta vëzhgojmë. Në këtë pikë ne qartesisht nuk mund të ndikojmë në mënyrën e konstituimit të KQZ, madje as po përpiqemi ta bëjmë këtë. Por do ta komentojmë çështjen e ligjshmërisë së saj. Patjetër që do ta bëjmë", tha McCormack. Kreu i ODIHR komenton dhe vonesat në numërimin e votave. Të tolerueshme sipas saj, në rast se procesi është transparent. "Çështje kyçe për ne si ODIHR dhe për popullin shqiptar është vëzhgimi dhe transparenca e procesit. Qartësisht çdo gjë duhet të përfundojë brenda afateve, por shpesh kjo gjë nuk ndodh. Për aq kohë sa procesi është i hapur ndaj vëzhguesve dhe ata nuk pengohen të jenë aty, qoftë të huaj qoftë vendas, nëse gjithçka është e monitoruar, deri në detaje, përfshirë edhe transmetimin e rezultateve, koha e shpalljes së tyre nuk është edhe aq e rëndësishme. Vetëm nëse nuk është i hapur numërimi, vonesat do të përbënin shqetësim" - tha McCormack. Ekipi bazë i ODIHR me 30 vëzhgues afatgjatë, do të qëndrojë në Shqipëri deri në 9 korrik, për të pritur numërimin dhe shqyrtimin e ankesave. Në ditët në vijim do të vijnë dhe vëzhguesit afat shkurtër që do të shpërndahen në të gjithë qendrat e votimit.