Edhe në rrugët e reja këmbësorët sërish jetimë?!
Nga Petraq Floku
Nuk e di në do vi ndonjëherë ai moment dhe ajo kohë që ne dhe drejtuesit tanë të punojmë me mend, përgjegjësi dhe me ndërgjegje në investime të tilla publike ku, paaftësia apo neglizhenca, e qëllimshme apo e paqëllimshme qoftë ajo, kushton jetë njerëzish.
Është krejt e pakonceptueshme, madje e pafalshme dhe e dënueshme që në investimet infrastrukturore, veç mangësive të tjera që cenojnë mirëmbajtjen dhe jetëgjatësinë e rrugës, të injorojmë ekzistencën normale të trotuareve, dhe pikërisht në ato vende ku ata janë absolutisht të domosdoshëm. E them këtë nisur nga fakti se, punët e nxituara dhe ato që bëhen për bujë apo për përfitimin e çfarëdolloj kredoje tjetër dhe që rëndom synojnë të grumbullojnë fatura mirënjohjeje të çastit, zakonisht përfundojnë në investime problematike dhe me dyfishin e kostos, po të llogarisim dhe domosdoshmërinë e ndërhyrjes për ta normalizuar gjendjen. Dhe kjo ndodh pikërisht në rrugë të tilla lagjeje, të cilat realisht po marrin një tjetër status, sepse fluksi i qarkullimit sa vjen e shtohet dhe bëhet më intensiv dhe dyert e shtëpive prej nga dalin në rrugë familjarët, fëmijë e të moshuar, i ndan prej saj dhe rrezikut që ajo paraqet, vetëm një hap. Distancat dhe raportet mes rrugës, shtëpive dhe të ashtuquajturave trotuare, nuk plotësojnë dhe nuk kryejnë as minimalisht funksionin për të cilin është investuar.
Vetëm pak ditë më parë kalova në rrugën e posa asfaltuar Endi Keko. Më pëlqeu veshja me gurë dekorativë e faqeve të bordurave anësore, por gjithashtu më la të kuptoja që sdo ndërhyhej më në përmirësimin parametrave të saj, ose e thënë më qartë, në zgjerimin e trotuareve. E bukur rruga për makinat, por këmbësorët sërish prapa listës si Lipe Shtogu. Qarkullimi i makinave në të dy kahet e rrugës, nuk të krijonte absolutisht asnjë mundësi lëvizjeje si këmbësor, pa ndaluar ose pa u larguar nga rruga automjetet. Pra ose duhej të prisje sa të kalonte e të mbaronte vargani me makina dhe pastaj të hidhje me frikë një hap nga trotuari në rrugë e anasjelltas, ose si një i hallexhi i mëshiruar, prisje pak respekt nga ndonjë drejtues i rastit për të bërë lëvizjen e radhës. Edhe ai një gisht kapso trotuar që ishte, vende-vende zihej i tëri nga kuadrate të mbjella me pemë. Domethënë: Ishte menduar për makina e mjete të tjera motorike, për pemë e bordura të dekoruara, po ristrukturohej e përmirësohej dhe sistemi ajror i kabllove multi funksionale; vetëm për këmbësorët e gjorë se kishte vrarë njeri rradaken. Ata, (këmbësorët) për veten e tyre pa rrugë ishin dhe pa rrugë mbetën, si para edhe pas asfaltimit, ndonëse do preferonin më shumë një rrugë të pashtruar, ndaj një rruge që ju rrezikonte jetën, thjesht dhe vetëm për neglizhenca kronike dhe qëndrime diletante të pajustifikueshme. Ky është tek ne Paradoksi i përjetshëm i marrëdhënies Rrugë-Trotuar.
Shqetësim tjetër, i kthyer tashmë në një gangrenë jetëgjatë, praktikisht vulgar dhe masakrues për njerëzit, është fenomeni i çarjeve dhe prerjeve të rrugëve për kanalizime apo punime nëntokësore, pasi ato janë asfaltuar, duke harruar faktin rrëqethës që ajo sharë zëçjerrë, veç asfaltit sharron dhe xhepat tanë që kanë derdhur miliona për asfaltimin e asaj rruge. Mbetesh pa fjalë, mpihesh e sju beson syve kur papritur ndeshesh me një tjetër pamje nga ajo e një dite më parë të atij segmenti rrugor që e bën gati çdo ditë, tek shikon kryq e tërthor rrugës masakrën e radhës, me sharrime metrash të tëra asfalti të ri, që ende nxjerr avull të nxehtë. Të listosh emrat e atyre rrugëve që kanë një fat të tillë, nuk do mjaftonte një faqe gazete. Dhe kjo ndodh anembanë vendit: në rrugë fshati e qyteti, si në ato kryesore dhe në ato dytësore, në rrugë lagjesh, zonash turistike, etj. etj. Sepse ne përgjithësisht i nisim punët nga fundi për të ardhur në krye, duke u kujtuar ashtu si të na vijë për momentin, duke prishur të porsa ndërtuarën e duke u kujtuar më pas se diçka tjetër i mungon kësaj rruge, ndaj hajt ta sharrojmë rishtas. Një herë për telekomin, tjetër herë për kanalizimet, pastaj për…për…dhe rruga bëhet më torturuese se çishte para asfaltimit të saj. Jo vetëm kaq, por dhe pasi kanë mbaruar këto punë të radhitura nga koka këmbët, indiferentizmi për ti dhënë rrugës normalitetin minimal, mbetet i pakonceptueshëm. Askush smban përgjegjësi për sistemimin estetik dhe cilësor të saj. Secila palë mbyll hallet e veta, duke ju lënë qytetarëve hallin më të madh: baltën në dimër dhe pluhurin mbytës në verë. Dhe pse që në momentin e parë dihet fare mirë se çi duhet një rruge, njihen parametrat e saj, radha e proceseve të punës dhe domosdoshmëria e të qenit korrekt në zbatimin e kësaj procedure, ende vazhdohet me parimin: ndërto sot e prish nesër. Nuk di çtë them nëse programohen dhe koordinohen veprimet mes investitorëve të zërave të ndryshëm, dhe nëse po, çpo ndodh, pse dhe ku qëndron problemi i këtyre anomalive me kosto materiale, shëndetësore, kulturore dhe sa larg është fundi i tyre?! Nuk po arrijmë ti gëzohemi një rruge të re deri në fund. Sapo vijëzohet bukur me të bardhë e me sinjalistikë moderne, ja behin punëtorët jelekverdhë me kazma e lopata dhe gjithçka kthehet në pikën e nisjes. Do ishte shumë më mirë të bëhej siç thotë populli, pak e saktë qoftë dhe pak më shtruar, se sa hyxhym o burra se tani na erdhi kokoveja dhe hajt të gjejmë furrikun ta lëshojmë, paçka që bie në gur e thyhet. Gjithsesi kostot dhe faturat janë tonat, spaletat i marrin të tjerët edhe kur ata duhen ndëshkuar.