Edhe në vitin 2005 Berisha premtoi 250 mijë vende pune (epo këto tetë vite nuk ka qenë në pushtet)
Sikur të mos ishte në pushtet prej tetë vitesh, kryeministri Sali Berisha premton të njëjtën gjë që kishte premtuar edhe tetë vite më parë, kur ishte në opozitë.
Gazeta Shqip ka marrë në shqyrtim deklaratat e Berishës në vitin 2005 dhe tani në vitin 2013.
Në projektin e saj për ndryshim, mazhoranca e re dhe qeveria e saj synojnë të krijojnë mundësi për punësim të çdo shqiptari. Papunësia, veçanërisht afatgjatë dhe e pashpresë, si urbane dhe rurale, e veçanërisht në nivelet alarmante të saj mes brezit të ri, trashëguar nga qeverisjet socialiste, përbën një kërcënim serioz social dhe një barrierë për zhvillimin e vendit. Papunësia dhe mungesa e shpresës për punë është një nga faktorët kryesorë të eksodit masiv emigrator të shqiptarëve, do të shprehej Berisha 8 vite më parë.
Ndërsa në Konventën e Demokratëve për Punësimin të zhvilluar pak ditë më parë, Kryeministri Berisha, tha se punësimi është shtylla kryesore e programit të PD-së në katër vitet e ardhshme. Punësimi e pagat më të mira janë qëllimi më madhor i çdo reforme të programit të PD-së. Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e punësimit për gjithë shqiptarët.
Por si është e vërteta?
Sipas të dhënave të vetë INSTAT, që i manipulon sipas orekseve të Berishës, në fund të mandatit të parë, numri i të punësuarve kishte rënë nga 932 mijë në 900 mijë. 250 mijë vendet e punës nuk ishin askund.
Ndërkohë, gjërat u përkeqësuan edhe më shumë në mandatin e dytë, që është një nga më të vështirët sa i përket pikëpamjes ekonomike. Këto katër vite në Shqipëri humbën edhe 51 mijë vende të tjera pune, ashtu siç e pranonte vetë INSTAT, përpara se të detyrohej të ndryshonte shifrat./ep