E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një dënim i përjetshëm

Gjykata në Francë dënoi të enjten mbrëma me burg të përjetshëm militantin venezuelas, Ilich Ramirez Sanchez. Carlos the Jackal, nofka me të cilën Ramirez njihet në botë, u shpall fajtor për organizimin e sulmeve terroriste në Francë.

Pak para mesnatës, mes të enjtes dhe të premtes, paneli special gjyqësor i Pallatit të Drejtësisë, në Paris, solli aktvendimin se 62-vjeçari Ramirez ishte organizatori kryesor i sulmeve me bomba në Francë, si pasojë e të cilave u vranë 11 dhe u plagosën mbi 100 persona. Deri në përfundim të gjykimit gjashtë javor Ramirez mbeti këmbëngulës në pohimin se ishte e pafajshëm. Kur të enjten pasdite u pyet nëse kishte për të thënë diçka në mbrojtje të tij, Ramirez foli plotë pesë orë, duke përshkruar veten si “një të përvuajtur të gjallë” dhe njeri të pafajshëm.

Gjatë adresimit të tij, Ramirez foli për tema të shumta, përfshirë rënien e bashkëluftëtarëve të tij, shtetin sionist, pasaportën sovjetike, hashashin dhe dënimin me vdekje. Gjatë gjykimit ai shpesh përshëndeste publikun në sallë, duke ngritur grushtin lartë, ose duke i dërguar puthje. Lavdëronte ish-diktatorin rumun, Nicholae Causescu, sepse “arriti të shlyente borxhin shtetëror”, lexonte dedikimin kushtuar Muammer Gaddafit, ndërsa Osama Bin Ladenin e përshkruante si “njeri të madh”.

Terroristi dikur më i kërkuar në botë, i cili vetveten e përshkruan si “revolverit elitar”, ndodhet në burg në Francë që nga vitit 1994, pasi që agjentët francezë e rrëmbyen në Sudan. Dënimi i parë me burg të përjetshëm iu shqiptua më 1997, kur u shpall fajtor për vrasjen e dy policëve francezë dhe të informatorit të tyre më 1975, pasi ata i kishin trokitur në derën e strehimores së tij në Paris.

Më shumë se tre vjet më herët, Gjykata parisiene e Apelit vendosi që Ramirez duhet të gjykohet para Tribunalit Antiterrorist, për një sërë sulmesh spektakolare me bomba në Paris, mes viteve 1982 dhe 1983. Prokurorët pohojnë se bombat që eksploduan nën trena, në stacione apo parkingje veturash ishin hakmarrje e Ramirez për arrestimin e anëtarëve të bandës së tij, në mesin e të cilëve ishte edhe dashnorja e tij.

Një prej avokateve të Ramirez gjatë gjykimit ishte dhe Isabelle Coutant-Peyre (58) me të cilën ai ishte martuar në vitin 2001, përmes një ceremonie joformale islamike.

Ndryshe, gjatë vitit 1967 Ramirez formoi Organizatën e revolucionarëve Ndërkombëtarë, synim i së cilës ishte “mobilizimi i revolucionarëve në nivel botëror për çlirimin e Palestinës dhe lufta kundër imperializmit dhe forcave sioniste, kudo që ndodhen”.

I pyetur njëherë se përse organizata e tij asokohe kurrë nuk ndërmori asnjë sulm ushtarak, Carlos kishte pranuar se anëtarët e saj “takoheshin në kafenenë Sorbone, ku bisedonin dhe thithnin hashash”.

Përveç Ramirez, gjykata dënoi në mungesë me burg të përjetshëm edhe dy bashkëpunëtorët e tij, palestinezin Kamal al-Issawi dhe gjermanin Johannes Weinrich, përderisa Christa Margot Frohlichu lirua nga akuzat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›