Vdekja e Gaddafit, krim lufte?

Pas raportimit para Këshillit të Sigurimit të OKB’së, Okampo u tha gazetarëve se i ka dërguar një letër liderit të Këshillit Kombëtar Kalimtar të Libisë, në të cilën kërkon sqarim të planeve qeveritare për hetimin e krimeve të luftës të kryera nga të gjitha palët, përfshirë edhe kryengritësit.
Kjo deklaratë e kryeprokurorit erdhi vetëm një ditë pas publikimit të lajmit se vajza e Gaddafit, Aisha, ka kërkuar nga GJNP hetimin e vrasjes së babait dhe vëllait të saj.
Sipas Reuters, në letër thuhet se Moammer Gaddafi dhe i biri i tij, Moutasem, “janë vrarë në mënyrën më të tmerrshme, ndërsa trupat e tyre pastaj janë shfaqur në publik të dhunuar barbarisht, dhe në kundërshtim me ligjet islamike”.
"Pamjet e barbarisë janë shfaqur në gjithë botën, gjë që te klientja ime ka shkaktuar shqetësim serioz emocional”, thuhet në letrën e avokatit të Aisha Gaddafit, Nick Kaufman.