E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një kosovar në Cannes

‘Out of the Woods’ është filmi i metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji të regjisorit kosovar Bledar Bujupi, që po merr pjesë në Festivalin e Filmit në Cannes. Filmi është duke u shfaqur në Cannes Court Metrage/Short Film Corner.

Përpos zyrtarëve të Qendrës Kinematografike të Kosovës, në Festivalin e Filmit në Cannes po marrin pjesë edhe dy regjisorë kosovarë. Jasmin Rexhepi dhe Bledar Bujupi janë dy regjisorë të rinj që po i shfaqin filmat e tyre në këtë festival. Por asnjëri nuk ka shkuar atje drejt nga Kosova. I pari ka mbërritur nga Islanda ndërsa i dyti nga Britania e Madhe. Për të parin kemi shkruar më herët, ndërsa se kush është Bledar Bujupi dhe me çfarë filmi po merr pjesë në Cannes mund të mësoni tani.

“Out of the Woods” është filmi i metrazhit të shkurtër me skenar dhe regji të Bujupit që po shfaqet në Cannes Court Metrage/Short Film Corner.

Para se të shkojë në Cannes, filmi i Bujupit gjatë këtij viti është shfaqur në London Independent Film Festival, The BUFVC Learning on Screen Awards 2012, në British Film Institute, dhe është vlerësuar nga kritikët si film me tematikë të veçantë problemore.

Bujupi tregon se ngjarja e filmit zhvillohet në ditët e sotme në territorin e Mbretërisë së Bashkuar dhe përshkruan ngjarjen se çfarë ndodh pas një grabitjeje të armatosur në mes të grupit kriminal, duke u shtjelluar dhe kuptimi i përgjegjësisë morale.

Filmi flet për një grup të grabitësve, të cilët vendosin të ndajnë prenë e fundit në një pyll përbri liqenit. I ndarë nga grupi i grabitësve, njëri nga ta vërehet nga një djalosh 10 vjeçar. Dhe kur grabitësi vëren djaloshin ta ketë parë armën e tij, vendos që me djaloshin të bëjë një marrëveshje sekrete që për pasojë do të ketë veprime kërcënuese me vdekje.

Në këtë projekt rolin kryesor e luan aktori i njohur anglez Christopher Dane, i cili ka fituar çmimin ‘Best Actor’ në London Independent Film Festival me filmin e metrazhit të gjatë ‘Being Sold’ të regjisorit Phil Hawkins.

Në këtë film inkuadrohet dhe aktori tjetër i njohur, Mark Sheals, i cili luan në filmin e ri të regjisorit të famshëm anglez Guy Ritchie, “Sherlock Holmes: A Game of Shadows”.

Bujupi tregon se muzika origjinale e filmit është krijuar nga kompozitori i njohur anglez Richard Bodgers, i cili njihet për punën e tij në shumë filma dhe reklama televizive në Mbretërinë e Bashkuar. Ndërsa, post-produksioni është udhëhequr nga vet regjisori. Efektet speciale dhe Audio Mix/Zëri, janë kryer nga Space Digital VFX dhe Sumner Post Production House.

Për ta bërë këtë film, Bujupi është frymëzuar nga një fotografi e Luftës së Dytë Botërore.

“Inspirimi për shkrimin e skenarit ka ardhur duke parë foto të Luftës së Dytë Botërore ku ushtari aleat u ofron fëmijëve çokollata me lajthi. Kjo pamje do të nxis pyetjen: po sikur fëmija te jetë alergjik në lajthi? Veprimi bamirës i ushtarit mund të ketë një përfundim fatal për fëmijën”, u shpreh Bujupi, i cili gjashtë vite më parë filloi të punojë si montazher dhe regjisor në industrinë e filmit në Mbretërinë e Bashkuar. I diplomuar për regji filmi dhe montazh në Universitetin John Moors Liverpool University, Bujupi ka udhëhequr dhe montuar projekte filmike për klientë si Gillete, Castrol Oil, BBC, BMW Motorsports, Ernest & Young, Regatta, MTV NY, The Guardian dhe shumë të tjerë.

Bujupi tregon se është duke e përgatitur një skenar për film të metrazhit të gjatë.

“Ne proces është përfundimi i një skenari me metrazh të gjatë me temë nga Kosova, i cili do të xhirohet në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa post produksioni do të punohet në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ai.

‘Out of the Woods’ është filmi i dytë i metrazhit të shkurtër i këtij regjisori. Me projektin paraprak, ‘The Last Unicorn’, Bujupi ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, përfshirë edhe Festivalin e Filmit ‘Dokufest’, në të cilin ka marrë pjesë vitin e kaluar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›