E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një teatër për Tiranën

10 milionë lekë, 120 vende, 5 dhoma aktorësh me emrat e Robert Ndrenikës, Bujar Lakos, Agim Qiriaqit, Bexhet Nelkut e Kujtim Spahivoglit. Teatri Metropolit përuron skenën me veprën "Kopshti i Vishnjave".


Mjaft më me skena borxh. Teatri i Metropolit u dha fund dje varavingove të produksioneve që s'kishin një teatër të vetin. Aty ku dje ishte skena e Estradës, më në fund u përpurua mbrëmë skena e Teatrit të Metropolit për të cilin Drejtori i Qendrës Kulturore Tirana, Kiço Londo, ka tre vjet që e promovon.

Me "Kopshtin e Vishjnave" të Çehovit me regji të Londos bëhet hapja zyrtare e teatrit të kryeqytetit, nën varësi të Bashkisë së Tiranës.


Londo nuk do të presë shirit në hyrje të portës apo të skenës së re. Në Indinë e largët është porositur një gong ku do të godasë nesër aktori rumun Ion Horia Leonida Caramitru duke hapur kështu Teatrin e Metropolit.


Po nesër, 4 prill, në orën 21:00 aktorët Eni Jani, Alban Krasniqi, Loredana Gjeci, Roland Saro, Bledar Naska, Adriana Tolka, Devis Muka, Esela Pysqyli janë të parët që interpretojnë në skenën e saporikonstruktuar.


Hapësira që i është lënë në dispozicion skenës është e vogël, përballë audiencës 120 vendëshe. Drejtori Londo shpjegon se ky nuk është modeli tradicional i skenave të teatrit klasik. Sipas tij, aty ku janë vendosur karriget në shfaqjen tjetër mund të vendoset skena dhe anasjelltas. Është e pajisur me dyer nga të gjitha anët kështu aktorët do të kenë mundësi të hyjnë nga të gjitha drejtimet.


Prapa skenës janë dhomat e aktorëve. Korridore, kthina, banja të ngjyera në të kuqe. Në hyrje të secilës dhomë është vendosur emri i një personaliteti të skenës së teatrit në Shqipëri, por që në një mënyrë apo një tjetër është i lidhur me Teatrin e Metropolit.
E para është dhoma "Robert Ndrenika".

Në murin përballë është vendosur një portet i madh i aktorit në komedinë e Shekspirit, "Nata e 12". Në perden e kuqe në dritare shkruhet një nga frazat e personazhit: "...Lidhëset e verdha të lidhura kryq....". Më tej me të njëjtin model vijon dhoma e aktorit Bujar Lako, Agim Qiriaqi, Bexhet Nelku e Kujtim Spahivogli.

Ky i fundit në vitin 1972 krijoi teatrin e të rinjve në Akademinë e Arteve, por që shumë shpejt do të goditej nga Pleniumi i Katërt që i mori frymën përfundimisht edhe atij pak liberalizimi që ishte krijuar deri atëherë në art dhe kulturë. Në perden e dhomës që mban emrin e tij shkruhet: "Të jesh a të mos jesh".


Vetëm një dhomë mban emrin e një gruaje, të një prej aktoreve të para të teatrit Afërdita Taçi.


I gjithë ky investim ka kushtuar 10 milionë lekë.
Ndonëse këtë të shtunë Teatri i Metropolit hapet zyrtarisht si institucion aty ende vazhdohet të punohet.

Në anën tjetër të skenës (ku nuk duket asgjë nga skenografia e "Kopshtit të Vishnjave") ka filluar puna për ndërtimin e një skene tjetër, skenës së komedisë. Kapaciteti i së cilës në përfundim do të jetë rreth 300 vende dhe do të jetë në funksion të shfaqjeve të komedisë.


Aktorët shqiptarë nuk janë nderuar vetëm duke u vënë emrin dhomave të aktorëve. Përgjatë shkallëve që të çojnë në skenë janë vendosur portrete të atyre që kanë marrë pjesë në veprat e vëna në skenë nga TM.

Në një vend të dukshëm, në fillim të shkallëve, gjendet edhe fotografia e drejtoreshës së Teatrit të Metropolit, Adelina Muça, në rolin e Angjelikës, tek komedia "George Dandin".


Drejtori Londo ende pa u përuruar Teatri i Metropolit zbulon edhe një tjerë aktivitet. Konkursin e Regjisorëve të rinj.

Londo shpjegon se konkursi nuk do të rivalizojë Teatrin Kombëtar, por do të jetë një mundësi me tepër për artistët e rinj. Të gjithë regjisorët pjesëmarrës do të venë në skenë të njëjtën pjesë, me aktorë të ndryshëm.


Bis për bagetën e Nikolayev-it


Sonte në orën 19.00 në skenën e Akademisë së Arteve, për të tretën herë dirigjenti Leonid Nikolayev që vjen nga Rusia, drejton orkestrën e RTSH në koncert me violonçelistin Aristidh Prosi. Në program "Uverturë -Vilhelm Tel" nga G.Rossini, Koncert Nr.1 nga D.Shostakovich dhe nga Tchaikovsky "Arrëthyesin".



Të hënat nën diell


E premtja e filmit spanjoll vijon sot në orën 19.00 tek kinemaja e Akademisë "Marubi", me "Të hënat nën diell". Kjo vepër e regjisorit Fernando Leon de Aranoa trajton jetët e pesë burrave të papunë që jetojnë me familjet e tyre në një qytet industrial në Spanjë. Çdo ditë e tyre është e diel. Filmi është prodhim i vitit 2002, zgjat 113 min.

Ditët e fundit e "Filumenës"


Historia që Eduardo de Filippo shkroi për gruan e quajtur Filumena Marturano, e cila prostituoi për bukë të gojës që një ditë tjetër të ishte nënë dhe bashkëshorte, në Napolin e pas Luftës së Dytë, shfaqet edhe këtë javë, 4-5 prill në Teatrin Kombëtar. Yllka Mujo, Bujar Asqeriu, Tinka Kurti etj, nën regjinë e Albert Mingës.

Beniamini që s'mund të ndalë kohën


Një burrë me pamjen e një 80-vjeçari që nuk mund të ndalë kohën. "The Curious Case of Benjamin Button" filmi i përshtatur nga historia e vitit 1920 të shkruar nga F. Scott Fitzgerald, fitues i 3 çmimeve Oscar, nga sot në Kinema Millenium. Aktorët Brad Pitt, Cate Blanchett, Julia Ormond, Tilda Sëinton në dramën komike të regjisorit David Fincher.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›