E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në nënstacion, gjysma e Tiranës në terr

TIRANË - Një zjarr i rënë në nënstacionin e Uzinës së Traktorëve gjatë orëve të para të mëngjesit, ka lënë pa energji për rreth 15 orë gjysmën e kryqytetit dhe një pjesë të fshatrave përrreth. Qyteti Studenti, lagjia "Ali Demi", Uzina e Traktorit, zona e Porcelanit, Rruga "Budi", Sanatoriumi dhe e gjithë Komuna e Farkës u gdhinë mëngjesin e djeshëm pa energji elektrike.

Burime zyrtare pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, bëjnë të ditur se shkak i defektit ka qenë një zjarr i rënë në orët e para të mëngjesit, i cili ka dëmtuar rëndë disa fidera të linjave 20 KV dhe 6 KV.

OSSH-ja bën me dije se menjëherë pas zjarrit, të gjitha brigadat e punës i janë drejtuar vendit të ngjarjes, për të bërë të mundur riparimin e dëmeve dhe rikthimin e energjisë në të gjithë zonat. drejtori i Linjave të Tensionit të Lartë, Admirim Lakra pohoi se situata paraqitje mjaft e rëndë, por ajo do t'i rikthehej normalitetit.

Energjia është rikthyer në zonat e prekura, vetëm në orët e vona të mbrëmjes. Ky është një rast i rrallë, ku mungesa e energjisë paralizon një pjesë të mirë të lagjeve të Tiranës, pasi defektet e herëve të tjera janë shkaktuar kryesisht si pasojë e motit të keq, apo të ngarkesës së madhe të linjave dhe janë riparuar në kohë.

Një rast i ngjashëm me këtë të djeshmin, ka ndodhur dy vite më parë, kur një avari e ngjashme la pa energji elektrike qendrën e kryeqytetit dhe lagjet përreth tij.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›