E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe njëherë për amendamentet kushtetuese…

I dashur Muçi!

Të falënderoj shumë që, me shkrimin e djeshëm më dhe edhe njëherë mundësinë të sqaroj disi më mirë ndryshimet kushtetuese, që sapo ndodhën. Dua ta filloj sqarimin tim me atë që e kishe lënë në fund të shkrimit, me procesin legjislativ. E thashë edhe në intervistën e pardjeshme dhe po e përsëris, se ne kemi nevojë për një proces legjislativ të hapur dhe pjesëmarrës. Jam i bindur në këtë sentencë, sepse duke u marrë me ligjet në këtë vend, i ndjej çdo ditë efektet negative të kësaj mangësia që ka ligjbërja jonë. Nga ana tjetër, unë vazhdoj të mos bie dakord me faktin që gjithmonë gurguletë publike bëhen kur nuk është një politikan apo një parti (në këtë rast LSI dhe Meta), që nuk janë të interesuar për atë që ti dhe unë jemi të interesuar, pra PROCESIN. Besoj e mban mend se si para një viti Meta ra squk e bashkë me të edhe shumica e analistëve. Kjo gjë nuk më ka pëlqyer as atëherë e as tani. Dola në media edhe kundër partisë sime dhe denoncova pikërisht mungesën e procesit për një ndryshim shumë bajat të Kushtetutës së vendit.

Tani pas një viti nuk mund të them se pati ndonjë përmirësim të dukshëm procesi, por së paku ajo për çfarë mund të flitet është produkti. Këtë herë, besoj e kupton, flitet për ndryshime të rëndësishme që kanë të bëjnë me sistemin politik të këtij vendi. Ashtu si ju, në gjithë këto vite edhe unë jam pajtuar me konkluzionin se kemi një klasë politike të kalbur, të papërgjegjshme dhe mbi të gjitha jopërfaqësuese. Kjo politikë e kalbur duhet të ketë një fund i dashur Muçi, sepse na e shpifi. Nuk ka sesi të mos jesh dakord me faktin se Parlamenti i Dushkut nuk siguron përfaqësim, por dështim. Dhe Dushku, miku im, duhej shporrur. Kjo ka qenë kryearsyeja jonë në PS që e bëmë objektiv tonin (deri në një pjesë të mirë të rrugës edhe me partitë e tjera të opozitës) ndryshimin e sistemit zgjedhor, si mjetin e parë të rëndësishëm në reformimin e klasës politike në këtë vend. Se, më beso, tash 18 vjet nuk kemi lënë reformë e ligj pa bërë e zhbërë, por ajo që nuk kemi bërë është reformimi i vetë politikës, kthimi i saj në normalitet, sipas asaj që vendosin shqiptarët dhe jo dushkarët. Ne e arritëm këtë objektiv dhe tani thjesht na duhet të ndërtojmë detajet se si ky sistem do të funksionojë konkretisht.

Tani më lejo të sqaroj disa gjëra që, sipas meje, më duken se janë të paqarta ende. Së pari; dua të sqaroj se teknikisht ndryshimet kushtetuese ishin të pashmangshme, sepse të gjithë kishim rënë dakord që Dushku duhej hequr. Mirëpo, bashkë me vendosjen e një sistemi të ri zgjedhor, gjithashtu po teknikisht lindi nevoja për disa ndryshime, procedurale (e theksoj këtë), që kanë për synim gjetjen e zgjidhjeve institucionale në rast krizash politike, që për fat i kemi pasur me shumicë këto vite. Pikërisht, me këto ndryshime, Ju nuk bini dakord, sipas meje kot fare, sepse analiza Juaj abstragon shumë nga disa të vërteta të hidhura që kanë ndodhur në këtë vend (sigurisht jo për faj të Kushtetutës).

Pikë së pari më duhet të të sqaroj se për sa i takon çështjes së zgjedhjes së Presidentit, konkluzioni që arrini se atij (Presidentit) i pakësohen kompetencat, nuk është aspak i vërtetë. Asgjë nuk është prekur në kompetencat e Presidentit. Qëllimi i vërtetë i ndryshimit të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit ka qenë dekorrelimi ndërmjet moszgjedhjes së Presidentit me shpërndarjen e Kuvendit, që për hir të së vërtetës ishte shumë i sforcuar në Kushtetutë dhe tensiononte fare pa shkak politikën në vend. Më lejo të të sjell në vëmendje se edhe ashtu siç e kishim, neni 87 në fund fare, pra pas tre palë zgjedhjesh, Presidenti zgjidhej po me shumicë të thjeshtë. Me këtë që është bërë thjesht është hequr mundësia të shkatërrohet shteti tri herë rresht vetëm, për shkak të pozicioneve absurde që mund të marrin partitë tona për hir të interesave të ditës. Ti e di mirë se ç‘janë në gjendje të bëjnë këto parti apo jo? Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë se nuk mendoj se zgjedhja e Presidentit me 3/5 dhe as zgjedhja e tij nga populli do të na sigurojë një President apolitik apo UFO POLITIK, siç preferohet shumë nga ju të medias. Kjo nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si e drejton shtetin individi që zgjidhet si President. Ne kemi modelin e "të fortit" Berisha që ra po me forcë, ashtu siç kemi modelin Meidani që u harrua që ditën e parë të Presidencës së tij, ashtu edhe modelin Moisiu, që u largua me nder (nuk po flas për Topin, sepse duhet edhe pak kohë për ta parë). Jam i sigurt se askush nuk e mban mend se me ç‘shumicë u zgjodhi, të gjithëve u mbahet mend produkti. Ka diçka që është shumë e rëndësishme: Shkarkimi i Presidentit nuk është prekur nga amendamentet. Kjo do të thotë se duhen 2/3 e votave, plus një qerre me rregulla procedurale për të shkarkuar Presidentin. Prandaj më vjen keq të konstatoj se edhe konkluzioni yt, që amendimet u bënë për të goditur Presidentin aktual, nuk qëndron.

Sa i takon çështjes së Kryeministrit të fortë, më duhet të të them se vazhdoj të jem i mendimit se qeverisja duhet të jetë e fortë dhe e mandatuar nga populli dhe jo nga mazhorancat fluide në Kuvend. Dëmet më të mëdha shtetit dhe shoqërisë i vijnë nga qeverisjet hibride (me Xhuvelin e të tjerët), sesa nga qeverisja e fortë politikisht. Ju shprehni frikën se qeverisjet e forta janë abuziviste, aksiomë që nuk ua hedh dot poshtë detyrimisht. Por më duhet të të sjell në vëmendje se abuzivizmi nuk ulet nga aleancat fluide në Kuvend. Sepse për fatin e keq, fluidoistët luftojnë për të qenë vetë në krye të abuzimit dhe jo për të ndihmuar demokracinë. Besoj se ashtu si dhe unë, edhe ti di shumë raste të tilla.

Unë i qëndroj besnik mendimit që Kryeministri dhe qeveria kur dështojnë, duhet t‘i ndëshkojë vota popullore dhe jo vota e aleancave fluide. Ashtu siç e kishim nenin 104, Kryeministri ishte thjesht një vartës politik i çdo deputeti, për një tender të jepte votën, për të mos thënë ndonjë gjë tjetër. Ne sot, i dashur Muçi, nuk qeverisemi nga një këshill ministrash, por nga një këshill kryeministrash, sepse çdo ministër mjafton të ketë 3 deputetë me vete dhe është shumë më i mbrojtur se sa vetë Kryeministri. Po të garantoj se shembuj nga më ekstremet ekzistojnë në praktikën tonë për këtë gjë. Kjo është absurde apo jo. Edhe Kryeministri Nano dje, edhe Berisha sot, detyrohen të qeverisin me qeveri të cunguara, i pari qeveris me zv/ministra, kurse i dyti është ende pa zv/kryeministër. Në të dyja rastet, nga pikëpamja kushtetuese, qeveritë janë të papërputhshme me nenin 95. Kjo vjen nga fakti se sa herë hapet muhabeti i ministrave në Kuvend, fillojnë pazaret dhe shantazhet. Këtë, i dashur Muçi, nuk e kam dëgjuar në asnjë vend demokratik të botës.

Më duhet të të garantoj se ndryshimet kushtetuese nuk janë të paharmonizuara me pjesën tjetër të Kushtetutës. Ajo që iu konstatoni si përplasje me nenin 96, nuk bie aspak ndesh me logjikën e amendimeve, sepse partia fituese është e tillë, sepse ka shumicën e vendeve në Kuvend. Përndryshe nuk është fituese.

Sa i takon Gërdecit, me vjen keq të konstatoj se kjo çështje përdoret nga analiza gjerësisht sa herë që ka vakum në argumentimin e një gjëje tjetër. Nga kjo grackë nuk ke shpëtuar as ti në arsyetimin tënd. Po të siguroj që për çështjet e reformës zgjedhore ne kemi gati dy vjet që punojmë intensivisht. Pak më lart sqarova se kjo ishte krye objektivi ynë politik. Gërdeci ndodhi për turpin e kësaj qeverie të mbrapshtë që kemi mbi krye dhe këtë s‘ka "Gërdec" që e kthen mbrapsht. E keqja e kësaj pune është se ne kemi në kokë modelin "Berisha" të të bërit opozitë, i cili në një rast të ngjashëm do ta kishte bërë Kryeministrinë Gërdec. Fakti që Rama nuk ka zgjedhur të bëjë të njëjtën gjë, nuk besoj se çon në konkluzionin se ka rënë në ujdi me Berishën!? Është e pastudiuar mirë teza e "shkëmbimit në natyrë", sepse nuk ka se ç‘të shkëmbehet. Reforma zgjedhore u bë, sepse për fat të mirë, të dyja palët janë "të bindura" se fitojnë zgjedhjet. Zaten kështu bëhen punët në këtë vend me një Kryeministër si Berisha. Se kush do t‘i fitojë zgjedhjet me të vërtetë duhet të presim ditën e zgjedhjeve. Kështu funksionon demokracia, apo jo?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›