E Shtunë, 31 Tetor 2026

Begirishtajn: Revolucion, edhe në rast finaleje

Zërat për një revolucion në radhët e Barcelonës kanë gjetur mbështetje edhe nga drejtori teknik i skuadrës katalanase, Çiki Begirishtajn. Ky i fundit ka saktësuar se këto ndryshime ishin menduar prej kohësh, edhe nëse ekipi do të arrinte të shkonte në finalen e Ligës së Kampioneve. Nuk bëhet fjalë vetëm për lojtarë, por edhe për trajnerin Rajkard, i cili do të drejtojë ndeshjet e tij të fundit në stolin e skuadrës, deri në mbylljen e kampionatit spanjoll. Begirishtajn ka konfirmuar në një intervistë të dhënë për "Barça Tv", se edhe finalja e Ligës së Kampioneve në Moskë nuk do t‘i evitonte këto ndryshime të rëndësishme në përbërjen e ekipit.

"Është shumë logjike të jesh i zhgënjyer, pasi iu afruam kaq shumë finales. Por prania në finalen e Moskës nuk do të kishte ndryshuar asgjë rreth asaj që ishte vendosur që më parë. Ne nuk improvizojmë në bazë të rezultateve, gjithçka është e përgatitur që më parë. Në fillimin e sezonit, askush nuk vuri në dyshim cilësinë e skuadrës, por është e vërtetë që gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç e prisnim. Në fillimin e edicionit të kaluar, pasi nuk fituam trofe, reaguam menjëherë, duke afruar lojtarë cilësorë, por kjo nuk shërbeu siç e prisnim. Qëllimi ynë është të marrim vendimet e duhura në fund të sezonit aktual për të kthyer përsëri ambiciet në skuadër. Tani u bëjmë thirrje të gjithë lojtarëve për profesionalizëm, krenari dhe përgjigje. Ne kemi një objektiv të qartë: t‘u kujtojmë të gjithëve se kush janë ata që kanë fituar dy kampionate dhe një Ligë Kampionesh. Duhet të kujtojmë triumfet dhe jo disfatat", u shpreh Begirishtajn. Sipas tij, problemi më i madh i Barcelonës gjatë këtij sezoni ka qenë mungesa e golave. "Ne na mungojnë golat. Ka shumë situata që nuk sjellin gola, si mungesa e shpejtësisë në zonë apo gjuajtjet nga larg, por stili ynë i lojës nuk ka krahasim në të gjithë Evropën. Kjo na ka ndihmuar si në kampionat, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke qenë pikë referimi për të tjerët. Rajkard? Ai ka bërë një punë të shkëlqyer, është një njeri i ndershëm dhe është pjesë e klubit. Por të gjithë janë pjesë e fajit, lojtarët, trajnerët dhe stafi teknik. Rajkard duhet të gjejë një rrugë për të mbyllur në mënyrë dinjitoze sezonin. Është koha për të përçuar unitet në skuadër gjatë katër ndeshjeve të fundit të sezonit", deklaroi Begirishtajn.

Mediat spanjolle kanë aluduar se emrat që do të largohen janë Ronaldinjo, Deko, Turam, Zambrota, Gudjonsen, Henri, Markez dhe Dos Santos



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›