E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Ukaj, lidhjet me Thaçin

Mbi pllakën e varrit të Ali Ukës, në fshatin Lumëbardhë në Kosovë, familjarët kanë vendosur mbishkrimin: "Zëdhënësi i parë i UÇK-së". Ai ka qenë i pari gazetar që kishte publikuar emblemën e UÇK-së në faqet e të përditshmeve ku punonte. Po kështu edhe komunikatat e saj. Të bëje një gjë të tillë atëkohë do të thoshte se kishe lidhje të forta me organizatën, që konsiderohej guerile dhe shumë pak njerëz e dinin ekzistencën e saj.

"Është interesuar për zbardhjen e krimit"

Shefqeti, vëllai i gazetarit, i cili në ato vite punonte në "Gazetën Shqiptare" në Tiranë, rrëfen se Aliu kishte lidhje me personin numër një të UÇK-së, i cili në atë kohë mund të njihej në qarqe të caktuara, por ende nuk kishte dalë hapur në skenë. Bëhet fjalë për Hashim Thaçin, Kryeministrin aktual të Kosovës. "Kam dëgjuar se ai është shumë i interesuar që të zbardhet kjo çështje", thotë Shefqeti. Ka një hatërmbetje mes tyre. Nuk ka trokitur kurrë në derën e Thaçit, pasi mendon se ai duhej të kishte trokitur te dera e tyre. "Ne jemi ata që na vranë, ndaj i ka takuar atij të vijë. Nëse do të kishte ndodhur e kundërta, unë do të shkoja i pari", thotë Shefqeti.

"Banonin në një hyrje"

Ai kujton se Aliu dhe Thaçi atëkohë shoqëroheshin bashkë dhe madje banonin në një hyrje. Natën e krimit, lideri i mëvonshëm i UÇK-së është marrë në pyetje nga policia, por më pas është lënë i lirë. Ai është përcjellë të nesërmen për në aeroport dhe është larguar për në Zvicër. "Për këtë ngjarje ka shkruar atë kohë edhe "Washington Post", thotë Shefqeti, i cili tregon se nga ajo gazetë kishin marrë vesh për këtë çështje. "Kam dëgjuar se Thaçi kishte qarë në aeroport. Kishte thënë se më vranë mikun më të mirë (Aliun)", shton Shefqeti.

Pakënaqësia e familjes

Por pakënaqësia e familjes së Ali Ukajt me Kryeministrin aktual të Kosovës qëndron në faktin se ai nuk po e përdor autoritetin e tij për të zbardhur vrasjen e Ali Ukajt, mikut të tij. Nuk e thotë me fjalë, por kuptohet nga shprehja e mimikës dhe fjalët e kursyera, kur u përgjigjet pyetjeve. "Për të gjitha këto, shko më mirë te Thaçi. Ai besoj se flet. Kam dëgjuar se është shumë i interesuar për këtë ngjarje", përsërit herë pas here Shefqeti.

Hetimet private

Duket se familja Ukaj nuk ka qenë e kënaqur me hetimet e kryera në Shqipëri për vrasjen e Aliut. Ndaj familjarët nuk janë ndalur. Ata kanë angazhuar persona, të cilët kanë hetuar rreth krimit. Të gjithë kanë mbledhur shumë dëshmi, të cilat kanë ngecur në një nivel të caktuar. Bëhet fjalë për nivele të larta të shtetit, sipas njerëzve të tij. Shefqeti akuzon për moszbardhjen e rastit ish-prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë. Familjarët tregojnë se janë takuar edhe me Kryeministrin aktual, Sali Berisha, prej të cilit kanë marrë premtimin se "vrasja do të ndriçohet". Dyshimi më i madh i Shefqetit është se krimi makabër ndaj të vëllait 26-vjeçar, Ali Ukaj, është pjesë e bashkëpunimit të shërbimit sekret serb me atë shqiptar. "Mund të jenë dhënë shumë para për kokën e tij", thotë Shefqeti.

Shqetësimi

Gazeta serbe: Ali Ukaj kalon ilegalisht kufirin Shqipëri-Kosovë në Pejë

"Fotoja ime, e publikuar në Beograd"

Një javë para se ta vrisnin, Ali Ukaj i kishte shprehur shqetësimin një mikut të tij, në një nga kafenetë e Tiranës, në lidhje me botimin e një artikulli në një të përditshme serbe. Artikulli jepte informacionin se Ukaj kalonte kufirin Shqipëri-Kosovë në rajonin e Pejës dhe në mënyrë ilegale. Por ajo që e kishte shqetësuar më shumë gazetarin ishte një foto e tij, e publikuar së bashku me artikullin. Fotoja ishte bërë në Tiranë. "Nuk jemi aq të sigurt këtu në Tiranë, siç po mendojmë", i kish thënë Aliu Sylejman Sopës, një person i larguar nga Kosova për shkak të regjimit serb.

"Ishte mjaft i shqetësuar, pasi dikush ia kishte bërë atë foto në një nga lokalet e Tiranës dhe kjo do të thotë se atë po e mbikëqyrnin", tregon Sopa, i cili është një nga personat që Aliu ka pirë kafe për herë të fundit në bar "Nikolino". Atë natë, Aliu kish shkuar aty së bashku me Selmanin, dhe kishin treguar se e kishin përcjellë gruan dhe fëmijët e tij për në Tuz. Selmani i kishte lutur të pinin diçka, por Sopa dhe miku i tij nuk kishin pranuar. Ai për vete kish marrë pije alkoolike. Sopa tregon se Aliu e kishte përmendur Selmanin edhe herë të tjera se i ndihmonte ekonomikisht, pasi ai jetonte në Zvicër. Lajmi që Selman Ukaj ishte personi që akuzohej për vrasje, i kishte shokuar të gjithë. Enigmat rreth vrasjes janë shtuar edhe më tej, pasi emri i gazetarit Ali Ukaj ka rezultuar në dosjen e Remzi Hoxhës, biznesmenit shqiptar nga Maqedonia, i cili është zhdukur. Janë katër punonjës të SHIK-ut që akuzohen për vrasjen e tij dhe Ali Ukaj ishte gazetari i parë që kishte publikuar në shtyp emrat e agjentëve.

Një ditë më parë

Fillimet në politikë dhe lidhjet me UÇK-në

Një ditë më parë, Shefqeti, vëllai i madh, ka treguar për gazetën "Shqip" lidhjet e Aliut me politikën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai kishte filluar të merrej me politikë që në vitet e para të gjimnazit. "Ka qenë i angazhuar me Pajtimin e Gjaqeve, në grupin e Anton Çetës. Kishte rolin e ndërmjetësuesit", tha ai. Ato kohë, Aliu nuk ishte më shumë se 16-17 vjeç dhe ishin pikërisht të rinjtë ata që merreshin me këtë plagë të madhe të Kosovës. Aktivitetet politike i kishte vazhduar më pas në Prishtinë, kur kishte shkuar për studime në fakultet. Aliu kishte hyrë më pas në radhët e Lidhjes Demokratike, pikërisht në Forumin Rinor. Merrej me shpërndarjen e afisheve për bashkimin e popullit dhe rezistencën kundër Serbisë. Qëndrimi i tij në Kosovë, pikërisht për shkak të këtyre veprimtarive, ishte bërë i pamundur, saqë në vitin 1993 ai u detyrua të largohej për në Shqipëri. Forcat serbe, rrëfen i vëllai, për një javë me radhë ushtruan kontrolle dhe bastisën shtëpinë e tyre.

Shefqeti tregoi se mund të shkruhet një roman për veprimtarinë e Aliut. "Ai ka qenë i lidhur që prej fillimit me UÇK-në, ka marrë pjesë në formimin e saj. Në vitin 1992 ka bërë të mundur lirimin e grupit të Sali Çekut nga burgu, pasi kishte dorëzuar fshehurazi mitralozin që kërkonte policia serbe. Shefqeti thotë se i vëllai ka qenë i pari që ka shkruar në mediat e Shqipërisë për ekzistencën e UÇK-së. Në Tiranë, për një periudhë kohe, ka banuar me vëllanë e Ramush Haradinajt, Luanin, dhe me Adrian Krasniqin, që të dy të vrarë nga forcat serbe. Shefqeti rrëfen gjithashtu se edhe Hashim Thaçin, ish-shefin politik të UÇK-së, e kishte pasur shumë mik. Madje, ata kanë banuar fare pranë me apartamente. "Lufta është e pashmangshme", përsëriste shpesh Aliu. Këtë e tregon vëllai i tij i madh, i cili banon në fshatin Lumbardhë.

Akuzat

Faktet e pandriçuara

të vrasjes së Ali Ukajt

Pas vrasjes së gazetarit Ali Ukaj, një sërë akuzash u ngritën se kjo mund të jetë kryer nga SHIK-u i asaj kohe, apo edhe nga shërbimet e fshehta të vendeve të tjera. Megjithatë, këto fakte nuk u ndriçuan ndonjëherë. Një ndër akuzuesit ka qenë edhe Forumi i Mediave të Lira. Por, ende të paqarta mbeten rrethanat e vrasjes dhe ato të pasvrasjes. Gjykata vendosi që autori të mbahej i izoluar në psikiatri, por shumë shpejt ai u largua nga Shqipëria dhe nga të dhënat mësohet se ndodhet në Zvicër. Grupi hetimor ka zbuluar se familjarët e Ali Ukajt kishin tentuar të kontaktonin me të, por nuk ia kanë arritur, pasi, sipas dëshmive, ai është shmangur herë pas here. Ndërkohë, akuzat më të ashpra u bënë në Kosovë, ku pretendohej se vrasja nuk ishte kryer nga personi i dënuar, por edhe për këtë nuk u mor përgjigje ndonjëherë. Gjithashtu, kur u ngrit një komision hetimor në Kuvendin e Shqipërisë për veprimtarinë e SHISH, u deklarua se do të shikohet edhe dosja e gazetarit të vrarë, por edhe në këtë rast nuk u publikua asnjë e dhënë konkrete. Gjithë këto dyshime ende kanë mbetur të pazbardhura, megjithëse mund të ndriçonin vrasjen e gazetarit kosovar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›