Edhe veshja është art

Është cilësuar si shqiptarja që vishet më së bukuri nga mediet. Ajo tashmë posedon edhe një shoqëri konsultimesh për luksin në Washington. Jo vetëm kaq. Aureta Thomollari në një bisedë për Express thotë se së shpejti do dalë edhe me një libër, të cilin e ka ilustruar Sonny Gerasimowicz(drejtor artistik i filmit të Spike Jonze, Where The Wild Things Are).
Na tregoni një cv të Auretës për lexuesit tanë...
Unë jam një sipërmarrëse. Në Washington posedoj një shoqëri konsultimesh për luksin dhe në Los Angeles sapo mbarova së shkruari (së bashku me një bashkë-autor tjetër), një libër për fëmijë, që do të ilustrohet nga Sonny Gerasimowicz (drejtor artistik i filmit të Spike Jonze, Where The Wild Things Are). Gjithashtu jam duke punuar në një projekt për hapjen e një butiku në Malibu.
Kur keni filluar të merreni me modën e shtrenjtë(luksoze)?
Unë kam filluar të koleksionoj veshje që këtu e dhjetë vjet më parë.
Tashmë jeni konsulente për luksin, ishte rrugë e gjatë deri këtu?
Me shumë punë kam arritur një shkollim në Amerikë dhe kam konsoliduar disa aktivitete biznesi.
Jeni cilësuar si vajza që vishet më së bukuri në botë, nga kush jepet ky
titull?
Statusi si "Shqiptarja e veshur më bukur në botë" me është dhënë nga gazetarja dhe publicistja e madhe Dalina Buzi, kur dola në kopertinën e revistës së saj Anabel.
Natyrisht është një nder i madh për mua që vendi im dhe gazetarët shqiptarë njohin dhe vlerësojnë dashurinë që unë kam për modën
Çfarë shpreh për ju mënyra e veshjes?
Veshja është një formë direkte e artit personal, është një lloj shprehje e vetvetes,është një mënyrë komunikimi e gjendjes shpirtërore dhe e pasionit.
Çka është për ju moda, në përgjithësi dhe ajo luksoze në veçanti?
Unë kam qenë në dashuri me modën për aq kohë sa mbaj mend. Mendo, që kur isha fëmijë, vendosja se çfarë do të vishnin prindërit e mi në mbledhjet e prindërve. Ajo lloj ndjesie për stilin besoj se është e lindur dhe vjen natyrshëm. Për mua është një mënyrë komunikimi, duke qenë se moda është gjuha e fateve. Unë adhuroj të komunikoj nëpërmjet ngjyrave, modeleve, tekstileve dhe formave. Përsosmërinë në këtë lloj komunikimi e kam arritur ndër vite, por ka qenë gjithmonë pjesë e imja.
Keni dhe një blog, ku i këshilloni lexuesit. Sa është sfiduese kjo të shkruash dhe të japësh këshilla?
Blogu im www.aureta.net më ka dhënë mundësinë të komunikoj me njerëz rreth e rrotull globit. Më ka dhënë një platformë, ku mund të tregoj pasionin tim për luksin,modën dhe stilin.
Çfarë simbolizojnë në veshje ngjyrat për ty?
Ngjyrat përfaqësojnë ndjesitë e mia. Ato tregojnë mënyrën se si unë ndihem në një ditë të caktuar.
Cila është këshilla jote si të vishemi bukur?
Moda është shprehje e vetvetes. Çdo njeri me çdo lloj kapaciteti monetar mund ta veshë vetën në mënyrë të përkryer. Është e gjitha te mentaliteti dhe besimi në vetvete. Unë do t’i sugjeroja çdo vajze të shikojë për veshje që flasin për identitetin e tyre dhe që do t’i përfaqësonin ato sa më mirë. Në atë mënyrë moda transformohet në diçka artistike dhe personale.
Më e rëndësishme është rehatia në veshje apo dukja?
Unë i konsideroj veshjet gjithmonë si art, rehatia është sekondare për mua.