Punë e vështirë
Skuadrat kosovare do të kenë punë të vështirë edhe sivjet në garat evropiane. Kështu mendojnë njohësit e hendbollit kosovar, të cilët janë pesimistë se ekipet e këtushme mund të arrijnë ndonjë sukses në Evropë.
Ky pesimizëm i tyre lidhet me forcën e kundërshtarëve, por edhe me realitetin e nivelit të hendbollit kosovar si dhe me kushtet e mjerueshme në të cilat gjendet ky sport. Trajneri Tefik Mikushnica pret që klubet tona të kenë fatin e njëjtë si vitin e kaluar.
Ai nuk pret që ndonjëra nga pesë skuadrat pjesëmarrëse, Kastrioti, Besa Famiglia e Prishtina (meshkujt) dhe Kastrioti e Prishtina (femrat), ta arrijnë ndonjë rezultat që vlen të theksohet. Me mundësi ndoshta pak më të mira e sheh ekipin kryeqytetas, i cili do të luajë me ekipin italian SSV Bozen në Kupën e sfiduesve.
“Skuadrat kosovare do të kenë kundërshtarë të fortë, të nivelit të lartë. Sikur vjet, nuk pres ndonjë befasi, ngase niveli i hendbollit kosovar është i ulët. Mungon përgatitja fizike dhe kushtet në përgjithësi, jemi larg skuadrave evropiane. Por, shpresoj të më demantojnë ekipet tona. Vetëm Prishtinën e shoh me gjasa për të kapërcyer në rrethin tjetër, ngase hendbolli italian nuk është sa duhet cilësor”, deklaroi Mikushnica për Express.
I të njëjtit mendim është edhe trajneri Agim Shkodra. Ai ka punuar edhe vetë me ekipet kosovare dhe e ka parë nga afër diferencën me klubet e huaja. Kështu që trajneri kosovar nuk pret ndonjë rezultat nga skuadrat tona.
“Duhet të jemi realistë. Gjendja e vërtetë në hendbollin kosovar është katastrofale, nuk ka kushte për punë, është një ligë mjaft e dobët. Në këto kushte nuk mund të përballemi me skuadra evropiane. Në jetë jam shumë optimist, por në këtë rast jo. Nuk mendoj se ndonjëra nga skuadrat tona do ta kalojë xhiron. Unë kam qenë vetë trajner dhe e kam parë cilësinë e skuadrave evropiane, jemi shumë larg tyre”, thotë Shkodra i cili shpëtim të vetëm për hendbollin kosovar i sheh hendbollistët e rinj, të cilëve shpreson që t’u ofrohen kushte më të mira në të ardhmen.
Ndërsa, trajneri Nexhdet Dobroshi nuk i sheh të gjitha skuadrat pa gjasa. Ai mendon se Prishtina dhe Kastrioti mund të bëjnë diçka, nëse organizohen mirë.
“Mendoj se është një short i vështirë, por jo i pamundur. Klubet kosovare duhet të marrin informata për kundërshtarët, të përforcohen, të përgatiten maksimalisht dhe ta japin maksimumin në fushë, si vendës, ashtu edhe mysafir. Besa Famiglia do ta ketë të vështirë, por më lehtë mendoj se do të kalojnë Prishtina dhe Kastrioti, natyrisht nëse përforcohen me lojtarë të huaj. Te femrat, punë e vështirë po ashtu e pret edhe Kastriotin edhe Prishtinën”, deklaroi ‘Busha’.
Ai insiston se ka ardhur koha që skuadrat kosovare të mos kënaqen më vetëm me pjesëmarrje, por të kërkojnë edhe rezultate, sepse, shton ai, ka kaluar një kohë e gjatë dhe sukseset po mungojnë.
Pesë skuadrat kosovare të hendbollit të martën janë njohur me emrat e kundërshtarëve, me të cilët do të përballen në garat evropiane sezonin që vjen. Kastrioti në Kupën EHF do të luajë me Sutjeskën e Malit të Zi, kurse Besa Famiglia ballafaqohet me Motor-ZNTU-ZAS nga Ukraina në Kupën e fituesve të kupave.
Ndërkaq, Prishtina do t’i matë forcat me ekipin italian SSV Boze në Kupën e sfiduesve. Në konkurrencën e femrave, Prishtina në kupën e EHF-së takohet me Arkatronin nga Bjellorusia, kurse Kastrioti do të ketë punë me rumunet e Otelul Galati në Kupën e fituesve të kupave evropiane.