E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Paloka: PD, jo aleancë me Bamir Topin – votoi Edi Ramën

01-07-2012 / Gazeta 55

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka shprehet se selia blu s’do bëjë aleancë me partinë e Bamir Topit, pasi siç shprehet ai, presidenti në detyrë ka votuar Edi Ramën. Anëtari i kryesisë së PD, mohon kategorikisht çdo marrëveshje koalicioni mes Partisë Demokratike dhe partisë së Bamir Topit. “Besoj se lidhur me koalicionet, Bamir Topi e ka bërë zgjedhjen e tij që kur votoi për kryetarin e PS-së në zgjedhjet lokale”- u shpreh ai.
Paloka vlerëson edhe rolin e LSI-së në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit duke pranuar se pa votat e saj vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. “Për shkak të numrave por jo vetëm. LSI kishte rolin e saj të rëndësishëm në zgjedhjen e Presidentit. Ne kishim nënshkruar një marrëveshje me LSI-në që përpara bashkëqeverisjes dhe PD-ja i qëndron marrëveshjeve të saj. Të njëjtën gjë bëri dhe LSI-ja”- tha ai.
Ai thotë më tej se ndryshimet në qeveri ishin të detyruara për shkak të zgjedhjes së Bujar Nishanit në krye të presidencës shqiptare. Kur bëhet fjalë për pasuesin e tij në Ministrinë e Brendshme, z. Paloka shprehet se mund të ishte ai apo dikush tjetër, por vendimi i takonte vetëm Kryeministrit Berisha dhe ai gjykoi se Flamur Noka është emri i duhur. Sipas Edi Palokës duhen ndarë postet partiake nga ato ekzekutive ndërsa kujton se nuk duhen lënë pas dore militantët e PD-së. Anëtari i komisionit të ligjeve flet dhe për debatin e ripërsëritur të hapjes së dosjeve për të cilën ai bën të qartë se nga politika më parë duhet të largohen persekutorët dhe pas tyre ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. “Lidhur me bashkëpunëtorët e Sigurimit besoj se PD-ja ka qenë mjaft e qartë. I vetmi ligj që i ndalonte bashkëpunëtorët e Sigurimit të merren me politikë është përgatitur dhe votuar nga PD-ja, ligj që u abrogua pas ardhjes së PS-së në pushtet. Pas 2005 ne kemi bërë përpjekje për miratimin e një tjetër ligji, por që nuk ka pasur kurrë mbështetjen e PS-së. Sidoqoftë mendoj që nga politika në radhë të parë duhet të largohen persekutorët dhe pastaj bashkëpunëtoret e tyre. Sa për z.Topi, nuk di të ketë qenë ndonjëherë iniciator për ndonjë qëndrim të tillë, të paktën sa ka qenë në Partinë Demokratike”- theksoi Paloka.
Edi Paloka flet dhe për zgjedhjen e re të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme duke kujtuar modelin amerikan, atë të varësisë nga Kryeministria.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›