Mijëra çamë marshojnë në Qafë-Botë/Destinacioni ynë është Çamëria, do të shkojmë atje
PDIU organizoi marshimin e heshtur në Qafë-Botë, me mesazhin se çamët do të kthehen në trojet e tyre. Në Kllogjer përurohet memoriali dhe ndizen qirinj në respekt të viktimave të gjenocidit të grekëve. Për çamët që jetojnë ende në Greqi, premtohet se do kërkohet statusi i minoritetit, që edhe ata të kenë shkolla në gjuhën e tyre
Mbi 2 mijë persona nisën dje në Varrezat e Kllogjerit marshimin në përkujtim të gjenocidit çam për të vijuar drejt Qafë-Botës, duke shënuar kështu edhe përmbylljen e aktiviteteve në kuadër të javës çame. Në këtë marshim morën pjesë kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deputeti i kësaj force politike në parlamentin shqiptar, Dashamir Tahiri, presidenti i nderit, Tahir Muhedini, kreu i Lëvizjes Vetëvendosja në Kosovë, Albin Kurti, si edhe personalitete të tjera të vendit. PDIU organizoi marshimin e heshtur në Qafë-Botë, me qëllim dhënien e mesazhit se çamët do të kthehen në trojet e tyre.
Në Kllogjer është përuruar një memorial dhe janë ndezur qirinj në respekt të viktimave të spastrimit etnik grek. Pas vendosjes së gurit të parë për ndërtimin e varrezave çame, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka deklaruar se, “ky është guri i themelimit të çështjes Çame”.
“Këto varreza janë detyrimi moral për paraardhësit dhe pikë kthese për çështjen çame, e cila do të futet në kanalet diplomatike dhe kthimi pranë vatrave tona nuk do të jetë i largët”, u shpreh kreu i PDIU-së, cili mbajti në Qafë-Botë fjalimin në shenjë nderimi për 2960 çamë të masakruar nga grekët. Ai deklaroi se ndërtimi varrezave ishte një akt i nderuar
“Hoqëm pllakën e turpit, mundëm harresën dhe neglizhencën, që i bëri shteti komunist kauzës çame. Ne sot jemi para zotit për veprën tonë, duke i dhënë dinjitet 2960 viktimave të Çamërisë”, shtoi më tej Idrizi.
“Dëshira për paqe, drejtësi është më e madhe se sa lufta. Ne jemi këtu për të dhënë drejtësi, për të vendosur paqen dhe dinjitetin. Ne jemi të mbushur me dëshirën për paqe, e pajtim, ne ecim në anë të kundërt me ata që na masakruan. Ne e fituam betejën me kohën, do ndërtojmë botën dhe urat e Çamërisë. Në rrugëtimin tonë ne kemi me vetë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”, nënvizoi Idrizi, i cili shtoi se një ditë do realizohet kthimi në Çamëri dhe ndërtimi i varrezave që kujtojnë çamët e masakruar atje.
“Në 100 vjetorin e Shqipërisë shtet, ne kemi një platformë për çështjen çame, ata që na pengojnë për realizimin e drejtësisë, ju themi që ne nuk jemi për ndryshimin e kufijve, ne e duam Evropën. Nuk gëzohemi për fatin e Greqisë, ne aty kemi tokat dhe pronat tona, dhe ne do kthehemi në Çamëri, do bëjmë edhe atje varreza. Brenda Evropës ka shanse për ta zgjidhur këtë çështje. Në drejtësinë evropiane ne do tregojmë se gjenocidi duhet riparuar me drejtësi”, u shpreh kreu i PDIU.
Për çamët që jetojnë ende në Greqi Idrizi premtoi se do kërkojë për ta statusin e minoritetit, që edhe ata të kenë shkalla në gjuhën e tyre.
67 vjet më parë, në tokën e tyre, Çamëri, u vranë rreth 3000 vetë, kryesisht gra, pleq e fëmijë, ndërsa rreth 2960 të tjerë vdiqën në kufirin e Çamërisë me Shqipërinë, në Kllogjer. Mbi çamët u ekzekutua një plan i përgatitur, për t’i asgjësuar tërësisht si komunitet nga dheu i të parëve , vetëm sepse ata i përkisnin një komuniteti etnik, fetar dhe social, të ndryshëm nga popullsia shumicë.
Çështja e Çamërisë, krahinës së mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë në vitin 1913, e lënë në harresë gjatë dekadave të diktaturës, është rikthyer në vëmendje gjatë viteve të fundit në sajë të përpjekjeve të komunitetit çam përmes shoqatave të tyre dhe të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet.