E Enjte, 5 Nëntor 2026

Edi Paloka zgjidhet kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së

Edi Paloka është zgjedhur me 132 vota Kryetari i ri i Këshillit Kombëtar të PD. Paloka u zgjodh përballë kandidates Eleina Qirici e cila mori 79 vota.

Në një prononcim për mediat, teksa falënderoi anëtarët e Këshillit Kombëtar për mbështetjen që i dhanë për t’u rizgjedhur kryetar Paloka tha se rezoluta që miratuan për zgjedhjen e presidentit tregon qëndrimin që duhet të mbajë grupi parlamentar i PD-së, pasi Këshilli është organi më i lartë i partisë.

Ndër të tjera ai njoftoi se të shtunën në mbrëmje pritet të mbahet një protestë përpara komisariateve në rrethe për aktin e rëndë që ka ndodhur ku një njeri u gjet i vdekur në qelinë e Komisariatit të Kavajës.

“Dua të falënderoj anëtarët e Këshillit Kombëtar për mbështetjen që më dhanë për t’u rizgjedhur kryetar i Këshillit Kombëtar. Miratuam një rezolutë që përcakton qëndrimin e PD-së për zgjedhjen e Presidentit. Këshilli Kombëtar është organi më i lartë që përcakton linjën e PD-së. Një tjetër vendim është që nesër në gjithë Shqipërinë, do ketë një protestë përpara gjithë komisariate në rrethe për aktin e rëndë që ka ndodhur ku një njeri u gjet i vdekur në qelinë e Komisariatit të Kavajës. Pavarësisht se cili është fakti dhe e vërteta që do dalë nga hetimi, ky është një akt i rëndë që bën përgjegjës policinë e Shtetit. Nuk është i vetmi. Nesër në orën 8 përpara të gjithë Komisariate, ndërkohë në Tiranë do ketë protestë të heshtur përpara Kryeministrisë”, tha Paloka.

Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar, i cili miratoi një rezolutë për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›