E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Beteja me kancerin e Gregut dhe tmerri i “vdekjes klinike”

Në librin e tij “Kurbani” lideri i opozitës rrëfen dhimbjen e përjetuar pas diagnostikimit të të birit 15-vjeçar me kancer dhe vendimin e vështirë që ai t’i nënshtrohej një kurimi eksperimental. “Kështu i donte mushka drutë qyshse, menjëherë pas dy seancave të Kongresit dramatik, dy ditë të gjata, që në fund më nxori fitues në garën për kryetarin e Partisë Socialiste, m’u desh të mësoja se vdekja kishte hyrë në trupin e Gregut”

Edi Rama

Gjysma e dytë e 2005-ës dhe e para e 2006-ës qenë muajt e mi më të vështirë të jetës në arenë, tronditës në çdo qelizë, sepse përveç ndryshimit fatkeq për Shqipërinë e pasojave të tij të drejtpërdrejta mbi Bashkinë e Tiranës, u kokolepsën si me dorën e djallit edhe beteja për lidershipin e Partisë Socialiste e kthimin e saj në realitet pas fluturimit katastrofik në humnerën e dështimit politik, zhgënjimit qytetar, mërzisë kapluese në hemisferën e së majtës shqiptare, me betejën për jetën e djalit tim pesëmbëdhjetë vjeç. Gregu doli befasishëm me kancer nga një skaner rutinë në kulmin e atyre kohëve të turbullta, duke më shqyer më dysh mes netësh pa gjumë plot dhimbje, ankth e lot pafuqie ekstreme, dhe ditësh kur duhej të fshihja vuajtjen e pasigurinë tmerruese për fatin e tim biri, me shfaqjen e optimizmit e të vetësigurisë së domosdoshme të liderit të opozitës e të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit. Duhej të fitoja në çdo orë të ditës mbi atë makth, për t’u përqendruar në punë, në biseda e në debate, ku askush s’më bënte dot asnjë skonto për çfarëdo shprehje dobësie, nervozizmi, turbullime, hutimi, melankonie, shkurt duhej të jetoja denjësisht politikën brenda një roli ku s’mund t’i lija asnjë shteg daljeje mbi sipërfaqen e lëkurës dëshpërimit masakrues. Kështu i donte mushka drutë qyshse, menjëherë pas dy seancave të Kongresit dramatik, dy ditë të gjata, që në fund më nxori fitues në garën për kryetarin e Partisë Socialiste, m’u desh të mësoja se vdekja kishte hyrë në trupin e Gregut dhe të dilja përditë nga zyrat, takimet, mbledhjet në vazhdim, për t’u mbyllur në banjë sa vinte ora që të flisja në telefon me mjeken për analizat që thoshin se shanset ishin minimale, t’i jepja kurajë djalit e qetësojë nënën time, mjeke edhe ajo, që kuptonte me imtësi analizat e gjithashtu gjyshe, që shkrihej në lot nga tretja para syve e nipit pesëmbëdhjetëvjeçar, dhe pastaj të mbyllja telefonin e të laja sytë nga vagullima e nxehtë a mërzia therëse përpara se të shkyçesha nga ku isha ndryrë, duke kyçur njëkohësisht brengën e madhe brenda vetes për t’u rifutur me buzën në gaz në jetën e partisë e të bashkisë.

Nëntë muajt e sëmundjes

S’ishte as dy ditë e as dy muaj ajo torturë e pashoqe, po nëntë muaj të tërë, ndarë në mes nga një oqean pasigurie e në ca momente të caktuara tmerri vetë, me djalin që kurohej në Amerikë. Fat i madh i djalit dhe i yni që im vëlla gjendet atje qysh prej vitit ’97, punon pikërisht në botën e kërkimeve kundër kancerit, me të gjitha lidhjet e informacionet e nevojshme që mundësuan kurimin e Gregut në atë vend të bekuar, falë edhe natyrës së rrallë të Olsit që kurrë s’bezdis kënd, por është gjithnjë aty kur dikush duhet të bëhet copash për këdoqoftë në shtëpinë a rrethin e tij shoqëror. Ishte një ndarje e patregueshme, picir gërryes deri në thellësira të vetes, që ndryshe njeriu as që i di se i ka, me shpresën e pashuajtshme të shpëtimit e ankthin e pandashëm të dështimit të terapisë, i cili kapi pikun kur erdhi momenti më sprovues, më i patregueshmi që kam jetuar ndonjëherë, nuk e krahasoj as me vdekjen që pashë me sy në hyrjen e shtëpisë kur njerëzit e armatosur me leva hekuri e doreza metalike me gozhda më lanë të copëtuar përtokë, mbytur në gjak, të bindur se i kishin larë hesapet e mia me këtë botë, në atë mbrëmje janari të vitit 1997. Ishte momenti kur terapia dështoi, kur në fund të saj qelizat kanceroze gjallonin ende të paasgjësuara në trupin e djalit, kur mjekja e Gregut, një grua me origjinë kineze që nga maja e njohjes së shkencës ulej përditë në gjunjë, bashkë me skuadrën e saj të asistentëve e infermierëve, për t’iu lutur Zotit në kapelën e vogël të spitalit Mass General të Bostonit, që ta ndihmonte në shpëtimin e fëmijëve pacientë, më tha nga matanë oqeanit: ”Dështuam! Jemi përpara një vendimi që kurrë s’do të kisha dashur t’ju kërkoja ta merrnit!”. Vendimi ishte drastik, me detyrim përcaktim, ose edhe pak jetë me vdekjen në sulm brenda trupit të tim biri gjashtë muaj, një vit, dy më e shumta, në rastin më fatlum, ose një terapi e re, eksperimentale, e paaprovuar si protokoll mjekësor, nga libri i pafundmë i kërkimeve të shkencës që kalojnë mbi kufoma, duke marrë në sy rrezikun që më e keqja mund të ndodhte në çdo sekondë, për të nisur ecjen në terrin e së panjohurës me shpresën e varur në fije të perit për të gjetur dritën në fund, zvarritje e stërgjatur sekondash, minutash, orësh, ditësh e netësh sa një jetë, të një kalvari pa mbarim. Askush përveç vetë djalit, nënës së tij e meje, nuk kishte tagër ligjor për atë vendim dhe asnjë mënyrë tjetër përveçse për ta marrë atë vendim ekstrem s’kishte, për të fituar betejën me atë sëmundje që refuzon të vdesë pa vdekur më parë kurmin e ngrohtë ku ka hyrë, sepse është shëmbëlltyra e gjallë e vdekjes, por besomë, gjë më të sikletshme s’kam hasur ndonjëherë sesa letra që priste firmën time për të miratuar fillimin e eksperimentit mbi kurmin e drobitur të tim biri…

Përballja me vdekjen klinike

Kur bëja me zemrën pulë e trembur varavingon e pafundme, gdhihu e ngrysu në këmbë, pesë ditë e net të pangjashme as me parafytyrimin më të ankthshëm të ferrit, përgjatë korridorit të reanimacionit të spitalit, pas rënies së Gregut në honin e vdekjes klinike nga një komplikacion i papritur gjatë terapisë eksperimentale, gjithë burimet e zmadhuara në vite brenda meje të këtyre shqetësimeve e turbullirave më dukeshin si një kurth ku kisha rënë duke humbur rrugën e natyrshmërisë sime, duke iu dhënë atyre që s’më donin të mirën mundësinë të më hynin nën lëkurë e duke mos i dhënë vetes asnjë mundësi për të marrë frymë lirisht, pa e çarë kokën për çdo të thoshin, sidoqoftë, gjithnjë ata që s’mund të thoshin dot tjetër gjë nga llogorja e tyre e baltës. As për rrezikun e pandashëm të gabimeve të zemrës në rrugën e ëndrrave, ideve e punëve, që bëhej shpesh pengesë ndrydhëse për pasionin tim të të jetuarit me çdo gjë që bëj. Çasti i mrekullisë së parrëfyeshme, fytyra e ngrirë si vdekja që lëvizi lehtë, drita e zbehtë që çeli nën kapakun e hapur ngadalë të syrit të majtë të Gregut, pas pesë ditënetësh larg kësaj bote ku kishte lënë vetëm trupin e rrethuar me aparatura e të përshkuar prej kabllosh e zorrësh plastike që i jepnin frymë e ushqim organizmit në vend të tij, syri tjetër që qëndroi për disa sekonda mbyllur a thua se po e mbante shkelur në fund të një shakaje, gishti tregues i dorës së fashuar ku hynin serumet që u ngrit lehtë drejt meje si për të më thënë” Ke ardhur ti tek unë apo unë jam kthyer tek ti” më bëri të më duken të gjitha një magji thellësisht e ëmbël, edhe rrezja e diellit që hynte vija-vija nga grilat e dritares, edhe i tërë ai mjedis që më shumë se çdo gjë rrezatonte në praninë e afërt të vdekjes dëshirën e pamatë të të jetuarit, edhe të gjitha koklavitjet e jetës që s’janë veçse një lojë e mrekullueshme krahasuar me seriozitetin e vdekjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›