Vrau të shoqen, polici dorëzohet pas negociatave në Tropojë
Ismet Hysa ka pranuar t’i dorëzohet drejtësisë, pasi ekzekutoi me thikë gruan me të cilën bashkëjetonte, Jetlira Doçi. Sillet me pranga në duar drejt Tiranës
Tiranë Arrestohet në Tropojë, në shtëpinë e të afërmve të tij, Ismet Hysa, 41-vjeçari që pesë ditë më parë masakroi me thikë bashkëshorten e tij Jetlira Doçi. Burime policore kanë bërë të ditur se arrestimi i Hysës ka qenë një “formalitet”, pasi familjarët e tij kanë negociuar gjithçka në tri ditët e fundit me policinë. Hysa, një ish -polic i ruajtjes së godinave, ka pritur i qetë në shtëpinë e të afërmve të vet mbërritjen e uniformave blu, të cilët i kanë hedhur prangat. Ai akuzohet si autori i krimit tronditës që ndodhi mesditën e festës së “Kurban Bajramit” në Tiranë, në afërsi të zonës ku ndodhet dogana e kryeqytetit. 41-vjeçari Ismet Hysa u arrestua dje në orët e drekës në vendlindjen e tij Tropojë, ndërsa kërkohej prej të dielës së krimit, kur vrau me thikë 25-vjeçaren Jetlira Doçi, me të cilën bashkëjetonte që pas divorcit të parë, martesë nga e cila kishte edhe një djalë 12-vjeçar. Tri ditë më parë, policia gjeti tek të afërmit e tij në Tiranë vogëlushen dy-vjeçare, të cilën Ismet Hysa e kishte marrë me vete ditën kur i mori jetën me thikë Doçit. Sipas dëshmive të marra në polici, Jetlira Doçi, gruaja me të cilën bashkëjetonte pa kurorë polici privat Ismet Hysa, punonte si kameriere në një lokal në Tiranë. Por në javët e fundit çifti kishte ndërprerë bashkëjetesën dhe viktima kishte nisur të jetonte te prindërit e saj për shkak të debateve të forta dhe zënkave me ish-policin e arrestuar dje në Tropojë. Sipas dëshmive të mbledhura nga hetuesit, rezulton se mëngjesin e së dielës vrasësi i dyshuar Ismet Hysa ka telefonuar bashkëshorten e tij që ndodhej në Sauk dhe i ka kërkuar që të shkonte te shtëpia ku ai jetonte me qira për të marrë vajzën, pasi ai do të duhej të lëvizte disa ditë për arsye pune. Viktima ka shkuar për te shtëpia ku jetonte bashkëshorti, e shoqëruar nga e motra e saj, ndërsa është futur e vetme në vilën ku ndodheshin Ismet Hysa dhe vajza e saj 2 vjeçe. Sapo ka hyrë në katin e dytë të vilës, 25-vjeçarja Doçi është qëlluar menjëherë pas koke me thikë dhe më pas është goditur dhe në pjesë të tjera të trupit. Vrasësi i dyshuar ka marrë në krahë të bijën 2 vjeçe dhe është larguar nëpër rrugicat e lagjes, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij dhe të vajzës. Të afërm të viktimës dhe të të dyshuarit si vrasës i thanë policisë se çifti po përjetonte probleme për shkak të vështirësive financiare dhe se për muaj me radhë Hysa mbetej pa punë dhe gjendja ekonomike e çiftit ishte vështirësuar shumë. Hetuesit dyshojnë se Hysa e ka kryer vrasjen me paramendim, pasi ai e ka telefonuar Jetlira Doçin në mëngjes duke e ftuar të shkonte në shtëpinë e tij për të marrë vajzën 2-vjeçare. Sipas dëshmive të mbledhura, mendohet se Hysa e ka goditur direkt viktimën, porsa ajo ka hyrë në shtëpi dhe më pas është larguar me vajzën e tij dyvjeçare, të cilën e ka dorëzuar tek prindërit e tij dhe vetë është larguar në drejtim të Tropojës, ku dhe u arrestua ditën e djeshme.