E Diel, 1 Nëntor 2026

Fotot nudo, si reaguan Braçe e Blushi dhe mbyllja e Majkos në shtëpi

Edi Rama zbulon për herë të parë në “Kurban” sms-të kërcënuese, para publikimit të fotove nudo, dyshimin se pas tyre fshihej një politikan dhe tensionin për ndikimin në opinion, para zgjedhjeve të 2007. “Iliri këmbënguli të thoja që është montazh. Erjon Braçja qeshte me lot dhe Ben Blushi më tha “Do t’iu kthehet bumerang”.

“Tërmeti” i fotove nudo, pak ditë para zgjedhjeve lokale të vitit 2007 vjen në rrëfimin e Edi Ramës përmes ndjesive të atyre ditëve, shijes së keqe prej fjalëve të shantazhuesit “Do të pataksen gjithë gratë e botës” dhe hamendësimeve mbi efektin e tyre në opinionin publik. Në librin “Kurbani” zbulohen për herë të parë sms-të dhe telefonatat që paralajmëronin “skandalin”, rruga sesi fotot e bëra në një plazh të Francës kishin rënë në duar të gabuara dhe reagimi i deputetëve socialistë Erjon Braçe, Ben Blushi apo Pandeli Majko pas publikimit të fotove nudo në disa gazeta. Edi Rama ndan me lexuesit dyshimin se pas kësaj skeme fshihej një politikan i interesuar për humbjen e tij në zgjedhje, e megjithatë, emrin e tij ka preferuar të mos e bëjë publik.

Diku nga fundi i gushtit 2006, në tetor, kur do të mbaheshin zgjedhjet vendore, më erdhi një sms kërcënuese, që ndryshe nga plot të tilla që kanë hyrë në celularin tim gjatë gjithë viteve në arenë, më bëri përshtypje sepse kishte një përmbajtje disi tjetër, një lloj presioni mafioz, ku më thuhej në thelb se duhej të negocioja për materiale komprometuese, përmbajtjen e saktë nuk e kam parasysh dhe s’i ruaj mesazhet në telefon. I rashë mbrapsht numrit dhe ishte mbyllur. E njëjta gjë u përsërit ndoca ditë më pas, duke më thënë pakashumë se po të mos nxitoja të paguaja, duhej ta harroja votën e qytetarëve të Tiranës, pasi të dilnin në shesh ato materiale. I rashë përsëri numrit, s’ishte i njëjti i ditës së parë, dhe nga ana tjetër m’u përgjigj një zë i zvargur burri, të cilin s’e lashë të fliste por i thashë me ton të fortë se mua s’kishte material në botë që më merrte peng dhe, në vend që të guxonte të më bezdiste prapë, këtë ç’është e vërteta e nënvizova me shumë më tepër brutalitet se ç’shpreh këtu me fjalën bezdi, duhej t’i nxirrte ato që kishte një orë e më parë, mu te sheshi “Skënderbej” po të donte. “Madje, nëse nuk gjen dot një stendë”, i thashë, “ta jap unë bashkë me vendin para bashkisë që do ta paguaj vetë dhe t’i varësh t’i shohin të gjithë sa ditë të duash mor maskara!”. As e kisha idenë se çfarë mund të ishin duke sajuar, por ndieja diçka, intuita më thoshte që diç kishte, pavarësisht se s’kisha as merakun më të vogël për çfarëdoqoftë mund të lidhej me punën e mua personalisht, sepse në gjithçka kam bërë në këtë jetë deri më sot, mund t’u kem hyrë të tjerëve në hak pa dashje, ndodh në nxehje e sipër, ndodh në punë e sipër, ndodh edhe pa kuptuar, s’ke ç’i bën, por asnjëherë s’i kam bërë keq kujtdoqoftë duke u nisur me qëllimin për të bërë keq. Megjithatë, një shije e keqe më mbeti kur, pa dashur ta dëgjoja atë horr, kapa teksa flisja me zë të ngritur fort se”do të patakseshin gjithë gratë e botës me mua” kur të dilnin ato materiale, dhe nisi të më bridhte mendja nja dy ditë për të gjetur ndonjë kuptim të atyre fjalëve kërcënuese, duke u munduar të rrëmoja në kohët e shkuara të jetës sime prej shpirti të lirë e njeriu të dhënë pas transgresioneve e provokacioneve, sidomos në Akademinë e Arteve, ku thyerja e tabuve në art e në jetën sociale ka qenë prirja ime natyrale që student e deri në ditën kur u largova nga ai mjedis…

Fotot nudo, të harruara në bagazh

E asgjë që mund të patakste megjithatë gratë e botës në Shqipërinë e vitit 2006 s’më ra ndërmend, derisa një ditë, kohë më vonë, po para zgjedhjeve gjithsesi, ato zgjedhje u shtynë në shkurt për shkak se s’pranuam të hynim në to pa u zgjidhur problemi i madh i certifikatave të falsifikueshme, m’u kujtuan fotografitë e bëra nudo në një plazh natyristësh në Francë. I rrëmujshëm siç kam qenë gjithnjë me sendet e mia, rrobat, pikturat, librat, korrespodencat, në kushtet e një mënyre jetese pa shtëpi fikse, më pëlqente pa masë të jetoja me idenë se shtëpia ime ishte trupi im dhe, qyshse e lashë vatrën prindërore për të qenë plotësisht i lirë në orare e lëvizje, s’ka asnjë vend ku të mos kem lënë pas sende të miat, qoftë këtu qoftë vendeve jashtë shtetit ku kam bredhur nëpër Europë për të jetuar lirinë, pavarësisht se kam qëndruar pak javë, disa muaj, disa vjet, e kësisoj jo vetëm s’i gjeta ato fotografi aty ku rrija, po s’e gjeta dot as ku mund t’i kisha lënë. Shumë më vonë jam kujtuar se i kisha harruar në një bagazh makine, brenda një kutie dhe makina që kishte vazhduar jetën e vet pa mua, ka rënë më tutje në duart që pastaj i kanë kaluar te shantazhuesit. E kam edhe një ide sesi është përzier në këtë histori një politikan shumë i interesuar për humbjen time në ato zgjedhje, por në mungesë provash kjo mbetet vetëm hamendje pa të drejtë publikimi. Megjithatë, ideja se mund të bëhej fjalë pikërisht për ato foto nuk më tronditi, sigurisht s’më vinte aspak mirë, se s’kisha dalë lakuriq në plazh për të më parë tërë Shqipëria cullak në fotografi, por thellë-thellë ndieja që s’kishte pse shqiptarët të patakseshin nga diçka krejt e pafajshme, plotësisht private, pa asnjë lidhje kohore apo përmbajtësore me detyrën për të cilën më kishin votuar e as me kohën e ushtrimit të funksioneve të mia publike, kur, me të dashurën time, njerëz të lirë të botës së lirë kishim shkuar për pushime në një nga plot fshatrat turistikë të Europës, ku bëhet plazh nudo e një gjë e tillë jo vetëm s’çudit kënd, po kur je aty të bën përshtypje pikërisht se s’të bën asnjë çudi. Sigurisht që sot s’do ta bëja të njëjtën gjë, s’jam më ai e është një kohë tjetër, me ëndrra e angazhime të tjera për mua, ato kohë të papërsëritshme rinie të ndarë mes diktaturës e lirisë ishin të mbushura me etjen e pafundme për lirinë e mohuar për vite të tëra, me kuriozitetin e paepur për të parë e prekur nga afër përmasat e panjohura të botës së lirë, me ëndjen e madhe për të zbuluar vende e realitete të pazakonta për ne që dilnim nga bunkeri i oklaisur të diktaturës e me të shijuarit deri në fund të faktit të thjeshtë se s’kishim asokohe asnjë llogari për t’i dhënë askujt përveç Zotit, i cili s’kishte arsye të mërzitej me ne duke na parë siç na kishte lindur, e njëri-tjetrit që s’kishim pse i kërkonim llogari pse e shihnim në diell, det e rërë siç e kishte bërë Zoti.

Biseda me Vali Bizhgën

Por s’e mohoj dot se kur Vali Bizhga, bashkëpunëtorja ime e afërt dhe mikja e shtrenjtë, që ka qenë për mua një mbështetje e paçmueshme morale e intelektuale në çdo orë të vështirë qyshse m’u bashkua si nënkryetare bashkie në janarin e vitit 2003, më pas drejtore e kabinetit tim dhe përgjegjëse e palodhur e asaj fushate, më mori për të më thënë se kishte një zarf me një përmbajtje shqetësuese në dorë e nuk më thoshte dot më shumë në telefon, ishte kulmi i fushatës, nisi të më ngrihej një tension i brendshëm e të më fillonte ankthi i së panjohurës për mënyrën sesi do të reagonte opinioni publik. “S’është puna ç’mendoj unë”, tha Vali pa e fshehur dot turbullirën nga fytyra e saj gjithnjë transparente; kur u ktheva në zyrat e shtabit e pashë mbi tavolinë pikërisht atë që mendoja, dy foto të futura në një zarf anonim të hedhur në kutinë time postare në hyrje të bashkisë, “po çdo të mendojnë njerëzit e zakonshëm që na votojnë pasi t’i shohin e të dëgjojnë edhe bubullimat e këtyre maskarenjve që shkojnë deri këtu!”. “Val”, i thashë, “nëse ti s’mendon keq, pse duhet të mendojnë keq njerëzit e zakonshëm që na votojnë, s’janë aspak budallenj e të paditur që të bien pre e kësaj maskarade!?” dhe vërtet, fakti që vali mirëkuptonte kontekstin e atyre pamjeve të fiksuara në aparat në kohë krejt të tjera, më lehtësoi disi, po aspak mjaftueshëm për të fjetur atë natë. Gjithsesi, mendjen e kisha të ndarë, s’do të mohoja asgjë, s’do t’i bishtnoja në asnjë formë së vërtetës, do ta thosha mu siç ishte dhe pikë. Revolta e brendshme për presionin mafioz ku Saliu ishte përfshirë si një burrë i pafytyrë, pa miratimin e tij ato foto sigurisht nuk dilnin kurrë në ekranet e në pasqyrat e fushatës, i cili prej lakuriqësisë së trupit tim në plazh dhjetë e kusur vjet më parë, kujtonte se mund ta mbyste zogun që i kishte rënë më në fund në dorë, duke fshehur me hipokrizinë e vet proverbiale perversitetin e kushedisaterrtë të tij e të të tijve, njësoj si në kohët e vjetra kur luftonte mbledhjeve të partisë me shfaqjet e huaja, në emër të normave antinjerëzore të moralit komunist më bënte edhe më të vendosur për t’i dalë ballë për ballë, hapur, së keqes që donte të më bënte…

Reagimet e deputetëve

Thuajse të gjithë ata me të cilët arrita të flisja gjatë gjithë ditës së daljes së fotove, disa shmangeshin mbase pa ditur ç’të thoshin, më thoshin në mënyra të ndryshme t’i mohoja ose mërmërisnin si të hutuar, pa mundur të më inkurajonin të pohoja autenticitetin e tyre. “Thuaj është montazh” këmbënguli disa herë Iliri, që ishte sinqerisht i shqetësuar e u shqetësua edhe më shumë kur kuptoi se s’bëhej fjalë për të mohuar gjë, të vetmit ndër të politikës që mbaj mend plotësisht në një mendje me mua, madje të pasikletosur hiçfare ishin Erjon Braçja që qeshte me lot e thoshte “Mbaroi kjo punë, do jetë e thellë!” dhe Ben Blushi që më tha “Do t’u kthehet bumerang”, ndërsa Pandi Majko, atëherë Sekretar i Përgjithshëm i PS, që mbulonte fushatën në zona që unë s’shkoja dot për shkak të kohës, u mbyll i bukosur nga sëkëlldia në shtëpi atë ditë dhe komunikoi vetëm me nënën time, e cila merret lehtë me mend, ishte tejet e sëkëlldisur. Mua vetë, siç ta thashë, zemra ma thoshte gjithçka është në rregull, kurse mendja më sorollati në një labirint të lodhshëm hamendësimesh deri në fund të ditës. E kam si tani para syve buzëdarkën e asaj dite, kur dola më në fund i lehtësuar nga salla e diskos “Venue”, aty ku qëlloi takimi i programuar qysh më parë e ku tregova të vërtetën time açik përpara një turme të rinjsh e të rejash, jo pa siklet të them të drejtën, isha si në ethet e një provimi aspak të lehtë, një gjimnazist të mbështetur në mur me xhupin e skuadrës legjendare të bejzbollit Red Socks e me duart në xhepat e bluxhinseve të rrjepura që më tha sikur të kishte hequr një hall të madh, “Ah mër plak sa frikë kom pas sot se po na zhgënje e po na thu s’jom unë ai që kan qit lakuriq gazetat! Hallall plako, s’ka mo Pereni që t’rref kët t’dielë”.

Radhë në pana ir për “Kurbanin” e Ramës

Një ditë pas promovimit të librit në hotel “Sheraton”, lideri i opozitës, Edi Rama, pritej të mbërrinte sërish dje në orën 18:00, në stendën e botimeve ‘Dudaj’. Nga këndi i bllokuar, ku prisnin prej kohësh simpatizantë të Partisë Socialiste, por edhe dashamirës të librit, dëgjoheshin vetëm pyetje të tipit: “Erdhi?” ; ‘Akoma nuk ka ardhur?”. Derisa, pak minuta pas orarit të caktuar, u shfaq autori i librit ‘Kurbani’, Edi Rama. Librat kishin kohë që qëndronin në ajër për t’u firmosur, kush e kush më parë, ndërsa numri i njerëzve nuk dukej të pakësohej edhe një orë pas ardhjes së tij. Dialogjet e Edi Ramës me lexuesit e librit të tij ishin të shkurtra, të mjaftueshme për të marrë emrin dhe falenderuar gjithsecilin. Ndërkaq, dashamirësit e tij, thuajse kishin bllokuar edhe stendën e “Toenës’, ku po bëhej një tjetër përurim, ai i librit të Fatos Kongolit “Si-Do-Re-La”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›