E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Bojkoti i parlamentit do të vazhdojë, mandatet e deputetëve nuk do të digjen

Zëri i Amerikës - Z. Rama, po e filloj intervistën me një zhvillim të fundit
në Shqipëri. Gjykata Kushtetuese  ka
marrë një vendim lidhur me marrëveshjen ujore të Shqipërisë me Greqinë. Sipas
njoftimeve të para të shtypit, marrëveshja është rrëzuar, por ende nuk dihen
argumentat e Gjykatës . Do të ishim të interesuar për regimin tuaj lidhur me
këtë ...?

Edi Rama – Reagimi i parë që vjen ndër mend është keqardhja e thellë për
katandisjen e qeverisjes në Shqipëri në një instrument të errët, i cili vepron
për fat të keq në kundërshtim me interesat e publikut, dhe në këtë rast me
interesa akoma më të mëdha. Arsyeja pse ne iu adresuam Gjykatës Kushtetuese
ishte për t'i dhënë mundësi mendimit të lirë, të bazuar në një ekspertizë të
thellë, dhe për t'a larguar këtë çështje shumë të nxehtë që me të drejtë provokoi
ndjeshmërinë e mbarë publikut shqiptarë  nga
tryeza e debatit politikë, të vetëdijshëm se bëhet fjalë për një marrëveshje e
cila duhet mes Shqipërisë dhe Greqisë, marrëveshje mes dy vendesh jo vetëm
fqinje, por dhe vendesh mike, por njëkohësisht dhe shumë të shqetësuar për
faktin se ky instrument i domosdoshëm për mbarëvajtjen e punëve mes dy vendeve,
rezultonte nga shqetësimet e ngritura si një instrument jashtë kontrollit të
Kushtetutës dhe ligjit.Zëri i Amerikës – Zoti Rama, le të ndalemi tek qëndrimi i Partisë
Socialiste që pas zgjedhjeve. Po bëhen gati 5 muaj që socialistët po bojkotojnë
parlamentin. Cili është vlerësimi juaja, a mendoni se bojkoti i ka realizuar
apo po i realizon synimet e tij?

Edi Rama – Bojkoti i parlamentit nga
ana jonë nuk është asgjë tjetër veçse 
shprehja e një krize të thellë të demokracisë. Ne kemi zgjedhur që t'a
bojkotojmë parlamentin, jo si shprehje e një dëshire  apo një vizioni për të bërë politikë, por si
të vetmen rrugë për të mbajtur fokusin tek çështja e transparencës së zgjedhjeve,
pa të cilën askush në Shqipëri nuk ka garanci se zgjedhjet e ardhshme nuk do të
jenë një kopie akoma më e shëmtuar madje e zgjedhjeve të shkuara të cilat në
këndvështrimin tonë ishin jashtë standarteve që meriton populli shqiptar për të
zgjedhur lirisht përfaqësuesit e tij dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të
përsëritenZëri i Amerikës – Z. Rama, ju jeni shprehur se Partia Socialiste e ka
pranuar rezultatin e zgjedhjeve por nga ana tjetër ajo konteston legjitimitetin
e tyre. Kjo thënie tingëllon si kontradiktore...

Edi Rama – Aspak...

Zëri i Amerikës -  A mund të na e
sqaroni këtë...?

Edi Rama – Aspak ! Kjo është thjesht shprehje e një të vërtetete që ka të bëjë
nga një anë me faktin se pavarësisht se ne kemi qenë dhe jemi të bindur për
padrejtësinë e vendimit të gjykatës, vendimi i gjykatës është një vendim i cili
nuk mund të rrëzohet përveçse përmes gjykatës, dhe në kushtet kur proçesi në
rrugë gjyqësore është ezauruar, rezultati i zgjedhjeve është legal. Pra ne e
pranojmë si të tillë, sepse kemi pranuar sistemin demokratik si të vetmin
sistem ku ne mund të jetojmë por nga ana tjetër ne jemi absolutisht të bindur
se është i domosdoshëm një hetim i gjithë proçesit zgjedhor jo për të ndryshuar
rezultatin, as për të rrëzuar vendimin e gjykatës i cili po e përsëris merret
si i mirqënë, por për t'i prerë rrugën përsëritjes së farsës së zgjedhjve të 28
qershorit, në proçesin e ardhshëm zgjedhor, kurdo që të jetë ai. Transparenca e
plotë e proçesit zgjedhor, duke filluar nga hapja e kutive të votimit, për të
nxjerë në dritën e diellit gjithçka kanë ato kuti, si dhe vërtetësinë e këtij
proçesi, është një parakusht për të garantuar fundin e një tradite të shëmtuar
zgjedhjesh të deformuara dhe të kontestuara...Zëri i Amerikës – Sa pritet të vazhdojë bojkoti...?

Edi Rama -  Deri kur të realizohen qëllimet
që na kanë shtyrë të refuzojmë të marrim pjesë në një parlamenti i cili sipas
nesh duhet të rifitojë legjitimitetin duke u rikthyer në arenën e ballafaqimit
politik përpara syve të gjykatësit popull i cili me votë vendos se kush fiton,  kush duhet të qeverisë, kush humbë dhe kush duhet
të qëndrojë në opozitë.  Në rast se vota e
popullit humbet vlerën, vetë parlamenti nuk ka asnjë vlerë.

Zëri i Amerikës -  Ju keni thënë se
mandatet e deputetëve socialistë nuk do të digjen. A ekziston mundësia e hyrjes
së Partisë Socialiste në parlament për të bërë betimin..? Teorikisht a ekziston
kjo mundësi..? E përjashtoni ju nga skema juaj e mosdjegies së mandateve...?

Edi Rama -  Unë kam thënë se mandatet
nuk do të digjen, dhe se si kjo do të ndodhë ka pak rëndësi, rëndësi ka që bojkoti
i parlamentit nuk do të ndërpritet deri në realizimin e qëllimeve tona dhe në
arritjen e objektivit madhor, që Shqipëria të mos ketë më zgjedhje  maskaradë si ato të 28 Qershorit.

Zëri i Amerikës – Z. Rama, në rast të ngërçeve apo bllokimeve politike, ka
gjithmonë një palë e cila hedh hapin e parë drejt konsensusit dhe
përgjithësisht kjo palë fiton në planin moral. A jeni ju i pregatitur të hidhn
hapin e parë...?

Edi Rama – Në ç'kuptim ...?

Zëri i Amerikës - Për të arritur
konsensusin, pra që Partia Socialiste të kthehet në parlament....

Edi Rama - Ne në planin moral kemi qenë dhe mbetemi të fituar, sepse
gjithmonë kemi vënë interesat e vendit dhe cilësinë e demokracisë në Shqipëri,
mbi interesat e pjesshme të forcës politike apo llogaritë personale të ditës. Në
këtë aspekt dëshiroj t'a rithkesoj që megjithëse jemi të pazgjedhur edhe pse  i kemi fitura zgjedhjet, për shkak të manipulimit
elektoral, megjithëse e konsiderojmë mos hapjen e kutive të votimit një shkelje
flagrante të një ligji të votuar konsensualisht pasi është shkruar
konsensualisht, megjithëse e konsiderojmë vendimin e gjykatës së padrejtë, ne
kemi pranuar se rezultati i zgjedhjeve është ai që ka dhënë gjykata, dhe e kemi
hedhur hapin tonë duke thënë : " ...dakort zotërinj, edhe pse populli nuk iu ka
dhënë votën për të qeverisur, qeverisni,  sepse proçesi ligjor në fund iu dha mandatet
për të qeverisur, plus mashtrimi i madh publik i Ilir Metës e plotësoi këtë
farsë, por nga ana tjetër ne refuzojmë t'i nënshtrohemi logjikës që ju kërkoni
të impononi sipas së cilës në Shqipëri do të fitojë ai që numëron, dhe jo ai që
voton, pra vullneti i popullit"....Zëri i Amerikës – Dua t'iu pyes në lidhje me hapjen e kutive të votimit, si
e parashikoni ju, në çfarë hapash do të kalojë ky proçes. Në fund të fundit,
kush do t'i hapë këto kuti, cilat kuti do të hapen, a do të përcaktoni ju se
cilat duhet të hapen....?

Edi Rama – Nuk asnjë rëndësi! Rëndësi ka parimi i garantimit të
transparencës në funksion të një hetimi i cili si çdo hetim parlamentar duhet
të na japë dy konkluzione: a ka pasur apo jo deformim të proçesit dhe shkelje
të ligjit, dhe në rast se po i kalohet organeve kopetente për shqyrtim kjo
shkelje, dhe nga ana tjetër çfarë masash duhen marrë për t'a përmirësuar
proçesin legjislativ. Këto janë dy gjërat që ne duam të arrijmë. Pra një
autopsi e zgjedhjeve të vdekura, për mos të lejuar që zgjedhjet e ardhshme të
vdesin nga e njëjta sëmundje.Zëri i Amerikës – A mund t'i arrini këtë synime dhe këto kërkesa, përmes
negociatave?

Edi Rama – Ne e kemi thënë dhe e përsërisim që për ne dialogu është
instrumenti i politikës së mirëkuptimit. Por për sa kohë nuk ka vullnet për
dialog dhe mirkuptim atëherë me patjetër ka edhe të tjerë instrumenta që
demokracia i njeh, ndër të cilët është dhe instrumenti i protestës popullore që
në javët e ardhme do të njohi përshkallëzime të reja për faktin se një popull i
tërë nuk mund t'i nënshtrohet arbitraritetit, shkeljes së ligjit dhe deformimit
të vullnetit të tij për një periudhë madje të pacaktuar siç është periudha që
kemi përpara ku na presin të tjera zgjedhje dhe ku nuk kemi më asnjë garanci se
ajo që shkruhet në ligj zbatohet në realitet.

Zëri i Amerikës – Në qoftë se më lejoni t'iu sjell në vëmendje një shembull
nga Shtetet e Bashkuara, në një rast po kaq të kontestuar elektoral që ndodhi
këtu në vitin 2000. Gjykata e Lartë amerikane mori vedimin e saj sipas së
cilit, kandidati i atëhershëm Al Gore u tërhoq, pranoi rezultatin, dhe
kandidati tjetër z. Bush, u bë president. Më pas, votat e kontestuara në
Florida u hapën dhe u gjykuan nga shtypi, shoqëria civile për efekte transprence
në bazë të lirisë së informacionit...

Edi Rama – Madje ai proçes, nxori edhe dy rezultate. Në rast se do të ishin
hapur vetëm kutitë që kërkonte kandidati Al Gor, do të kishte fituar presidenti
Bush, në rast se do të ishin hapur të gjitha kutitë, do të kishte fituar kandidati
Al Gor. Asgjë nuk ndryshoi në kuptimin e rezultatit, por shumçka ndryshoi në
proçesin legjislativ për përmirësimin e kushteve për bërjen e zgjedhjeve në
Florida dhe përtej Floridës. Ky është shembulli tipik që tregon pse nuk asnjë kundërshti
të brendshme në kërkesën tonë. Ne rezultatin e konsiderojmë si shprehje të një
proçesi legal, pra nuk kërkojmë marrjen e pushtetit në tavolinë, as
rishpërndarje të mandateve nga ky proçes transparence, por kërkojmë
transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme.Zëri i Amerikës – Po transparencën nuk mund t'a kërkoni t'a bëni ju që jeni
palë në zgjedhje, por një palë e tretë, siç ndodhi në Shtetet e Bashkuara...

Edi Rama -  Ne këtë transparencë
kërkojmë t'a bëjmë duke qenë palë, por jo e vetmja palë, sëbashku me palën
tjetër në qeveri, sëbashku me shoqërinë civile nëse është e interesuar që të
marri pjesë, dhe nën monitorimin e partnerëve ndërkombëtarë.

Zëri i Amerikës – Këtu futeni në një rreth vicioz. Ju kërkoni që t'a bëni
këtë, por në parlament nuk shkoni. Si mund të dilet nga ky ngërç...?

Edi Rama – Ne jemi gati të shkojmë në parlament, qysh nesër, në rast se
qeveria është e gatshme të pranojë publikisht se nuk ka ndërmend t'a kufizojë
objektin e hetimit. Pra se është e gatshme të përfshijë edhe hapjen e kutive në
këtë objekt të hetimit. Kërkojmë një marrëveshje të negociuar paraprakisht me
dialog, për t'i hapur rrugë një proçesi transparence nga i cili do të fitojë në
rradhë të parë, populli shqiptarë dhe pastaj pa dyshim do të fitojë ligji dhe
do të fitojnë zgjedhjet e ardhshme pavarësisht se kush do të jetë fituesi në
fund të tyre.Zëri i Amerikës -  Do t'i kthehem dhe
një herë fjalës tuaj për mosdjegien e mandateve. Si do t'i përgjigjeshit ju
atyre deputetëve socialistë që kanë gjithë këto muaj që nuk po marrin rrogën. A
do t'a pranonit ju dhe një herë teorikisht, bërjen e betimit dhe bojkoti mund
të vazhdojë dhe duke bërë betmin, apo jo...?Edi Rama -  Kjo nuk ka pasur nevojë
për pëgjigje sepse deputetët socialistë kanë marrë përsipër një përgjegjësi e
cila është një përgjegjësi morale dhe qytetare, për të përfaqësuar gjithë atë
popull opozitar i cili erdhi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në një masë
100 mijëshe dhe do të dalë përsëri në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", e
ndoshta dhe më i shumtë në numër, dhe sigurisht nga ana tjetër këtu kemi të
bëjmë përsëri me një telenovelë e cila është inspiruar dhe sponsorizuar nga
Sali Berisha, me ndihmën e Ilir Metës, me ndihmën e Fatos Nanos nga mbrapa
kuintave, me ndihmën e një pjese dërrmuese të organeve të shtypit që e kanë
bastarduar misionin e tyre, për t'a kthyer këtë histori, në një histori u
dogjën - s'u dogjën mandatet, ndërkohë që çështja e mandateve është një çështje
e cila në rradhë të parë nuk ka të bëjë fare me vullnete jashtë vullnetit të
popullit opozitar, ato janë mandatet e popullit opozitar, nuk janë më shumë por
janë më pak çfarë populli i ka dhënë me votë Partisë Socialiste, ato mandate
nuk do të digjen, modalitetet janë një çështje krejt e parëndësishme,  ndërkohë që ajo që mbetet e rëndësishme është
thelbi i çështjes. //mm//

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›