Edi Rama: Brenda mandatit të parë do kemi sistem dixhital arsimor dhe dosje elektronike shëndetësore
Partia Socialiste organizoi të hënën tryezën e saj për telekomunikacionet dhe inovacionin teknologjik.
Edhe pse është një fushë ku kryeministri aktual krenohet shumë, socialisti Edi Rama tha se përdorimi i teknologjisë në vend është në nivele të kufizuara. Sot numri i bizneseve që kanë preferuar të jenë të aksesueshme në rrugët e teknologjisë së re është shumë i kufizuar dhe përdorimi i kësaj teknologjie nga ana e tyre është ende tejet modest. Ne besojmë se duke përdorur me efektivitet mundësitë që jep teknologjia e sotme dixhitale do të arrijmë që të vendosim në funksion të angazhimeve tona një forcë fuqia e së cilës është e pallogaritshme për nga efektiviteti, tha Rama.
Për të ilustruar gjendjen, Rama solli shembullin e hipotekave.
Jo shumë kohë më parë në një takim për çështjet e pronësisë u prezantuan anomalitë skandaloze që ekzistojnë sot nga mospërputhja e sistemeve përmes të cilave ne si shtet trajtojmë problemin e pronësisë dhe posaçërisht edhe nga mospërputhja e sistemeve dixhitale në regjistrimin e pronave. Janë shpenzuar këto 20 vite jo pak para, por jo vetëm nga ndihmat bujare të Familjes Europiane apo të burimeve të tjera të botës demokratike në adresë të Shqipërisë, por dhe nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Para pesë vitesh u krye edhe një regjistrim ortografi i të gjithë Shqipërisë, e megjithatë ende sot e gjithë ditën ne shohim mospërputhje dramatike, të cilat kanë pasoja të drejtpërdrejta në shumë fusha dhe në shumë nisma të tjera që mbeten të pakryera për shkak se nuk kemi ende sot e gjithë ditën një inventar të përputhur të të gjitha këtyre sistemeve mbi pronësinë, mbi territorin, mbi pasuritë e këtij vendi, e kështu me radhë, tha Rama.
Kryetari i PS premtoi se kur kjo forcë të marrë pushtetin, do realizojë dy premtime, sistemin dixhital arsimor dhe dosjet elektronike shëndetësore.
Ne synojmë që brenda një mandati qeverisës, brenda mandatit të parë qeverisës, të zbatojmë një sistem të plotë kombëtar dixhital për arsimin dhe pjesë e këtij sistemi të jetë çdo nxënës dhe çdo student, çdo edukator dhe çdo prind. Pa dyshim që edhe ky synim është një synim shumë i guximshëm, por unë jam i bindur se nuk ka absolutisht asgjë të pamundur në përpjekjen për ta realizuar atë. E prandaj, besoj se duke komunikuar intensivisht për zbërthimin e këtij plani kurajoz me gjithë aktorët që sot në tregun në zgjerim të informacionit dhe teknologjive dixhitale, kanë eksperiencën, njohin terrenin, por kanë edhe njohjen e asaj çka ndodh nëpër botë ne mund të arrijmë të realizojmë një plan të detajuar konkret dhe realist. Nga ana tjetër jemi angazhuar për një sfidë të jashtëzakonshme në fushën e shërbimit shëndetësor dhe programi ynë për kujdesin ndaj shëndetit është një program i cili me patjetër kërkon dimensionin e inovacionit dhe të teknologjive të reja për tu mishëruar, si një program i cili jo vetëm do tu japë mundësi për shërbim publik shëndetësor të gjithë qytetarëve, pavarësisht, nëse janë ose jo të siguruar për shkak se janë ose nuk janë të punësuar. Por, nga ana tjetër duhet të ulë me patjetër dhe kostot shumë të larta që në radhë të parë janë kostot e korrupsionit dhe të shpërdorimit e të abuzimit të përditshëm në sistemin e sotëm shëndetësor. Dosja elektronike shëndetësore e çdo qytetari është pjesë e këtij synimi dhe është një element themelor për të realizuar ngritjen e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor që është një nga angazhimet tona më të mëdha në Programin Për një Rilindje Shqiptare. Padyshim që kjo do të kërkojë mobilizim dhe kosto relevante të rëndësishme, por është mjeti më i sigurt i zbatuar tashmë në shumë vende të botës për të përmirësuar shërbimin mjekësor, duke përdorur me efektshmëri dhe transparencë shumë të lartë çdo lek të shpenzuar nga shteti për shëndetin dhe duke mbajtur nën kontroll buxhetet e mjekësisë. Problemi i mbajtjes nën kontroll të buxheteve të mjekësisë është një nga problemet më të rënda dhe dalja nga kontrolli i buxhetit të mjekësisë është një nga sëmundjet më të rënda në tërësi të sistemit të sotëm të funksionimit të shtetit në Shqipëri, tha Rama.
Në fund ai premtoi edhe një qeveri të hapur, të bazuar në parimet e nismës së presidentit Obama Open Government Partnership dhe një qeverisje moderne.