Edi Rama: Do shkulim kancerin e nepotizmit nga shërbimi diplomatik
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar gjatë tryezës së opozitës për shërbimin diplomatik se qeverisja e ardhshme e tyre do shkulë kancerin e nepotizmit në diplomaci.
Jemi njohur me shumë keqardhje dhe trishtim për fenomenet shumë të rënda të nepotizmit dhe të klientelizmit partiak që e kanë virusuar gjithë organizmin e shërbimit tonë diplomatik. Është një kancer që duhet shkulur nga organizmi i këtij shërbimi, sepse kostot e kësaj sëmundjeje të injektuar në mënyrë të vetëdijshme nga një politikë krejt qorre, që edhe vendet në shërbimin diplomatik i sheh si vende pune për të plotësuar lloj lloj ambiciesh, nevojash dhe interesash që skanë lidhje fare me shërbimin diplomatik, përbën një domosdoshmëri dhe ne duhet ta përballim këtë sfidë me të gjithë vendosmërinë tonë. Ne duhet ti japim Shqipërisë dinjitet maksimal në sytë e çdokujt që ballafaqohet me shërbimin tonë diplomatik, që nga shqiptari i zakonshëm i cili troket në derën e ambasadës apo të konsullatës deri tek nivelet më të larta të përfaqësimit në vendet me të cilat ne kemi marrëdhënie, që fatkeqësisht sot për sot ndeshin me një imazh dhe me një qasje që është tërësisht e papranueshme dhe rëndon turpëruese për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Barcaletat të dala nga realiteti, anekdotat që mbiprodhon kontakti i shërbimit tonë diplomatik me njerëzit e zakonshëm apo me miqtë edhe partnerët në vende të ndryshme duhet të marrin fund, tha Rama.
Kryetari i PS tha se politikat e jashtme janë më shumë një listë dëshirash. Faktikisht, nëse lexon prioritetet e politikës sonë të jashtme duke u bazuar tek çka ka shpallur Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ke përpara një listë dëshirash legjitime që në fakt nuk shoqërohen me instrumentet efikasë për realizimin e tyre në aspektin e shërbimit diplomatik. Pa vënë në diskutim në përmbajtje asnjë nga këto prioritete çka ne dëshirojmë të vëmë me forcë në diskutim është mënyra e zgjedhur për realizmin e këtyre prioriteteve nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe nga ana e gjithë strukturës së saj. Sigurisht, kur them Ministria e Jashtme, i referohem një burimi zyrtar që lidhet me shërbimin diplomatik në mënyrë të drejtpërdrejtë, po këtu bëhet fjalë për shumë më tepër sesa institucioni i Ministrisë së Jashtme. Këtu bëhet fjalë për vizionin dhe për qasjen e përditshme të qeverisë shqiptare në raport me efektshmërinë e shërbimit diplomatik, tha Rama.
Në fund më lejoni tju them, pa asnjë formalizëm, se unë jam i bindur që Partia Socialiste, por edhe më gjerë sesa Partia Socialiste shoqëria jonë, i ka të gjitha kapacitetet njerëzore dhe profesionale për të shkruar një program reformimi të shërbimit diplomatik i cili të jetë kurajoz, por pa dyshim edhe realist, deklaroi Rama.