Shërbimi diplomatik, Rama: Është kthyer në zyrë punësimi
Tiranë- Në kuadër të programit Për një Rilindje Shqiptare, Partia Socialiste ka mbajtur pasditen e sotme tryezën për diplomacinë.
Gjatë fjalës së tij kreu i PS- së Edi Rama u shpreh se shërbimi diplomatik është tepër i nevojshëm për antarsimin europian.
Nuk ka dyshim që në këtë proces, ashtu siç janë themelore të gjitha prioritetet dhe sfidat që kanë të bëjnë me procesin e integrimit, instrumenti i shërbimit diplomatik është i pazëvendësueshëm. Jemi të gjithë dëshmitarë që sot Shqipëria nuk arrin dot të jetë në lartësinë e duhur në marrëdhëniet me jashtë dhe me shqiptarët me banim jashtë. Nuk është në gjendje të jetë në lartësinë e duhur si vend anëtar i NATO-s- tha Rama.
Më tej ai deklaroi se duhet të punohet me shërbmin diplomatik që ai ti shërbejë Shqipërisë dhe jo të kthehet në një zyrë pune.
Të ndërtojmë rrugën për ta transformuar shërbimin diplomatik nga një zyrë punësimi e radhës në një trup e cili t’i shërbejë interesave të Atdheut tonë, t’i shërbejë misionit për të cilin është ngritur. Për këtë arsye ka shumë rëndësi që në reformën që ne po konceptojmë për shërbimin diplomatik, të kemi parasysh një strategji të koordinuar me sa më shumë faktorë të tjerë për politikën e jashtme të Shqipërisë. Që një strategji e tillë të mos mbetet një letër e pakthyer në mision dhe veprim real na duhet me patjetër që t’i japim fund shpërdorimit të kapaciteteve njerëzore dhe profesionale në shërbimin diplomatik të Shqipërisë- vijoi ai.
Gjithashtu kreu socialist ka kërkuar largimin e trupit diplomatik nga politika dhe të funksionojë në shërbim të qytetarëve.
K.T/ IDEA