E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, Erion Veliaj, katërshja kineze dhe të tjerët në PS...

01-12-2012 / Nga Artur Bego

Kontrolli i kontrollit të kontrollit, shkurt vënia e çdo qelize të PS-së nën kontroll, është një nga qëllimet e Edi Ramës. Ky konkluzion e ka një “bazë” e cila u konfirmua dje në mbledhjen më të fundit të PS-së.
Në shpjegim të kësaj “baze”, jo më larg se disa ditë më parë, në një bisedë të rastësishme me një ish-drejtues të rëndësishëm të PS-së, ish-ministër i saj, dëgjova se si “organizatën bazë” të PS-së në një zonë të kryeqytetit, më saktë kryetarin e kësaj organizate “e monitoronte” si “e deleguar” një “Mjaft”-iste me minifund. Në vijim të logjikës së kontrollit, të kontrollit të kontrollit, këtë “Mjaft”-iste “e monitoronte” një tjetër “i deleguar”, i njohur jo vetëm si një “analist i pavarur” mediatik, por edhe si një anëtar socialist i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Por, për shkak të afinitetit që ky “analist i pavarur” ka shfaqur “pro” ish-kryeministrit Pandeli Majko, besueshmëria e tij njollosej deri në atë pikë sa atë “ta monitoronte” me cilësinë e “të deleguarit” të radhës, një nga ish-drejtorët e bashkisë, në kohën e drejtuar prej Edi Ramës... Dhe pas “ndarjes së detyrave” në këtë fillim viti, kryesia e PS-së kishte “kryedeleguar” për kontrollin e kontrollit të kontrollit, si “kryemonitorues”, vetë Saimir Tahirin.
Këtë skemë kontrolli, të kontrollit të kontrollit të PS-së, nëpërmjet “monitorimit” “të monitorimit” “të monitorimit”, nga “i deleguari”, “i të deleguarit” “të të deleguarit”, mund të mos e sillja ndonjëherë nëpër mend, në qoftë se dje nuk do isha njohur me vijueshmërinë e monitorimit të Saimir Tahirit, nga një prej “të katërve” Gramoz Ruçi, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj e Bashkim Fino, të cilët që prej dje janë “graduar” si “anëtarë të grupit të koordinimit elektoral”.
Te kjo “katërshe revolucionare” apo “katërshe kineze” ngec pjesa e dukshme e kontrollit, të kontrollit të kontrollit... Ndërsa duket sikur këta, janë pjesa më afër piramidës “së kontrollit”, e thënë ndryshe “më të besuarit” prej Edi Ramës.
Por për pjesën e padukshme, por që dihet, ajo sipas së cilës Edi Rama “nuk i beson as vetes së vetë”, nuk ka shanse që Gramoz Ruçi, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj e Bashkim Fino, të jenë “më të besuarit”. Ata thjesht janë pjesa e “kinezërisë” së radhës që Edi Rama duhet “të aplikojë” me strukturat e PS-së. Duket se më këtë janë pajtuar edhe ata vetë, për deri sa deri dje nuk ishte mësuar ndonjë gjë e mundshme, si bie fjala, kundërshtim i tyre. Po të ndodhte kjo, kundërshtimi i keqpërdorimit të tyre, atëherë me siguri do të ndodhte edhe ajo tjetra, sikurse bie fjala, Gramoz Ruçi, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj e Bashkim Fino “të delegoheshin” diku nga Hasi, Kruma, Tropoja..., etj., dhe t’u jepnin në këtë mënyrë shkas Namik Dokles, Pandeli Majkos, Erion Braçes, apo edhe Arben Malajt, të mendojnë e ngushëllojnë veten “se paska edhe më keq”...
Për pjesën tjetër të padukshme, që edhe kjo dihet dhe bënë “muuu...”, në një vështrim emrave të anëtarësisë së kryesisë e sekretariatit të PS-së, vërehet se Erion Veliaj është lënë “freelance”, i paangazhuar në ndonjë “delegimo-monitorim” të mundshëm, por është graduar si “supervisor” në hije. E thënë ndryshe, Erion Veliaj është i vetmi që ka vënë kokën e tij atje ku ka vendosur shputat e këmbëve Edi Rama..., duke u ndjerë i kënaqur, që falë pjellorisë së “kinezërirave” nga mendja e Edi Ramës, të tjerët, nga Gramoz Ruçi, Blendi Klosi, Fatmir Xhafaj e Bashkim Fino e deri te ajo kryetarja e “organizatës bazë” të PS-së, në një lagje të Tiranës, i ka nën këmbët e veta... Arsye që të ndjehet edhe më i kënaqur ka edhe Edi Rama, i cili ndjehet me këtë skemë, “si kaposhi në majë të plehut”, me gjithë se nuk dihet sa deri ku arrin shkalla e besueshmërisë së tij ndaj plehut që ka vënë nën këmbë...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›