Edi Rama: Ja si do të ishte qendra e Tiranës
Lideri i opozitës zbulon pjesën e fundit të librit “Kurbani”, para promovimit të plotë të tij më 10 nëntor. “Sheshi Skënderbej u dorëzohet qytetarëve, Muzeu Historik ngjan si dy pika uji me pavijonet e propagandës komuniste”
Dy ditë para promovimit të librit “Kurbani”, Edi Rama zbulon pjesën e tretë, të zgjedhur prej tij për lexuesit e faqes www.edirama.al. Projekti i Sheshit Skënderbej dhe integrimi në të i të gjitha godinave të qendrës së Tiranës është në fokus të kësaj pjesëze të librit të Ramës, që do t’i prezantohet i plotë lexuesit më 10 Nëntor.
Tirana do të kishte një nga qendrat më të bukura në Europë. Të kuptohemi këtu, ndër më të bukurat për nga autenticiteti i saj dhe eklektizmi estetik i grumbullit të godinave të qendrës, që janë një dëshmi unikale e fazave historike të ndërtimit të një shteti, gjë që s’e gjen askund tjetër me larushinë që formëson kufijtë e Sheshit Skënderbej, të cilët u kuadratuan mrekullisht prej arkitektëve belgë të studios 51N4E në pragjet e një katrori tredimensional, ku pika qendrore është edhe kulmi i një piramide të ulët në lartësinë e njeriut që bëhet qendra e gravitetit të hapësirës së dikurshme totalitare të marshimeve pushtuese, paradave çlirimtare, ceremonive diktatoriale, megapritjeve qeveritare, zive kombëtare, mitingjeve çliruese, protestave zhurmuese, lutjeve lehtësuese e rrëmujës së përditshme stresuese. Ajo hapësirë u dorëzohet e gjitha qytetarëve, tribuna e ngritur në kohën sovjetike për ofiqarët vendas e dinjitarët e huaj që i drejtoheshin turmës së Njeriut të Ri, zhduket e ia lë vendin një të përpjete të butë që lidh për njerëzit e zakonshëm sheshin pedonal me anën tjeër të Pallatit të Kulturës, barku i të cilit hapet për t’u kthyer në një foyer publik, ku këmbësorët venë e vijnë mes hapësirës së paanë të shëtitjes, takimeve, argëtimit të fëmijëve, uljeve në bar e mbi gurë rrotull Skënderbeut si në pjerrësitë e kalldrëmta të shumë shesheve europiane, dhe hapësirës tregtare të dyqaneve, restoranteve, librarive, zyrave, agjencive, kinkalerive, kafeneve, kinemave, që Plani Francez i parasheh si ringjallje bashkëkohore e Pazarit të Vjetër së sipërfaqen e mbuluar të Gropës së mbuluar të Hajdinit, “Piramida” e ulur në bojën e njeriut i jep Sheshit Skënderbej një jehonë historie, duke ruajtur një lidhje konceptuale me të shkuarën që integron e rivlerëson të gjitha godinat e vjetra përreth, por njëkohësisht e ripërmason në dimensione, duke shmangur boshin monoton të rrafshinës së sotme e krijuar kushte optimale për një shikim që në asnjë pikë s’është njësoj….Pallati i Kulturës nisur me gurin e themelit të vënë nga Nikita Hrushovi nën buzagazin vesh më vesh të shokut Enver Hoxha e hosanatë e turmës së ekzaltuar prej pranisë së Vëllait të Madh ardhur nga Moska, ruhet në dukjen e tij si paja e madhe e martesës shtetërore të kohës së Perandorisë Komuniste, por u afrohet qytetarëve si një hapësirë e rifituar aktivitetesh publike e kulturore, kollonada e lartë riorganizohet si hapësirë publike…
Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazët, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist, ku hyjnë e dalin veç materiale e arna të një pavijoni të shëmtuar të gjoja antikomunizmit, që në fakt ngjan si dy pika uji me pavijonët e propagandës komuniste për nga qasja hagjiografike ndaj historisë e për nga estetika vulgare e totalitarizmit e ku mbahen në një sallë të veshur me dërrasat e modës së fundit të Kombinatit të vdekur të Drurit “Misto Mame” ca simpoziume e konferenca të mekura shkencore, përkujtimore, mortore që flasin vetë për degradimin e jetës kulturore në një batak përshpirtjesh të mbytura….