Armë dhe maska në makinë, pranga Shullazit në vendin ku u vra Arjan Selimi
Personazhi i njohur i kronikës së zezë u arrestua bashkë me mikun e tij Gilmando Dani, pasi udhëtonin me një pistoletë në makinë. Mbahej nën vëzhgim nga agjentët e krimeve
Emiljano Shullazi dhe miku i tij Gilmando Dani përfundojnë sërish në pranga, pasi në makinën e tyre u gjendën armë dhe maska. Shullazi është ndaluar nga efektivët e sektorit të antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, në rrugën “Stavri Themeli”, rreth 50 metra larg vendit ku u vra dy muaj më parë Arjan Selimi. Personazhi i njohur i kronikës së zezë ka qenë ulur në vendin e pasagjerit, në makinën e drejtuar prej Gilmando Danit, kur është ndaluar nga forcat e policisë. Gjatë kontrollit të makinës, agjentët e policisë kanë mundur të sekuestrojnë një pistoletë, katër maska në ngjyrë të zezë dhe katër telefonë celularë, të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin qendror të kriminalistikës. Ndërsa dy miqtë janë dërguar për të disatën herë në qeli, për t’u përballur me gjykatën për veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Burime nga policia e Tiranës thanë dje se zyrtarisht Shullazi është arrestuar me akuzën e “armbëmbajtjes pa leje”, ndërsa të pyetur nëse akisoni kishte të bënte me parandalimin e ndonjë krimi nga ana e të arrestuarve, të njëjtat burime refuzuan të komentonin. Mësohet se Shullazi ka qenë nën vrojtim të vazhdueshëm nga efektivët e policisë së Tiranës, gjatë gjithë javëve të fundit. Vetëm pak muaj më parë, më 8 maj, Shullazi u ndalua së bashku me një grup prej 11 djemsh në zonën e Farkës, pasi policia u gjeti armë në makina, ndërsa u dyshua se ata ushtronin presion në ditën e zgjedhjeve lokale. Pak ditë më vonë, Shullazi u la i lirë nga gjykata, pasi përgjegjësitë për armët i morën dy djemtë e grupit të tij. Më herët, gjatë fushatës elektorale, Emiljano Shullazi përfundoi sërish në polici, si autor i dyshuar për pengim të subjekteve gjatë fushatës, pas kallëzimit të depozituar nga dy deputetët e Partisë Socialiste për një incident në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, në Tiranë, në ambientet e një lokali ku po zhvillohej takimi elektoral i Kandidatit për Minibashkinë Nr.7, Erion Koka. Ai u lirua sërish nga gjykata, pas pretendimeve se ishte penguar në mikrofonin e fonisë, gjatë takimit elektoral. Edhe më herët, Shullazi ka vuajtur dënimin në burg për të tjera vepra penale. Ndërkaq, i ndaluari tjetër, i njohur që herët si mik i tij, Gilmando Dani ka qenë pre e një plagosjeje në fund të muajt qershor në afërsi të kryqëzimit “21 Dhjetori” në Tiranë. Dani gjendej në afërsi të banesës së tij, kur dyshohet se autori i është afruar dhe e ka qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e të shtënave, 37-vjeçari ka marrë një plumb në kofshën e djathtë dhe menjëherë u dërgua për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Lidhur me këtë rast policia u shpreh se dyshon për ndonjë konflikt mes grupeve, që mund të ketë çuar deri në plagosje, por edhe një sherr banal të çastit. Gilmando Dani ka qenë i arrestuar në vitin 2006 për trafik armësh e droge në Tiranë, kur u kap së bashku me Emiljano Shullazin.