E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gurtë e kufinit”, një model të ri në studimet e antropologjisë juridike

UET Press promovon librin “Gurtë e kufinit”, një studim i antropologut Nebi Bardhoshi mbi kufijtë pronësorë, të parë në këndvështrimin e dy ligjeve: atij shtetëror dhe atij kanunor

Çështja e pronësisë, ligji shtetëror mbi atë kanunor, efektet e modernitetit te shqiptarët, pluralizmi i ligjit, simbolika e limiteve dhe e së paluajtshmes, janë tematikat që antropologu Nebi Bardhoshi prezantoi si pjesë të librit studimor të tij, mbrëmjen e promovimit mes miqsh dhe kolegësh të tij.

“Gurtë e kufinit”, monografia e cila tashmë hyn në kolanën e librave studimorë të shtëpisë botuese universitare UET Press, sjell për herë të parë studime në fushën e antropologjisë juridike.

E drejta tokësore e krahinës së Hasit në të dyja anët e kufirit, pjesës së Kosovës e pjesës së Shqipërisë, vjen e studiuar jo vetëm nga një qasje historike, por edhe kontekstuale, lidhur me pronësinë.

Njeriu banor i asaj zone i gjendur mes dy sistemeve, mes ligjit shtetëror dhe atij kanunor. Monografia bazohet në material të pasur e të hollësishëm të gjurmuar në terren, por pasurohet edhe me literaturë të përzgjedhur të fushës etno-juridike.

“Ky studim është mjaft i rëndësishëm dhe një kontribut i vlefshëm, jo vetëm për shkencat antropologjike, por për shkencat sociale në tërësi dhe për shkencën juridike. Studimi ka kufij të tillë, që nga pikëpamja e kufijve fizikë -megjithëse është rast studimor në krahinën e Hasit- i kalon kufijtë e Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa nga pikëpamja e kufijve kohorë, shkon përtej Shqipërisë komuniste e demokratike”, u shpreh Prorektori i UET, Prof. Asoc. Dr. Tonin Gjuraj në mbrëmjen e promovimit të librit.

Këndvështrimi dhe trajtimi i problemeve sjell një model të ri në studimet etnologjike. Pyetja kryesore që shtron autori në këtë studim është se çfarë efektesh ka pasur moderniteti mbi shqiptarët në dy kontekste të ndryshme politike.

“E drejta tokësore e krahinës së Hasit në këtë botim paraqitet si asnjëherë tjetër dhe me tërë shtrirjen territoriale nuk është parë vetëm si dukuri e së kaluarës, por edhe sesi është riorganizuar në periudhën e tranzicionit, duke u ritradicionalizuar”, u shpreh etnologia Afërdita Onuzi, duke shtuar se ky botim është nga të rrallët në fushën e etnologjisë juridike.

Pse gurtë dhe jo gur?! Titulli është zgjedhur për të treguar natyrën plurale mbi të cilën është ngritur studimi. Nga niveli mikro i fushës së studimit, autori shkon drejt debatit bashkëkohor në antropologjinë e ligjit mbi natyrën e pluralizmit ligjor, me kufijtë politikë në Kosovë e Shqipëri.

“Pyetja kryesore ka qenë se çfarë efektesh ka pasur moderniteti mbi shqiptarët në dy kontekste të ndryshme politike. Është nisur me një pyetje albanologjike. Pyetja e parë ka qenë: çfarë ka ndodhur në realitetin ku banojnë shqiptarët dhe pastaj gradualisht kam ngritur pyetje të cilat janë të një natyre të debatit bashkëkohor në antropologjinë e ligjit mbi natyrën e pluralizmit ligjor. Është evidente që pronësia ka qenë themeli dhe fokusi kryesor për arsye që dihen: në Shqipëri çështja e pronësisë është temë delikate, por edhe në atropologjinë bashkëkohore pronësia është kthyer në një nga temat kryesore studimore, sidomos kur flasim për antropologjinë post-socialiste.”, u shpreh Dr. Nebi Bardhoshi.

Pronësia, çështjet e lidhura me të, mbeten problematike nga pikëpamja lokale, në raport me ligjin dhe në raport me proceset integruese, ku mbivendosen e drejta kanunore me të drejtën shtetërore .

“Përse guri i kufinit?! Shumë e thjeshtë, sepse guri është simbolikë e limiteve, simbolikë e së paluajtshmes, ashtu është edhe ligji. Pse gurtë? Sepse është pluralizmi ligjor”, përfundon autori.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›