E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Në 2013 do fitojmë edhe pa LSI-në

TIRANE-Kryetari i PS-së, Edi Rama deklaroi dje se PS nuk do të propozojë asnjë emër për President, në rast se nuk ka një hap nga mazhoranca për tu tërhequr nga emri i Zaganjorit. Rama kërkoi dje gjatë një interviste në “Tonight”, të gazetares Ilva Tare se nuk po refuzon kandidaturën e Fatos Nanos, por këtu bëhet fjalë për një proces jashtë Partisë Socialiste. Rama tha se PS i fiton zgjedhjet edhe pa LSI-në, por nuk përjashtoi faktin që nëse ajo kalon në opozitë mund të rishikojë një koalicion me të.
A ndiheni përgjegjës që nuk është zgjedhur presidenti?
Ne kemi vetëm 63 vota dhe gjithçka mund të bëjmë dhe po e bëjmë është që të ofrojmë konsensusin tonë përmes një procesi, i cili duhet të çojë tek një emër dhe nga ana tjetër është qeveria që nuk i ka votat për të zgjedhur një president në frymën e konsensusit që Kushtetuta e parasheh me të paktën 84 vota dhe që duhet të krijojë hapësirë që opozita të japë konsensus.
Ju u takuat me kryeministrin?
Jemi takuar, por ende nuk është krijuar hapësira, ku opozita mund të marrë bashkautorësinë për zgjedhjen që parlamenti duhet të bëjë me konsensus.
Për çfarë u takuat?
U takuam për të bërë gjithë përpjekjet tona që të krijohet kjo hapësirë. Është hedhur gjysëm hapi, u kalua nga periudha rigjide ku qeveria kishte paralajmëruar një kandidaturë politike, në një proces brenda koalicionit qeverisës, ku sipas nesh është gabuar me produktin, pasi i është dhënë opozitës një kandidaturë e njëanshme.
A ju duket normale që dy lider takohen rrallë dhe nuk i shtrëngojnë duart njëri-tjetrit?
Kjo është e pavërtetë sepse ne kur jemi takuar në sallën ku u zhvilluan bisedimet ne i dhamë dorën njëri-tjetrit.
A u patë në sy me Berishën?
Sigurisht që u pamë në sy dhe thamë të gjitha arsyet pse Shqipëria duhet ta kapërcejë me sukses të plotë këtë provë.
Ishit në siklet gjatë takimit?
Absolutisht jo.
Pse e keni ruajtur konfidencialitetin e këtij takimi?
Mendoj që është gjëja më normale që për një bashkëbisedim që është ende i hapur të mos ketë zbardhje të asaj që bisedohet për mediat, pasi është shumë e rëndësishme të ruhet një mundësi vazhdimësie e për t’i dhënë një shans zgjidhjes. Nuk është se është biseduar ndonjë gjë sekrete. Ato janë të njohura për opinionin. Aty thjeshtë janë argumentuar.
Keni folur për emra konkretë?
Jo.
As për z.Zaganjori?
Në parashtrimin e bërë nga Kryetari i qeverisë dëgjuam edhe pikëpamjen e tij për kandidaturën e Zaganjorit.
Po e konsideroni Zaganjorin?
Është një kandidaturë e njëanshme, e cila është kthyer edhe në një pengesë për gjetjen e konsensusit.
Ju keni thënë nuk keni vota për ta zgjedhur presidentit. Atëherë pse nuk jepni votat për Zaganjorin?
Sepse nuk është një emër që vjen si rezultat i një procesi, si rezultat dialogu apo si rezultat i një kornize modalitetesh dhe nga ana tjetër kemi rezervat tona për kandidatin.
Edhe po të ishim takuar më parë, Zaganjori nuk do ishte kandidat.
Një ftesë tjetër ishte që ju të propozoni një emër. Pse nuk e keni bërë?
Unë ja kam thënë drejtpërdrejt kryeministrit që ne jemi pakica. Ne nuk pretendojmë të vendosim presidentin duke ja imponuar shumicës. Ne nuk mendojmë që futja në një lojë emrash, në kushtet që nuk japim konsensus që sot është shpallur nga qeveria na jep rezultat. Përkundrazi, e ngatërron më shumë filmin sepse është e natyrshme që të mos pranohet që kandidati të jetë i pakicës. Jemi të disponueshëm të japim emra, nëse vendosim dy gjëra. Gjëja e parë është që do ta zgjidhim me konsensus, dhe e dyta që do të përcaktojmë këto modalitet këtë kornizë, këtë identikit dhe ne mund të japim kontributin tonë. Por ne presim që shumica, qeveria të na japë mundësinë të ofrojmë konsensus, duke zgjeruar gamën e propozimeve. Nuk mund të japim konsensus për ndonjë kandidat.
Pra mazhoranca duhet të japë emra të tjerë?
Dhe ne në atë moment jemi të gatshëm të kontribuojmë edhe me emra.
Gjeni ju një kandidaturë më të mirë, jepni ju një emër?
Këtu nuk është çështja e një gare pa përmbajtje. Nuk është çështja se në Shqipëri nuk ka figura që mund të jenë më të spikatura se sa kandidati që është paraqitur. Nuk është çështja të bëjmë spektakël. Nuk po bëjmë një referendum. Po bëjmë një proces ku duam ta zgjedhim Presidentin bashkarisht.
Ju thatë që jeni të gatshëm të kontribuoni. A ka emra që po negocioni në ato dritaret e hapura?
Jo, nuk ka emra që po negociojmë sepse pengesa është kushtëzimi i vijimit të procesit me kandidaturën e Zaganjorit, të cilin qeveria vazhdon ta imponojë dhe ne nuk mund ta pranojmë sepse është e njëanshëm dhe nuk ofron konsensus.
Kërkohet konsensus nga të dyja palët. Kërkohen 140 vota në Kushtetutë, por kemi një votim të fshehtë. A ka një paradoks që kërkohet konsensus dhe mungon gara? Në rast se ky raund i tretë, PS parashikon që të hyjë në garë në raundin e katërt apo të pestë?
Sot Shqipëria është në një garë me vetveten për të marrë statusin e vendit kandidat. Sot jemi në kushtet kur nuk mund t’ja lejojmë vetes që për një garë brenda sallës së Kuvendit, Shqipëria të humbasë garën me vetveten për të fituar statusin. PS është e vendosur të japë konsensusin, dhe nuk do të bëhet pjesë e një gare pa kuptim.
Nëse dështon edhe raundi i tretë, cila është taktika e PS?
Asnjë skuadër nuk i shpall në televizor dhe nuk i bën publike. Strategjia është publike, taktikat janë lëvizje që lidhen me dinamika të caktuara.
E zëmë se PD tërhiqet nga Zaganjori, do të jepni ju një emër?
Varet si do caktohen modalitetet. Ne jemi të hapur për të dhënë konsensus për një gamë më të gjerë propozimesh.
A jeni i gatshëm ta zgjidhni presidentin pa Metën, vetëm me Berishën?
Këtu nuk bëhet fjalë për të përjashtuar askënd. Këtu nuk bëhet fjalë për teknologji diversionesh sepse kjo nuk ka asnjë interes për ne. Madje duam që me të gjitha palët në qeveri të gjejmë rrugët për konsensus. Apeli ynë është mos qëndroni pas kandidaturës së njëanshme, sepse humbitet koha dhe nuk shkon në dobi të vendit.
Keni parashikuar një takim të dytë me z.Berisha?
Unë nuk merrem me parashikime të kësaj natyre sepse nuk kam fuqi të tilla paranormale, por i kam thënë kryeministrit që në çdo moment jemi të gatshëm të ulemi në tryezë, por në këndvështrim jo vetëm mundemi, por jemi shumë afër zgjidhjes sa gjynah që të mbetej pa zgjidhje.
Nëse z.Meta voton një kandidat me PD, do të rishikoni marrëdhënien me LSI?
Me kryetarin e LSI jam takuar sepse unë jam i vendosur që të bëj gjithë çfarë kam në dorë që t’i japim vendit statusin e vendit kandidat. Kryetari i LSI është kryetar i partisë së dytë në qeveri. Ata janë kundërshtarët tanë, por kjo është një çështje që i tejkalon palët. Padyshim që në rast se kryetari i LSI-së do të shkonte për një votim të kandidaturës së Presidentit me 71 vota do ta shembte me duart e tij atë që është përpjekur të ndërtojë në funksion të konsensusit.
Nëse mazhoranca del me 3 emra të tjerë, do të diskutoni mes këtyre tre emrave apo do të keni emrin tuaj?
Nuk kemi pse bëjmë deklarata paraprake që mund të cënojnë procesin. Është shumë e rëndësishme që qeveria të zgjerojë gamën e procesit, atëherë do të jemi proaktivë, duke i garantuar shqiptarët se do të hyjmë në një proces duke mos dalë pa e zgjedhur presidentin e Republikës.
Si do të përgatitet për ta rrëzuar zotin Berisha nga pushteti?
Nuk ka asnjë kompleks opozita në asnjë moment që të thotë se duam të largojmë qeverinë. Por, ajo që dua të bëj të qartë që ne duam të marrim statusin e kandidatit, por duam hapësirë për të realizuar konsensusin.
Pse u takuat me Metën?
Për të gjitha ato që kam folur deri tani.
A keni një marrëveshje me Ilir Metën?
Ne kemi bërë një bisedë shumë të hapur. Unë nuk mund t’i frenoj të gjitha fantazitë, por kryetari i LSI-së është kryetari i partisë së dytë në qeveri, por ne jemi në opozitë me PD, me LSI, por për një konsensus flitet me kundërshtarët, jo me aleatët.
Pse hoqët dorë nga kandidimi i Meidanit?
S’është folur ndonjëherë.
Pse u desh takimi me ju e zotin Berisha, kur kishit mandatuar z.Ruçi e Patozi?
Ne nuk rekomanduam një tryezë mes kryetarit të grupit, por në atë tryezë vendosën një kuadër propozimesh, por mbi atë kuadër u pa që ishte e domosdoshme të bëhej ai takim. Sikur ai takim të ishte bërë në kohë, sot ne do kishim zgjidhjen e Presidentit.
Nëse në raundin e katërt do kemi një President të PD dhe LSI, a do të ndryshojë mendimi juaj ndaj z.Meta?
Jo. Kryetari i LSI luajti një rol bashkë me faktorët e tjerë në spostimin e shumicës nga llogorja ku pozita qëndroi një vit e gjysëm rresht, nga ku shikoje vetëm hijen e Jozefina Topallit.
Në rast se ajo që thoni ju do të ndodhë, opinioni im do të jetë që në fazën e parë pati një rol të çmuar ndërsa në fazën e dytë nuk e pati dhe shembi atë që ndërtoi.
A ndiheni të zhgënjyer nga qëndrimi i z.Meta?
Ne nuk e kemi konsideruar LSI-në e kryetarin e LSI-së aleat. Kemi thënë që është një forcë kundërshtare, por ky është një proces që duhet zgjidhur me kundërshtarët. Më duket se dy-tri ditët e fundit e ka ridimensionuar këtë rol. Por, do të shpresoja që edhe kryeministri të merrte atë rol dhe në fund fare të kishim kompromis.
Ju thatë që Meta e ka ridimensionuar rolin. Ç’do të thotë?
E ka ulur ndjeshëm tempin e aksionit për gjetjen e konsensusin për çështjen e Presidentit.
Pse nuk e kandidoni ju Fatos Nanon për President?
Ju dhashë të gjitha arsyet, pse ne ende sot nuk e kemi një president dhe pse ne e konsiderojmë jo serioze dhe aspak të dobishme që t’i thuhet opozitës na jep një emër se ne e kemi emrin tonë.
A ju bëri me dije zoti Nano gjatë takimit se nëse nuk e kandidoni do të krijojë një parti të re?
Jo.
Nëse do ju kishte thënë që do krijonte do kishte ndryshuar mendimi juaj?
Jo.
Pse e refuzoni z.Nano?
Çfarë refuzimi? Ne nuk jemi duke rishkruar historinë e PS-së. Unë nuk paragjykoj asgjë. Unë po ju them që duam të krijojmë kushtet për konsensus.
A bëtë gabim që e larguat Ilir Metën drejt Sali Berishës?
Nuk e kam larguar Ilir Metën drejt Sali Berishës, por nuk ka pas asnjë rrethanë për të krijuar një aleancë me Metën.
A i fiton PS zgjedhjet në 2013 pa LSI?
Pa as më të voglin dyshim. Nëse LSI do të braktiste anijen e pushtetit dhe do të kalojë në opozitë, sigurisht ne do të vlerësojmë kushtet ku të ftojmë edhe LSI-në në frontin kundër qeverisë. Por kushtëzohet nga çfarë do të bëjë qeveria.
Nëse i humbisni zgjedhjet në 2013, a do të largoheni nga PS?
Kjo nuk ndodh. Dhe nuk do të ndodhë as vitit e ardhshëm sepse është kundër sensit të historisë që ata që votuan për PS në 2009 të votojnë sot për qeverinë. Nuk ka asnjë lloj mundësie. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme dhe jam i bindur që do ta qeverisim Shqipërinë drejt rrugëdaljes nga ky qorrsokak. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet në 2013.
Si i shikoni dy partitë e reja, atë të z.Topi dhe Aleancën Kuq e Zi?
Janë dy parti të djathta, e kam thënë. Janë shprehje e implozionit të PD dhe besoj se është mirë për Shqipërinë që ka një përpjekje për ta riformatuar të djathtën. Nuk shikoj asnjë arsye që të rrezikohen votat tona nga këto dy parti.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›