E Diel, 1 Nëntor 2026

"Presidenti", asnjë kandidaturë zyrtare, pritet të digjet edhe raundi III

TIRANE - Raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës duket se do të digjet sërish, pasi mazhoranca dhe opozita nuk kanë mundur të bien dakord për një kandidat konsensual.

Deri tani janë konsumuar dy nga pesë raundet e votimit për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit, ndërkohë që në konkurrimin për garën presidenciale nuk është paraqitur asnjë kandidat zyrtar.

Kuvendi vendosi dje me 71 vota pro, 58 kundër dhe 1 abstenim që raundi i tretë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës të zhvillohet ditën e sotme në orën 10:00.  

KOMISIONI I LIGJEVE: ASNJË KANDIDAT PËR PRESIDENT
ORA: 09:30 - Para fillimit të seancës plenare, sipas procedurës u zhvillua mbledhja e Komisionit të Ligjeve, për të hartuar raportin që do t'i paraqitet Kuvendit, për kandidatët eventualë. Mbledhja zgjati vetëm pak minuta, pasi nuk u depozitua asnjë kandidaturë zyrtare për konkurrimin e sotëm në Kuvend. Në këto kushte, edhe raundi i tretë i votimit në Kuvend parashikohet të 'digjet' sërish, sikurse dy raundet paraardhës pa asnjë kandidat në konkurrim. 

"Sipas nenit 87 të Kushtetutës, komisioni i Ligjeve, e quan votimin të kryer edhe kur në garë nuk paraqitet asnjë kandidat", thuhet në raportin përkatës, që do i paraqitet për informim seancës së sotme plenare.

Sipas rregullores parlamentare, deri në orën 09:00 të ditës së sotme procedura ishte e hapur për të paraqitur kandidaturat, ndërsa pas kësaj ore fillonte detyrimi i komisionit të Ligjeve për të marrë në shqyrtim kandidaturat eventuale dhe për t'i paraqitur raportin përkatës seancës plenare të Kuvendit. 

MBLIDHET GRUPI I PS
ORA: 09:00 - Në kuadër të zhvillimeve për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri, rreth një orë para fillimit të seancës së Kuvendit u mblodh dhe Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Mbledhja zgjati rreth 40 minuta dhe në përfundim të saj nuk pati asnjë deklaratë për mediat.

PD-LSI: MBESHTESIM ZAGANJORIN PER PRESIDENT
Në nisje të garës në Kuvend më 30 maj, mazhoranca propozoi kandidaturën e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, por pa e depozituar zyrtarisht në komisionin e Ligjeve, ndërkohë që opozita u shpreh kundër saj, duke e konsideruar kandidaturë të njëanshme nga ana e shumicës.

Mazhoranca mbetet e vendosur t’i qëndrojë emrit të Xhezair Zaganjorit, si kandidati i vetëm për të qenë President konsensual i vendit.
PD-ja dhe LSI do të shkojnë edhe në raundin e tretë të votimit për President me kandidaturën e përbashkët, atë të Xhezair Zaganjorit. Kjo iu bë e qartë dje gjatë takimeve të veçanta, drejtorit të përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Stefano Sannino nga Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i LSI-së Ilir Meta.

Presidenti i Republikës sipas nenit 87 të Kushtetutës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit.
Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.

Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Pas ndryshimeve që iu bënë tekstit të kushtetutës në prill 2008, në raundin e katërt dhe pestë të votimit në parlament, Kreu i shtetit mund të zgjidhet edhe me një shumicë prej 71 votash. Ndërkohë që në proceset paraardhëse Kreu i shtetit është zgjedhur me shumicë të cilësuar, 84 vota.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Presidenti, drejtori i zgjerimit KE në Tiranë Presidenti, Rama: 4 pikat në tryezën e Berishës

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›