E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: Nuk ka zgjedhje normale nëse nuk riformatohet KQZ

Share

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e nisi mbledhjen e grupit parlamentar duke folur për vdekjen e një tjetër minatori në Bulqizë.

Një pjesë e pasurisë sonë kombëtare nuk është më nën kontrollin e shtetit, por nën kontrollin e krimit të organizuar, tha Rama.

Mbetet megjithatë me shumë rëndësi që ne të vazhdojmë të këmbëngulim jo vetëm për interpelancën e kryeministrit, që e përsëris është një akt i detyruar, të cilin ai refuzon ta bëjë duke shkelur mbi çdo normë e procedurë parlamentare, por mbi domosdoshmërinë për të rritur ndjeshmërinë jo vetëm për atë që ndodh, por për atë ndryshim që do bëjmë ne, vijoi Rama.

Kryetari i PS përshëndeti nismën për kontroll të Kuvendit mbi Ministrinë e Mbrojtjes.

Komisioni i Sigurisë në parlament ka ndërmarrë një nisëm të lavdërueshme për të ushtruar kontroll në Ministrinë e Mbrojtjes. Refuzimi për të bërë transparencë në atë zona të errëta që janë kthyer në shqetësim serioz, është tjetër tregues i degradimit të institucioneve të këtij vendi dhe i kthimit të shtetit në një makineri përfitimesh, tha Rama.

Edhe skandali i fundit i përfshirjes së zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes në trafik armësh është një këmbanë alarmi.

Rama përmend edhe problemet me Maturën Shtetërore.

Njerëzit po shohin këto ditë se çfarë degradimi po ndodh me arsimin dhe konkretisht me provimin e Maturës Shtetërore. Kjo ka në themel epshin e përfitimeve në çdo fushë.

Rama tha se këto probleme tregojnë drejtësinë e kritikave të opozitës.

Në fund Rama foli për reformën zgjedhore, duke theksuar se nuk ka zgjedhje normale nëse nuk riformatohet KQZ.

Së fundmi jemi përballë të njëjtës qasje, të njëjtit mekanizëm të fajësimit të përditshëm të opozitës për reformën zgjedhore, prioritet për ardhmërinë e vendit. Akuzat e përditshme të kryeministrit, kryetares së Kuvendit dhe të gjithë zëdhënësve të pushtetit dëshmojnë vullnetin e mbrapshtë për të mos e realizuar reformën. Është e qartë ajo që kërkojmë ne dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë. Nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nëse nuk ka reformim të KQZ. E kjo nuk bazohet vetëm në eksperiencat shumë të hidhura që opozita ka me KQZ, por bazohet edhe në gjetjet e rekomandimet e vetë raportit të ODIHR. KQZ është një element i këtij raporti, për të cilin vëzhguesit ndërkombëtarë kanë folur shumë troç. PS e ka të pamundur që të tërhiqet në emër të çfarëdo kompromisi kur është fjala për të riformatuar KQZ dhe krijuar kushtet që ky institucion të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, tha Rama.

Transparenca e materialeve zgjedhore është një tjetër element, për të cilin theksojmë se nuk përfaqësojmë interes pale apo vullnet partiak, po përfaqësojmë opinionin publik dhe mishërojmë vullnetin për të goditur korrupsionin e kudondodhur elektoral. Për këtë çështje opozita ka bërë një beteje të gjatë e të mundimshme dhe për të cilën ka marrë edhe kosto.

Ne besojmë se e gjithë administrata zgjedhore edhe pse mbetet një administratë e balancës së palëve, duhet të jetë në shërbim të ligjit. Kemi pranuar këndvështrimin e ekspertëve të ODIHR lidhur me nevojën për të kaluar në një sistem pilot qoftë i identifikimit, qoftë i numërimit, por nuk pranojmë që ky sistem pilot të kthehet në një element për të bërë Pazar.

Identifikimi i zgjedhësve është problematik. Propozimi ynë e zgjidh këtë problem. Ne kemi propozuar një draft kompromisi, ku të bëjmë dy sisteme pilot për identifikimin dhe numërimin elektronik.

Rama tha se opozita ka vullnetin për të realizuar këto ndryshime, sikundër ka vullnet për të realizuar edhe korrektimin e sistemit zgjedhor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›